Njohja e pensioneve/ Shqipëria nis negociatat me Greqinë

Shqipëria dhe Greqia kanë nisur negociatat për njohjen e pensioneve. Ekipi i punës i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore ndodhen në Athinë duke zhvilluar takime me autoritetet greke për të ecur para me nisjen e negociatave për njohjen e pensioneve.
Një hap i tillë shërben për njohjen e viteve të punës që mijëra shtetas shqiptarë kanë në Greqi.
“Po zhvillojnë biseda informuese në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore që zbatojnë të dyja shtetet, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Ky është një fillim i rëndësishëm që tregon për vullnetin e palëve për t’u ulur në tryeza të tilla diskutimi që synojnë arritjen dhe përmbylljen e marrëveshjes së ndërsjellët mes Shqipërisë dhe Greqisë, aq shumë të dëshiruar dhe të pritur nga bashkatdhetarët tanë”, shkruan Ministria e Financave.
Në korrik të 2022 u bë e mundur edhe arritja e marrëveshjes teknike mes Italisë dhe Shqipërisë për njohjen e pensioneve.
/rtsh.al/