Berisha: Shqipëria dhe Franca marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat
Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi të zhvilluar dje me ambasadoren e re të Francës në Tiranë, Maryse Daviet shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për “forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat”. Gjatë takimit 2Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat. Gjatë takimit, edhe ambasadorja e Francës në Tiranë e siguroi kryeministrin Berisha se “qeveria franceze mbetet e angazhuar për të çuar më tej këtë bashkëpunim”. Më tej, dy personalitetet shprehën angazhimin e qeverive të dy vendeve për intensifikimin e kontakteve politike në nivelet më të larta. Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në rajon, Kryeministri Berisha i shprehu ambasadores Daviet falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë për përkrahjen që qeveria franceze dhe Presidenti Sarkozy kanë dhënë për Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohje dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Franca dhe Presidenti Sarkozy po i japin axhendës evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe ambasadorja Daviet diskutuan dhe për zhvillime të tjera rajonale.