E Diel, 1 Nëntor 2026

Lokalet, Policia Bashkiake shton kontrollet për zhurmat

Policia Bashkiake u bën thirrje operatorëve dhe menaxherëve të lokaleve në kryeqytet, që të respektojnë orarin dhe nivelin e zhurmave, në të kundërt do të ndëshkohen

Policia Bashkiake e Tiranës ka rritur kontrollet për zhurmat në qytet, duke kërkuar respektimin e rregullave dhe afateve për lokalet që punojnë me volume të larta të muzikës në orët e vona të natës, gjë që ka sjellë shqetësimin e banorëve të kryeqytetit. Vetëm mbrëmjen e së mërkurës, Policia Bashkiake ka ushtruar mbi 30 kontrolle duke marrë masat përkatëse, konkretisht duke fikur paisjet që shkaktojnë zhurmë. Vendimi 587 i Këshillit të Ministrave, neni 3, përcakton orarin dhe nivelin e lejuar të zhurmave të lokaleve në qytet. Kështu, për lokalet e hapura, ditën e premte dhe të shtunë, zhurma e lejuar është e përcaktuar sipas standardeve të pranueshme dhe mund të aplikohet nga ora 19.00-24.00. Ndërsa për ditët e zakonshme të javës, orari i lejuar është 19.00-23.00.

Ndërsa ambjentet e mbyllura nuk kanë kufizim të orarit, por duhet të respektojnë nivelin e lejuar të zhurmës, në mënyrë që të mos shkaktojnë shqetësim në komunitet. Policia Bashkiake u bën thirrje operatorëve dhe menaxherëve të lokaleve në kryeqytet që të respektojnë orarin dhe nivelin e zhurmave. Policia Bashkiake bën të ditur se do të ushtrojë kontrolle çdo ditë për të siguruar qetësi dhe zbatimin e standardeve për zhurmat në Tiranë, si dhe do të marrë masa sipas ligjit, ndaj atyre që thyejnë normat. Për të gjitha rastet që do të konstatohet shkelja e dispozitave të ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”, parashikohet marrja e masave administrative, dënim me gjobë deri në 2 milionë lekë dhe pezullim të aktivitetit gjenerues të ndotjes akustike.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›