Hemorragji tek partia e Edvinit, po ikin edhe 14 deputetë
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, janë kthyer në vatrat azilmbajtëse për dy nga gjashtë deputetët rebelë të Ramës dhe mbështetës të Nanos. Deputetët të cilësuar “rebelë” nga Rama dhe të nxjerrë në rrugë përdhunshëm po nga ai me vendimin e kryesisë së PS-së, e të njohur si mbështetës të ish-liderit historik të PS-së, Fatos Nano, prej kohësh kanë filluar hulumtimet për tu bërë pjesë e ndonjë partie politike parlamentare dhe sa më larg thundrave të Ramës. Kësisoj, dy nga këta deputetë, që nga dita e djeshme do të jenë përfaqësues të dy partive të tjera, larg PS-së. Deputeti Durim Lamaj, një nga mbështetësit e ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, u shpreh dje, gjatë një prononcimi për mediat, se “mbështet lëvizjen më të re politike të iniciuar nga LSI, koalicionin ‘E majta për Integrim’. Sipas tij, me daljen e lëvizjes Meta, e cila ka një vizion shumë më të gjerë, spektri i majtë politik është bërë tashmë shumë interesant, madje e tillë është edhe lufta në këtë spektër, sidomos për dominimin e elektoratit të majtë. “Ne si lëvizje e Nano e përfaqësuar nga 14 deputetë, por edhe një pjesë e elektoratit që na mbështet, jemi në përputhje të plotë me opsionet që shtron edhe Meta në promemorien e tij. Madje si pjesë e atyre deputetëve që e mbështesin z. Nano, e ndiejmë më mirë veten shpirtërisht dhe moralisht tek Lëvizja Meta sesa tek Partia Socialiste, e cila tashmë na ka bërë dalje”, tha Lamaj. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se “ky është edhe një mesazh i fortë për PS-në, pasi LSI nuk do të jetë më një bisht për PS-në, por shumë shpejt mund të jetë edhe një ndër forcat kryesore të së majtës”. “Dihet se z. Meta është një nga udhëheqësit kryesorë të së majtës që në vitet ‘90, dhe besimi i elektoratit të majtë anon më shumë tek opsioni i Meta sesa tek Rama. Kështu që mendojmë që lëvizja e zotit Meta duhet të merret seriozisht nga të gjitha forcat politike”, tha Lamaj. Ndërsa deputeti tjetër, Hamit Kosta, i përjashtuar nga Partia Socialiste me vendim të kryesisë së PS-së, deklaroi bashkimin e tij me grupin parlamentar të Partisë Demokristiane. Deputeti Kosta vuri në dukje se “ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe vlerësimi për partinë politike ku kam bërë pjesë dhe ato parti që kanë një program me sjellje të përshtatshme në vizionin tim, për shtetin dhe demokracinë”. Ndërsa nga ana e tij, kryetari Ndoka përshëndeti vendimin e deputetit Kosta për t’iu bashkuar grupit demokristian dhe për të dhënë një kontribut politik edhe në strukturat drejtuese të kësaj partie. “Në deklaratën publike të z. Kosta ka një vlerësim dhe bazë reale për të bashkëpunuar pa paragjykime midis deputetit më të ri dhe grupit parlamentar demokristian”, u shpreh z. Ndoka. Deputeti Hamit Kosta, Durim Lamaj janë dy nga gjashtë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët votuan për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në Korrik të vitit 2007, duke mos i qëndruar kështu vendimit të PS-së për bojkot të këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkuar votat me mazhorancën e duke treguar një pjekuri dhe qytetari politike për të shpëtuar vendin nga zgjedhjet e parakohshme. Ky veprim, solli edhe përjashtimin nga grupi parlamentar i PS-së të gjashtë deputetëve, të cilët njihen si mbështetës të ish- kryetarit Fatos Nano. Deputeti Kosta, pas zgjedhjeve parlamentare të 2005-së, ishte pjesë e grupit parlamentar LSI-PDS. Pas disa mosmarrëveshjeve ai shkëputet pre tij, për t’iu bashkangjitur grupit më të madh opozitar, atij të PS-së. Gjatë votimit ne Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në korrik 2007, deputeti Kosta ishte pjesë e grupit prej gjashtë deputetësh të PS-së, të cilët i bashkuan votat e tyre me ato të maxhorancës.
