E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash ha buxhetin

Rruga rrezikon të prekë 10% të PPB-së

Pagesat e buxhetit për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash po tentojnë të kapin vlera maksimale. “Top Channel” zbardh për herë të parë pagesat e detajuara të thesarit që nga viti 2006 për konsorciumin turko-amerikan “Bechtel Enka”, që po zbaton projektin publik më të përfolur në vend, atë të rrugës Rrëshen-Kalimash.

Kostoja totale e këtij projekti, deri në fund të janarit, ka arritur në 106 miliardë lekë, ose mbi 1 miliard dollarë. Odiseja e pagesave fillon që në vitin 2006, kur thesari i shtetit ka derdhur rreth 76 milionë dollarë për ndërtimin e kësaj rruge. Por ky ishte vetëm viti i parë. Pagesat janë rritur në mënyrë progresive në tre vitet pasardhëse.

Në vitin 2007, buxheti pagoi 16.3 miliardë lekë për ndërtimin e rrugës ose 58 për qind të të gjitha fondeve të akorduara për investime në infrastrukturën rrugore të atij viti. Në vitin pasardhës, atë 2008, qeveria i pagoi konsorciumit turko-amerikan 39.1 miliardë lekë, ose 67 për qind të investimeve totale në gjithë rrugët e vendit. Fatura kulmoi vitin e kaluar, kur segmenti mori mbi 80 për qind të investimeve në infrastrukturë, plot 41.3 miliardë lekë.

Në total, kantieri në Rrëshen-Kalimash ka marrë 70 për qind të investimeve në infrastrukturë për tre vitet e fundit të marra së bashku. Të dhënat tregojnë se qeveria vazhdon të paguajë fonde nga buxheti për segmentin rrugor me gjatësi 60.8 kilometër. Në muajin janar të këtij viti buxheti pagoi edhe 1.6 miliardë lekë të tjera për këtë segment, ndërkohë që pagesat kanë vazhduar edhe gjatë muajve shkurt dhe mars.

Deri tani, fatura totale e segmentit po tenton të kapë shifrën 10 për qind të produktit të brendshëm bruto, me kosto mesatare 17.5 milionë dollarë për kilometër.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›