Dështon protesta para kryeministrisë, MJAFT ia lë përgjegjësinë Erion Braçes
Protesta e paralajmëruar nga Partia Socialiste dhe lëvizja Mjaft formalizoi dje bashkëpunimin në hije të ndërsjelltë, me protestën e organizuar para Kryeministrisë në shenjë indinjate ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Thirrjet e Erion Braçes për disa ditë me radhë, u janë përgjigjur dje rreth 200 protestues të shtresës së pensionistëve, pikërisht atyre që u bënte thirrje më tepër ai, ndonëse rritja e çmimit të energjisë është bazuar në bazë të një kufiri të përcaktuar nga ERT, që do të thotë se kalimi i këtij limiti do të faturohet më shtrenjtë. Përgjithësisht vlen të bëhet e ditur dhe të theksohet se shtresa të ndryshme të popullsisë po bëhen pre e abuzimeve dhe diskriminimeve nga ana e OJQ-ve në bashkëpunim të ngushtë me PS-në, për të plotësuar interesat e ngushta meskine të partisë në opozitë dhe në një farë mënyre për të plotësuar një vakum të Mjaftit në aspektin e rritjes së prestigjit, duke pretenduar se rreshtohet në mbrojtje të qytetarëve. Partia Socialiste e mori vetë përsipër organizimin e kësaj proteste paqësore, dhe është zhvillimi më normal ndaj ndonjë pakënaqësie nga ana e qytetarëve në një vend me demokraci të konsoliduar dhe në progres të vazhdueshëm, por me ndërhyrjen në organizimin e protestave të organizatave OJF-iste, siç është Mjaft dhe të bashkëpunimi i ngushtë, por i mohuar mediatikisht dhe publikisht, me partinë përkatëse në një kohë kur pretendon se funksionimi i saj është jashtë kontekstit politik dhe e distancuar, gjërat komplikohen dhe marrin tjetër rrjedhë kur sheh se këto tubime organizohen në sajë një binomi dypalësh që ende mbetet në ndërtim e sipër sipas parimeve populiste, dhe sulmi i tyre mbeten vlerat dhe parimet demokratike të vendit. Kësisoj, në protestën para Kryeministrisë, përveç 200 protestuesve, ishin edhe militantë të lëvizjes Mjaft, ndonëse banderolat i kishin varur nëpër mure dhe pemë ndërsa vetë sodisnin disi të mënjanuar nga turma protestuese, për të parë rezultatin që do të sillte kjo dhe nëse ishte plotësuar interesi ditor politik në shërbim të PS-së. Nuk mund të mos binte në sy prani e disa deputetëve socialistë çka konkretizoi publikisht aleancën e tyre dhe kjo gjë vërtetohet në mënyrë më thelbësore edhe nga programi politik i partisë më të madhe në opozitë, që është një program tërësisht në kontekst OJQ-je që nga mënyra e organizimit, funksionimit dhe procedimet në hartimin e politikave institucionale dhe funksionale. Megjithëse nga lëvizja Mjaft!, Erion Veliaj është i divorcuar tashmë, interesat dhe impaktet e tij me këtë OJF janë ende të lidhura ngushtësisht dhe një pjesë e mirë e militantëve të saj po inkuadrohen në grupimin G 99 dhe nga këtu, vijim pritet të shpallet edhe lëvizja politike e kryesuar nga Veliaj, sigurisht nën urdhërat e Edvinit dhe nën stelitizmin e PS-së. Protesta e djeshme tregoi edhe një herë se midis PS dhe Mjaft!-it nuk ka më kufij dhe gjithçka do të sheshohet në vijim, kur militantët e Mjaft të bëhen pjesë e G 99 dhe më pas të lëvizjes politike të Veliajt e duke ruajtur bashkëjetesën përkrah Edi Ramës.
Leonard Quku