Rama, i dominuar nga Gruaja e Beratit, sërish apele të dëshpëruara për ribashkim
Nuk kanë munguar as gjatë ditës së djeshme thirrjet dëshpëruesë të kreut të PS-së, Edi Rama në drejtim të LSI-së së Ilir Metës. Megjithëse është munduar që me anë të elozheve drejtuar të larguarve nga ish koalicioni i udhëhequr nga PS, të tregojë një anë të mirëkuptimit dhe bujarisë individuale e politike, Rama në fund ka thagmatizuar duke shtuar se askush nuk është në gjendje të vendosë diktatin mbi partinë që ai drejton dhe se pretendimet e të vegjëlve të larguar nuk mund të merren në shqyrtim pasi
i përkasin demonstrimit të politikës së vjetër. Kësisoj, duke e ndjerë të nevojshme bashkëpunimin me LSI-së e Metës, ku ky i fundit pak ditë më parë shpalli divorcin me PS-në dhe se sipas tij koalicioni i majtë e kishte mbyllur funksionimin e tij që nga zgjedhjet vendore të humbura nga e majta dhe dështimin madhor që fituan një pjesë e partive të vogla opozitare, sic është partia e Gjinushit që nuk mundi të fitojë as edhe një komunë të vetme, Rama kthehet në identitetin e tij duke mos përfillur interesat e aleatëve, por përkundrazi duke injoruar qëndrimet e tyre e duke paralajmëruar se askush nga të larguarit nuk do të mundë të vendosë diktatin mbi PS-në, pasi zot i selisë rozë është vetë ai. Ndonëse i ngelur vetëm, në praninë e Gjinushit dhe Erion Veliajt, Edvini ndjehet i rrezikuar, pasi njëri cilësohet si teolog i konfliktit dhe tjetri si një antipatik ndaj Gjinushit dhe shpesh herë marrëdhëniet ndërmjet të dyve mund të kalojnë në konfrontime të ashpra verbale politike gjë që e bën të pamundur që Edvini të ndikojë tek ta dhe të zbusë situatën e krijuar nëpërmjet xhelozllëkut që karakterizon teologun e konfliktit, Skënder Gjinushi. Megjithatë Rama bëri të ditur se duhet të ndahet nga e vjetra dhe të synojë një bashkim të ri me PS-në. “Uroj çdo ditë që miku ynë dhe miku im, Ilir Meta, ta kuptojë se nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri. Nuk është koha e llogaritjeve të vogla partiake, por e vënies së interesave të vendit mbi ato partiake. Nuk është koha e kthimit në lojën e vjetër të akuzave reciproke dhe të përballjeve që nuk kanë asgjë të përbashkët dhe nevojat dhe aspiratat e shqiptarëve, por është koha për të kuptuar këto nevoja dhe ushqyer këto situata dhe të punohet për realizimin e tyre”, tha Rama. Ndërsa LSI e i konsideroi këto thirrje si virtuale dhe jo reale për bashkëpunim. “Është një korsi e liderit të PS-së, një rrugë jo institucionale duke shmangur debatin nga komisioni në bisedimet dhe ujditë që bëjnë krerët e partive të mëdha”, tha ai. Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar dje se mbetet i hapur për bashkëpunim me liderin e LSI-së Ilir Meta, ku ky i fundit pak ditë më parë shpalli divorcin formalisht nga PS-ja. Ndonëse PS shprehet përsëri e gatshme për bashkëpunim brenda së majtës dhe me të gjitha forcat politike në vend në mënyrë që të realizohet reforma e shumë përfolur, ajo në sistemin zgjedhor. Ai e ka konsideruar sistemin aktual elektoral si të kalbur dhe deklaroi se për realizimin e kësaj reforme palët duhet të qëndrojnë mbi interesat partiake. Kreu i PS-së e lidhi rëndësinë e reformës zgjedhore me përpjekjet për Integrimin e Shqipërisë në NATO. “Ajo që duhet të rikonfirmoj është se ne Partia Socialiste, jemi të vendosur ta bëjmë këtë reformë së bashku me të gjitha forcat politike që janë të interesuara për të ndryshuar status-quo. Ne kemi marrë një rol lider në procesin e këtyre reforma, atë të bashkëpunimit me të gjitha forcat politike për ti dhënë shtysë reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore Në këtë rol lider, ne mbetemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjithë, por nga ana tjetër jemi të vendosur të mos bëjmë kompromise mbi ato që i konsiderojmë parime themelore siç është parimi i zgjedhjes”, tha ai. Ndonëse nuk përmendi asnjë lloj sistemi që mund ti shkonte për shtat vendit tonë, meqenëse edhe PD ia ka lënë PS-së mundësinë e propozimit të sistemit, Rama shtoi se për këtë duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet partive politike para samitit të NATO-s, në Bukuresht. Në këtë drejtim, duket qatë se PS nuk ka asnjë lloj drafti të hartuar dhe që mund ta prezantonte para komisionit për reformën zgjedhore e që në mënyrë kronologjike do të sillte edhe hapin e parë drejt reformimit të sistemit zgjedhor. Ndërsa kreu i PAD-së, Neritan Ceka duke reaguar ndaj Ramës deklaroi se “kam kërkuar të sjellë draftin e PS për reformën elektorale, si e konceptojnë ata reformën dhe kohën kur duhet të fillojë”. “Debati duhet të zhvendoset në mënyrë të institucionalizuar në komisionin përkatës për këtë çështje, që mbetet komisioni i ngritur për reformën zgjedhore”, tha Ceka.