E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realizon ëndrrën

Fatos Beqiraj është i lumtur që e realizoi ëndrrën e kahershme të tij, duke debutuar në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit. Pavarësisht humbjes me rezultat minimal, sulmuesi kosovar është i gëzuar që skuadra e tij, Dinamo ia doli ta djersitë mirë gjigantin evropian në Zagreb. 23 vjeçari beson se ekipi i tij nuk do të eliminohet shpejt nga garat evropiane. Nga Valon Konushevci më 16 shtator 2011 në ora 12:28

Mbrëmja e së mërkurës që lamë pas do të mbetet përherë në kujtesë të Fatos Beqirajt. Futbollisti kosovar e realizoi ëndrrën e tij, të cilën e kishte që prej fillimit të karrierës. Ai debutoi në Ligën e Kampionëve me Dinamon e Zagrebit kundër klubit më të suksesshëm evropian, Real Madridit – në kuadër të xhiros së parë të fazës së grupeve.

Takimi mes Dinamos dhe Real Madridit, i zhvilluar në kryeqytetin kroat, përfundoi me rezultat minimal 0:1. 23 vjeçari – i cili nga futbolli kosovar u largua në fillim të vitit 2008 - u inkuadrua në lojë në minutën e 75-të.

“Jam i lumtur që e realizova ëndrrën time të kahershme. Jam i kënaqur me debutimin tim, me lojën që e shfaqa, kur dihet se vetëm dy ditë para ndeshjes kam stërvitur për shkak disa komplikimeve që i kisha në dorë. Andaj jam i kënaqur me lojë dhe shumë i lumtur që e realizova ëndrrën”, ka deklaruar Beqiraj për Express të enjten.

Beqiraj me Dinamon garojnë në Grupin D, bashkë me Real Madridin, Ajaxin dhe Lyonin. Gjigantit spanjoll iu desh të djersitet shumë për t’i fituar tri pikë në Zagreb, sepse me lojë të mirë Dinamo u shkaktoi probleme spanjollëve.

“Ne humbëm, por humbëm nga një klub shumë i madh me një rezultat minimal. Kemi luajtur shumë mirë, andaj na është shtuar motivi që pikët e humbura nga kjo ndeshje t’i rikuperojmë në dy ndeshjet e radhës ndaj Ajaxit e Lyonit. Të dyja ato skuadra janë të mëdha, por me lojën që e shfaqëm ndaj Real Madridit dëshmuam se mund t’ia dalim mbarë”, theksoi futbollisti pejan.

Ai është i bindur se skuadra e tij sivjet nuk do të eliminohet shpejt nga garat evropiane. “Objektivi ynë kryesor është vendi i tretë në Grupin D, e cila pozitë do të na mundësonte pjesëmarrjen në garat e Europa Leagues. Besojmë fuqishëm se këtë objektiv mund ta arrijmë. Mirëpo, njëkohësisht ne do të bëjmë çmos që të pozicionohemi në vendin e dytë të grupit për të mbet pjesë e Ligës së Kampionëve”, u shpreh reprezentuesi i Malit të Zi.

Për Beqirajn, edicioni i sivjetmë i garave do të jetë tepër i rëndësishëm, pasi përveç që me Dinamon synon trofe në futbollin kroat, kosovari me ekipin e tij synojnë që të mbesin sa më gjatë pjesë e Ligës së Kampionëve, apo të paktën Euro Leagues. Ai është në rrugë të mirë për t’u kualifikuar në ‘Euro 2011’ edhe me përfaqësuesen e Malit të Zi.

Beqiraj nga futbolli kosovar është larguar në fillim të vitit 2008. Në Kosovë ai i pati mbrojtur ngjyrat e Besës dhe Shqiponjës së Pejës. Në fillim të vitit 2008 Beqiraj pati kaluar te Buduçnosti i Podgoricës, për të cilën skuadër luajti deri në gusht të vitit të kaluar. Më pas ai u transferua te gjiganti kroat, Dinamo.

Beqiraj – Carvalho, ndërrojnë fanellat

Përveç që e realizoi ëndrrën e tij duke debutuar në Ligën e Kampionëve me Dinamon ndaj Real Madridit, Fatos Beqiraj për kujtim nga ajo natë e veçantë për të do ta mbajë edhe një fanellë të gjigantit evropian. Në fakt, pas takimit 23 vjeçari nga Peja fanellën e tij të Dinamos e ka shkëmbyer me atë të mbrojtësit portugez të ekipit spanjoll, Ricardo Carvalho. “Fanellën time e ndërrova me atë të Carvalhos. Do ta mbaj për kujtim atë fanellë”, tha Beqiraj.

Xhemajli debuton me barazim në Champions

Përpos Fatos Beqirajt, edhe mesfushori shqiptar Blerim Xhemajli të mërkurën debutoi në Ligën e Kampionëve. Skuadra e tij e re, Napoli arriti ta nxjerrë një barazim të rëndësishëm si mysafire e Manchester Cityt, pasi takimi mes tyre ka përfunduar baras, 1:1. Xhemajli në u inkuadrua në minutën e 57-të të kësaj ndeshjeje. Kurse Baseli i tre kosovarëve, Xherdan Shaqirit, Granit e Taulant Xhakës e ka mposhtur Otelul Galatin, 2:1. Shaqiri ishte i pezulluar për këtë ndeshje shkaku i një kartoni të kuq që kishte marrë moti, derisa Taulant Xhaka takimin e përcolli nga bankina. Kurse Granit Xhaka ishte titullar duke luajtur deri në minutë e 78-të të ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›