Shtyhet emërimi i katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë
Kandidaturat e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë janë shtyrë sërish dhe pritet që të mos emërohen as deri në fundin e javës së ardhshme, pasi Presidenti i Republikës niset për një vizitë treditore në Maqedoni, i ftuar nga homologu i tij, Gjeorge Ivanov.
Siç mësohet, kreu i shtetit shqiptar është në fazën e fundit të konsultimit për të përzgjedhur katër nga 70 emrat që janë paraqitur si aplikantë për gjyqtarë në shkallën më të lartë të pushtetit gjyqësor. çështja e ripërtëritjes së institucioneve të pavarura, siç është edhe Gjykata e Lartë, po vëzhgohet me vëmendje edhe nga faktori ndërkombëtar, përkatësisht nga Bashkimi Europian, pasi kjo çështje futet në kriterin politik të Kopenhagenit në vlerësimin e Shqipërisë si për statusin kandidat ashtu edhe për liberalizimin e vizave. Burime nga Presidenca bënë të ditur se “procesi po ecën sipas të gjitha hapësirave ligjore”. Ndërkaq, nga burime diplomatike bëhet e ditur se faktori ndërkombëtar ka qenë mjaft i interesuar për ruajtjen dhe fuqizimin e pavarësisë së institucioneve, duke favorizuar ardhjen në postet e larta të gjyqësorit të njerëzve që nuk kanë lidhje me politikën apo edhe ekzekutivin. Ndërkaq, një tjetër faktor ka qenë edhe klima e dialogut politik në sallën e Parlamentit. Këtë e ka theksuar vetë kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi. Gjatë një interviste televizive që dha në fund të muajit të shkuar, Presidenti i Republikës deklaroi se “institucioni i Presidentit ka lançuar publikisht një shqetësim që lidhet me nevojën apo domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të zgjedhur anëtarë të gjykatave shumë të rëndësishme, sepse kjo do të merrte një ngjyrim tjetër në rast se do të votohej vetëm nga njëri krah”. Unë, vijoi Presidenti, do të dëshiroja që ata të ishin të gjithë në sallë, sepse bëhet fjalë për pushtetin e tretë dhe për pushtetin e tretë nuk janë jo një apo dy vjet, por janë nëntë vjet për çdo anëtar, qoftë të Gjykatës së Lartë, qoftë të Gjykatës Kushtetuese, pra, po t’i marrësh në mënyrë kompleksive janë dhjetë anëtarë në dy gjykatat, të cilët në total përbëjnë nëntëdhjetë vjet. “Dhe nëntëdhjetë vjet që realizohen si zgjedhje brenda një muaji, do të thotë që duhet të ketë një vëmendje të jashtëzakonshme”, këmbënguli Topi. Ndërkaq, dy ditë më parë zëra publikë nga mazhoranca kanë akuzuar Presidentin e Republikës për vonesën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Viktor Gumi, deklaroi se vonesa në emërimin e vendeve vakante është e pajustifikuar. “Të gjithë juristët në Republikën e Shqipërisë bien dakord që vonesa në emërimin e vendeve vakante është vonesë e pajustifikuar, për më tepër kur është periudhë disamujore. Ne, gjithashtu, biem dakord në interpretim të germës dhe të frymës së Kushtetutës që nuk duhet të lihet qoftë edhe 24 orë vendi vakant”, theksoi Gumi. Ndërkohë, konstitucionalisti i njohur, Niazi Jaho, thekson se nuk ka afat të përcaktuar. Sipas tij, bllokohet ose nuk bllokohet puna varet nga përbërja që mbetet në Gjykatën e Lartë dhe nga volumi i punës. “Kur ka një vonesë të theksuar, puna pengohet. Nuk është krejt normale. Për sa i përket çështjes se sa pengohet, si pengohet, këtë përgjigje mund ta japë vetë më mirë Gjykata e Lartë”, u shpreh Jaho. Që në muajin janar zyra e kabinetit të Presidentit njoftoi se të gjithë individët, që dëshironin të kandidonin për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ishin të ftuar të paraqisnin pranë kabinetit të Presidentit kërkesën e tyre me dokumentacionin përkatës. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.
#