E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hepatitet, shtohet numri i të prekurve

20/05/2010 Çdo vit zbulohen rreth 700 pacientë të rinj të prekur nga hepatiti B, ose verdhëza

Rreth 400 pacientë të prekur shoqërohen edhe me shfaqjen e kancerit të mëlçisë

Popullata shqiptare po preket gjithnjë e më shumë nga sëmundjet infektive të natyrave të ndryshme. Sipas mjekëve, kohët e fundit po shtohet në përmasa shqetësuese numri i pacientëve mbartës të hepatiteve virale B dhe C. Mbartja e këtyre viruseve bëhet shkak për rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientit deri në shfaqjen e sëmundjeve të tjera të rënda që kanë risk të lartë mortaliteti. Çdo vit pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” evidentohen 600 deri në 700 pacientë të rinj të prekur nga hepatiti B, ose verdhëza, siç njihet ndryshe. Megjithatë, më shqetësues është fakti se numri i pacientëve që janë mbartës të kësaj sëmundjeje mund të jetë disa herë më i lartë, por që mbeten të pazbuluar. Kjo për shkakun e vetëm se sëmundja e hepatit B zhvillohet gradualisht për vite të tëra pa shenja apo simptoma dalluese, çka e bën të vështirë zbulimin në stade kur mund të ndërhyhet me trajtimet përkatëse. Pjesa dërrmuese e pacientëve mbartës e zbulojnë praninë e kësaj sëmundjeje pas moshës 40-vjeçare, ndërkohë që mund të kenë vuajtur prej saj për vite të tëra më parë. Përkundrejt këtij fakti mjekët kanë lëshuar gjatë ditës së djeshme apelin për kryerjen e vizitave te mjeku specialist nga të gjitha moshat, veçanërisht ata mbi 16 vjeç, që nuk kanë marrë vaksinën përkatëse.

Situata

Në gjuhën e shifrave pohohet se jo pak, por 8 për qind e popullsisë së rritur në vend rezulton të jetë prekur nga hepatiti B, që ndryshe njihet si verdhëza. Mjekët specialistë shprehen se numri i të prekurve vjen në rritje çdo ditë, ndërkohë që përjashtim në këto raste bëjnë vetëm moshat nën 16 vjeç, që janë të vaksinuar e të mbrojtur nga marrja e kësaj sëmundjeje. Shefi i shërbimit të gastrohepatologjisë në QSUT Jovan Basha ka pohuar gjatë ditës së djeshme se pranë këtij shërbimi paraqiten çdo vit rreth 700 pacientë mbartës, ndërkohë që 400 prej tyre manifestojnë edhe kancer të mëlçisë, që shkaktohet në masë nga hepatiti C. Kontingjenti më i rriskuar janë ata që bëjnë transfuzion të gjakut, të burgosurit, që duhet të testohen, por edhe ata që janë narkotike. "Praktikisht popullsia deri në 16 vjeç është e vaksinuar në Shqipëri. Pjesa tjetër, veçanërisht personat e rriskuar, ata që marrin transfuzione, ata që përdorin drogë intravenoze, ata që kanë sjellje jonormale seksuale, studentët, të burgosurit, duhet të tregojnë kujdesin maksimal për kryerjen e ekzaminimeve përkatëse për zbulimin e hershëm të sëmundjes”, - ka pohuar Basha.

Trajtimi

Parandalimi i hepatiteve dhe shqetësimeve që sjellin këto të fundit mund të bëhet nëpërmjet marrjes së vaksinës përkatëse. Por ndërkohë kërkohet edhe përfshirja e disa medikamenteve në listën e rimbursimit për kategori që e kanë zbuluar sëmundjen në faza të rënduara, kur shërimi i saj i plotë është i pamundur. Por nëpërmjet marrjes së medikamenteve mundësohet rritja e cilësisë së jetesës. E rëndësishme, sipas mjekëve, është trajtimi i sëmundjes pa kaluar në fazat kronike.

Po ashtu lidhur me masat parandaluese është menduar futja e vaksinës së detyruar deri në moshën 18 vjeç. Dje mjekët kanë apeluar për ndërgjegjësimin e popullatës, në veçanti për grup-moshën 20-40 vjeç, që të bëjnë herë pas here analizat.

Hepatiti B është sëmundje virusale infektive, që dëmton mëlçinë e zezë.

- Rrugët e transmetimit të këtij virusi kalojnë nga

nga nëna mbartëse te fëmija i porsalindur.

- Në kontakt të afërt, në familje, konvikt, ushtri, shkolla etj.

Infektimi është i mundshëm kur përdoren nga shumë njerëz krehri, furça e dhëmbëve, makina dhe brisku i rrojës, gërshërë dhe pajisje të tjera, që dëmtojnë qoftë edhe minimalisht tërësinë e lëkurës.

- Me kontakt seksual, tipike për të rinjtë që janë në rritje.

- Nëpërmjet rrugës së gjakut, bërjes së tatuazheve, shpimit të veshëve, përdorimit të lëndëve narkotike si dhe nëpërmjet manipulimit me mjete jo sterile.

Parandalimi mund të bëhet vetëm me marrjen e vaksinës mbrojtëse

Hepatiti C

Hepatiti C është infeksion viral i mëlçisë, gjithashtu dhe shkaku kryesor i formimit të kancerit në mëlçi, verdhëzës dhe vdekjes nga helmimi i gjakut. Deri më sot për këtë lloj hepatiti nuk ka asnjë vaksinë, por mjekimi bëhet me disa ilaçe antivirale. Fillimisht është e vështirë të kuptohet ky lloj virusi, për vetë faktin se ka shumë pak shenja klinike. Disa nga simptomat karakteristike janë: lodhja, ankthi, depresioni, pakësimi i oreksit, zverdhja e sklerave të lëkurës. Po kështu shenja të tjera që shfaqen nga ky virus janë edhe të përzierat, të vjellat, dhimbje muskujsh dhe artikulacionesh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›