E Hënë, 2 Nëntor 2026

Helmimi i fëmijëve në kopshtin në Gramsh, AKU: Qumështi, vezët dhe kofshët e pulës, pa salmonelë. Në proces analizat e tjera

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka deklaruar se nuk është gjetur prani e bakterit salmonela, pas analizave të disa prej ushqimeve të përdorura në Kopshtin nr. 1 në Gramsh, ku u helmuan 17 fëmijë. AKU informon se janë analizuar produktet ushqimore në kopshtin në Gramsh dhe në subjektin furnizues në Tiranë dhe deri më tani nuk është evidentuar prania e salmonelës. Ndërkohë janë ende në proces disa analiza të tjera.

“Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp. Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces”, thuhet në njoftimin e AKU.

17 fëmijë dhe stafi i kopshtit nr.1 në Gramsh u helmuan me salmonela, por ende është e paqartë se nga është marrë bakteri. Ngjarja po hetohet edhe nga Prokuroria e Elbasanit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›