E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet Genci!

Shpesh është dëgjuar se disa nga këngëtarët kosovarë kanë kopjuar këngë prej këngëtarëve të ndryshëm nga shtetet e tjera, të cilat më pas janë bërë hite në vendin tonë.
Por, tashmë edhe kosovarët po kopjohen nga të tjerët.

Kështu, këngëtarja e njohur serbe, Sladja Delibasiç në Serbi ka plasuar këngën që titullohet ‘Slikaj me 2010’, e cila tashmë është bërë hit në shtetin fqinj.

Por, me përjashtim të tekstit, kjo këngë është krejtësisht e njëjtë me këngën ‘Adios’, që e këndon Dafina Zeqiri, por e cila këngë në tërësi është punuar nga producenti kosovar Genc Prelvukaj.

Ky i fundit ndihet i zhgënjyer me këtë rast, pasi i është keqpërdorur e drejta e tij që e posedon mbi këngën. Veprimin e këngëtares serbe, Prelvukaj e quan veprim shumë negativ dhe të ligë. Përndryshe, Prelvukaj është njëri prej producentëve që kohëve të fundit fuqishëm po e ngrit zërin që në Kosovë të mbrohen të drejtat autoriale.

“Çdo këngë që bëhet ka autor. Çdo komponim, orkestrim e tekst ka një emër pas. Kënga edhe pse këndohet nga një këngëtar apo këngëtare, nuk do të thotë që autori shet të drejtën e këngës. Ajo është e patjetërsueshme dhe e pacenueshme në çfarëdo rasti”, tha Prelvukaj për Express. Ai ndihet i dëmtuar me këtë rast, apo, siç thotë ai, që kënga e tij është vjedhur nga Sladja Delibasiç.

“Kënga ‘Adios’ është krijim komplet i imi dhe Dafina Zeqiri ka qenë vetëm e autorizuar ta këndojë. Nëse dikush dëmtohet nga huazimi pa të drejtë (vjedhja), normalisht që në rend të parë është autori, sepse autorit i keqpërdoret e drejta që e posedon mbi këngën”, thotë Prelvukaj.

“Unë e dëgjova këngën e marrë pa të drejtë nga këngëtarja serbe dhe nuk kishte as një dallim të vetëm nga kënga ‘Adios’, përveç tekstit. Veprimet e tilla unë i vlerësoj shumë negative, pa marrë parasysh nga cila anë vijnë”, shtoi ai.

Prelvukaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i iniciojë procedurat ligjore ndaj këngëtares serbe, ndonëse ai është skeptik se do funksionojë drejtësia në këtë rast.
“Keqpërdorimi gjithmonë vlerësohet negativisht, pa marrë parasysh se nga cila anë apo nga kush vjen. Do ta shoh se çfarë mund të bëhet juridikisht, edhe pse jam skeptik në këtë rast”, përfundoi Prelvukaj.

Kënga “Adios” e punuar nga Genc Prelvukaj

Kënga e vjedhur nga këngëtarja serbe “Slikaj me 2010”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›