Helmohen 9 punonjëse të një fabrike në Fier, ndodhen në spital në gjendje të stabilizuar! Shkaku ende nën hetim

Nëntë gra, punonjëse në një fabrikë përpunimi ullinjsh kanë përfunduar në spitalin e Fierit paraditen e kësaj të enjteje, me shenja helmimi. Policia e Fierit ka konfirmuar për gazetarët se gratë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjashtë prej grave ju është dhënë ndihmë mjekësore, teksa sipas bluzave të bardha ata nuk paraqesin komplikacion dhe janë duke iu nënshtruar të gjitha ekzaminimeve mjekësore.
Situata e pacienteve paraqitet e stabilizuar dhe ndihma mjekësore është dhënë në kohën e duhur. Mjekët e urgjencës kanë parë të nevojshme që 4 pacientët të vijojnë të mbahen në observim spitalor, ndërsa të tjerët janë larguar në banesa. Situata paraqitet normale edhe për 4 pacientët që vijojnë të marrin terapi. Shkaku i helmimit ende nuk dihet, teksa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/