E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU: Makarona me E.coli dhe stafilokok, gjobitet 1.5 mln lekë subjekti

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar zyrtarisht pas helmimit të disa kursantëve në Akademinë e Sigurisë, duke konfirmuar se një nga mostrat ushqimore rezultoi jashtë standardeve të sigurisë. Sipas AKU-së, në analizë u morën nëntë mostra ushqimore, ku tetë prej tyre rezultuan brenda normave të lejuara.

Problematike ishte një mostër me makarona të gatshme, e cila kishte nivel mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv. Mostra u mor në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, ndërsa autoritetet urdhëruan pezullimin e aktivitetit deri në përmbushjen e kushteve të pastrimit dhe dezinfektimit.

Kontrollet u shtrinë edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku prodhoheshin ushqimet e shpërndara për kursantët. AKU njoftoi se subjekti SORI-AL është gjobitur me 1.5 milionë lekë dhe është urdhëruar të asgjësojë produktet e bllokuara që rezultuan të pasigurta për konsum.

 56 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital pas dyshimit për helmim ushqimor nga ushqimi i konsumuar në institucion. Të gjithë studentët morën ndihmën mjekësore dhe u larguan në gjendje të mirë shëndetësore.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›