Vasili: Rama, i pabesë dhe shitës i interesave të elektoratit të majtë/Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ashpër dje ndaj thirrjeve spekuluese dhe aspak të serioze të kreut të PS-së, Edi Rama në drejtim të atij të LSI-së, Ilir Meta, për bashkëpunim politik dhe për t’u rikthyer në koalicionin në hije tashmë që udhëhiqet nga PS. Debatet e ashpra të ditëve të fundit, ndërmjet LSI-së dhe PS-së, kanë kamufluar dje nëpërmjet deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, i cili e konsideroi kreun aktual të PS-së si të pabesë politikisht dhe shitës të interesave të mbarë elektoratit në vend dhe njëkohësisht si braktisës i platformës së bashkëpunimit të partive opozitare. “Braktisja nga ana e PS-së e platformës së bashkëpunimit të partive opozitare të majit 2006, që si shtyllën e saj kryesore ka qëndrimet e përbashkëta dhe unike për reformën zgjedhore, dëshmon qartë pabesinë dhe shitjen e interesave të elektoratit të majtë dhe atij mbarë opozitar, dhe për këtë lidershipi i PS-së do të mbajë gjithë përgjegjësinë”, tha Vasili. Ai shtoi se nuk mundet as kreu aktual i PS dhe askush tjetër t’i kujtojë LSI dhe z. Meta interesat e vendit sepse ka qenë pikërisht LSI dhe Meta, që nuk u bënë pjesë e masakrës elektorale të Dushkut. “Që ftuan Ramën dhe Berishën që në 2005 për të filluar reformën zgjedhore të papërfunduar dhe të kompromentuar ende edhe sot. Që nuk ka qenë asnjëherë të lëkundur për interesat e integrimit të vendit, kur PS ka qenë sistematikisht e paqartë, e lëkundur dhe plot oshilacione”, theksoi ai. Më tej, Vasili I ka akuzuar të dyja partitë e mëdha se janë në bisedime për reformën zgjedhore dhe këtë sipas tij e ka konfirmuar vetë kreu i PS-së duke denoncuar LSI-në dhe shumë parti të tjera parlamentare se “lidershipet PD-PS prej kohësh po punojnë në mënyrë të fshehtë për të realizuar një komplot të ri ndaj zgjedhjeve në Shqipëri”. “Por, ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë zhvillimin e masakrave të reja elektorale që prodhojnë kriza shkatërrimtare për shqiptarët gjoja, në emër të integrimit në NATO
Ne do të vazhdojmë luftën tonë pa asnjë kompromis për reformën zgjedhore dhe realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, vuri në dukje më tej Vasili. Ndërkaq, për çështjen në fjalë, Partia Demokratike ka hedhur poshtë çdo hipotezë të hedhur në një pretendim aspak të pranueshëm që lidhet me akuzat për bashkëpunim të fshehtësi ndërmjet PS-PD, për të zgjidhur në mënyrë të mistershme çështjen e reformës zgjedhore dhe në kundërshtim me ambiciet e partive të vogla. Partia Demokratike u ka kërkuar në vazhdimësi partive të opozitës që të sjellim propozimet në komisionit e posaçëm për reformën elektorale. Por siç edhe shihet aktualisht, opozita është mbërthyer nga luftë nervash dhe shigjetimesh të njëpasnjëshme, e në horizont nuk duket ndonjë frymë bashkëpunimi dhe marrëveshja ndërmjet partive të opozitës është ende larg të qenit real.