E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimet nga ushqimet pësojnë mutacione

Gjatë dy dekadave të fundit, intoksikacionet, të cilat trajtohen në klinika, janë të llojeve të reja dhe të ndryshme

Nga viti në vit kemi rritje të personave që shtohen në listën e të sëmurëve, rritje të shkallës së ndotjes dhe shtim të llojeve të sëmundjeve. Kohë pas kohe mjekët ndeshen me pacientë që vuajnë nga diagnoza të veçanta, të pahasura shpesh, e mbi të gjitha me të dhëna specifike. Nisur nga këto, në vitin 2010 shërbimi i infektivit ka raportuar dje në një konferencë të nivelit studimor, se gjatë këtyre 20 viteve edhe infeksionet kanë pësuar ndryshime apo “mutacione”. Shpeshherë në shërbimin e infektivit, pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza”, janë paraqitur raste me probleme të llojeve të ndryshme për sa i takon helmimit nga ushqimi, apo siç quhet në gjuhën mjekësore, intoksikim.
Në konferencë dje është theksuar se shqiptarët vuajnë kryesisht pasojat e intoksikimit, për shkak të tregtimit të ushqimeve të pakontrolluara apo edhe për shkak të dëmtimeve të rrjetit të tubacioneve të ujësjellës-kanalizimeve.

Qytetarët rezident në Shqipëri kanë më shumë informacion për sa i takon konsumit të ushqimeve, tregjeve formale dhe informale, rreziqet, por më të ekspozuarit ndaj helmimeve nga ushqimi mbeten emigrantët.

Helmimet

Dje në konferencën e specialistëve për sëmundjet infektive ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili solli në vëmendje problematikën e helmimeve në vendin tonë. Ministri Vasili kërkoi nga mjekët një kujdes në trajtimin e intoksikimeve ushqimore. Sipas tij, sistemi ushqimor në Shqipëri në 20 vitet e fundit ka ndryshuar tërësisht, duke bërë që mjekët të përballen me intoksikime të llojeve të ndryshme.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, sëmundjet diarreike në Shqipëri zënë vendin e dytë në ngarkesën e sëmundshmërisë së përgjithshme pas infeksioneve respiratore. Trendi i përgjithshëm i sëmundjeve diarreike është në rritje, ku intoksikacionet me origjinë ushqimore zënë përafërsisht 75 për qind të tyre për çdo vit. Produktet ushqimore janë një nga burimet kryesore të përhapjes së patogjenëve potencialë me rëndësi në fushën e shëndetit publik.

Emigrantët

Udhëtarët, emigrantët në ambientet e reja, mund të ekspozohen ndaj rreziqeve të panjohura me natyrë ushqimore. Sipas mjekëve, gjithashtu edhe rritja e konsumit të ushqimeve të përgatitura jashtë shtëpisë rrit rreziqet potenciale të ekspozimit ndaj higjienës së ulët në punishtet ku përgatiten ushqimet. Salmonelozat janë infeksion/sëmundjet më të hasura, duke zënë përafërsisht 10% të totalit të sëmundjeve diarreike çdo vit në Shqipëri. Sakaq, pak kohë më parë Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë, konkretisht shërbimi i higjienës dhe Inspektorati Sanitar, ka marrë vendimin për të mbyllur dy nga tregjet e mëdha të fruta-perimeve në kryeqytet, pikërisht sepse nuk përmbushin standardet e kërkuara të pastërtisë dhe higjienës.

Sipas inspektorëve, edhe vetë qytetarët para se të blejnë duhet të bëjnë një vëzhgim të shpejtë për të parë papastërtitë në të cilat tregtohen mallrat e konsumit. Nga ana tjetër, problematike mbeten edhe thertoret, që kryesisht ndodhen të futura brenda lagjeve e zonave të banimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›