Hendbolli në telashe
Skuadrat kosovare të hendbollit po hasin në probleme në garat evropiane. Këtë radhë nuk është në çështja te humbjet e tyre të thella apo diferenca në cilësi, por fakti se kundërshtarët e tyre vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet.
Prandaj, ekipet kosovare, pjesëmarrëse në këto gara, si Prishtina, Kastrioti (femrat) dhe Besa Famiglia nuk e dinë ende saktë se ku do t’i zhvillojnë përballjet me skuadrat kundërshtare. Prishtina në konkurrencën e femrave do të luajë me ekipin bjellorus Arkatron, në rrethin e tretë të EHF Cup.
Takimet e ndërsjella janë paraparë të zhvillohen më 5-6 nëntor dhe më 12-13 nëntor. Mirëpo, këtu ekziston një problem, ngase skuadra bjelloruse fillimisht ka propozuar që dy ndeshjet të zhvillohen në Prishtinë, të cilën gjë e ka refuzuar pala kosovare. Kërkesa e dytë e vendit nga ish Bashkimi Sovjetik ka qenë me të vërtetë e pakuptueshme dhe e palogjikshme.
“Kërkuan nga ne që të merrnim dokumente serbe në Beograd ose të aplikojmë për vizë me dokumente të UNMIK-ut, të cilën kërkesë ne e hodhëm poshtë, duke ju thënë se jemi shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe me të drejta të plota në nivelin e klubeve në EHF”, deklaroi kryetari i KH Prishtinës, Nebi Zariqi.
Momentalisht, sipas tij, situata qëndron pezull, por pret që në ditët e ardhshme të takohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Sportit dhe me krerët e Federatës së Hendbollit të Kosovës për konsultë, ngase shihet se është një çështje politike përpos asaj sportive.
Ai është i sigurt për një gjë: në rast se Federata Evropiane e Hendbollit propozon që të dyja duelet të zhvillohen në terren neutral, pala prishtinase do t’i thotë JO. “Më nuk do të pranojmë që të luajmë në terren neutral sikur vitin që shkoi. Tek e fundit, nuk ka arsye pse të luajmë diku tjetër, ngase EHF e ka njohur hendbollin kosovar dhe pse mos të luajmë në sistem vajtje-ardhje?”, vazhdoi kreu i klubit prishtinas.
Gjërat janë të paqarta edhe për Kastriotin në konkurrencën e femrave. Skuadra ferizajase do të luajë me ekipin rumun Otelul Galati, në rrethin e dytë të Kupës së fituesve të Kupave, më 1-2 e 9-9 tetor.
Siç dihet, as Rumania nuk e ka njohur Kosovën si shtet, kështu që ky vend nuk i njeh as pasaportat tona. Sido që të jetë, hendbollistet ferizajase do të aplikojnë shumë shpejt për viza në Shkup. Përfaqësuesit e këtij klubi shpresojnë të mos u dalë ndonjë problem në këtë aspekt, edhe pse gjithçka mund të ndodhë. “I kemi bërë gati të gjitha dokumentet dhe do të aplikojmë për viza në Shkup. Shpresojmë të marrim përgjigje pozitive”, deklaroi kryetari i Kastriotit, Valon Eshrefi.
Ai tregon se kohë më parë, udhëheqësit e Otelul Galatit i kishin propozuar që të dyja ndeshjet të luheshin në Rumani, por pala kosovare e kishte refuzuar një gjë të tillë, pasi që dëshiron të luajë përpara tifozëve të vet.
Përgjigje negative ka dhënë edhe pala rumune, kur i është propozuar që të dyja takimet të luhen në Kosovë. Kështu që gjithçka do të dihet shumë shpejt, pasi ferizajaset ta marrin një përgjigje nga ambasada rumune në Shkup.
Hiç më mirë nuk i ka punët as Besa Famiglia. Skuadrës pejane i është ndaluar hyrja në Ukrainë, pas vendimit që e ka marrë Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi në fillim të kësaj jave. Nënkampioni i Kosovës parashihej ta zhvillonte ndeshjen me ekipin ukrainas HC Motor-Zntu-Zas nga qyteti Zaporozhye, në rrethin e dytë të Kupës së fituesve të Kupave.
Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) po i vëzhgon me kujdes ngjarjet e fundit. Drejtuesit e saj janë të vetëdijshëm se problemi i Besa Famiglias mund t’i përcjellë edhe Prishtinën e Kastriotin në konkurrencën e femrave.
“Ekziston mundësia që njëjtë si Besa Famiglias t’i ndodhë edhe Prishtinës dhe Kastriotit, pasi që Bjellorusia dhe Rumania nuk i njohin pasaportat e Kosovës. Për hapat e mëtutjeshëm të këtyre tri ndeshjeve vendos Federata Evropiane e Hendbollit. Njëri opsion mund të jetë dënimi i këtyre skuadrave që nuk pranojnë të luajnë me ekipet tona dhe tjetri, zhvillimi i ndeshjeve në terren neutral, por që të gjitha shpenzimet duhet t’i kryejnë skuadrat kundërshtare”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci.
Kjo nuk është hera e parë që skuadrat kosovare të hendbollit hasin në probleme të ngjashme. Në të kaluarën, skuadrat që vinin nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet ‘luanin’ me kërkesa të kuptimta. Kishte prej tyre që frikësoheshin të udhëtonin drejt Kosovës dhe as nuk ofronin që ndeshjet të luheshin në vendin e tyre, duke kërkuar që ndeshjet të luheshin në terrene neutrale.