Heq dorë edhe Gjinali
Klubi i Lirisë po vazhdon të braktiset, pas krizës financiare që e ka kapluar muajve të fundit. Behajdin Gjinali është larguar nga posti i trajnerit, pas ikjes së gjashtë futbollistë kryesorë.
Këtë vendim trajneri prizrenas e ka marrë pasi nuk ndihej i gatshëm që edicionin e ri ta niste pa futbollistët, të cilët në kampionatin e kaluar kishin bartur barrën kryesore.
“Unë me kohë pata paralajmëruar se do të largohem nga posti i trajnerit, nëse nga ekipi largohen lojtarët kryesorë. Meqenëse gjashtë futbollistë kyç veç u larguan, vendosa të largohem edhe unë”, deklaroi Gjinali për Express, i cili me Lirinë vitin e kaluar e pati fituar Kupën e Kosovës.
Megjithatë, Gjinali do të vazhdojë të mbetet pjesë e këtij klubi. Ai do ta udhëheqë ekipin junior të Lirisë, të cilën pozitë e mbante deri më tani Ali Maralusha. Ky i fundit e ka fituar besimin e anëtarëve të bordit të klubit që ta zëvendësojë Gjinalin në postin e trajnerit.
“Kemi bërë një ndërrim vendesh me marrëveshje. Behajdin Gjinali ka kërkuar të kalojë në skuadrën e juniorëve, ndërsa bordi i ka dhënë besimin që së paku një vit Ali Maralusha të drejtojë skuadrën si kryetrajner”, ka thënë drejtori i klubit, Hatmi Gashi.
Në anën tjetër, trajneri i ri i Lirisë, Ali Maralusha, shpreson që nën udhëheqjen e tij skuadra bardh e zi ta tejkalojë krizën në të cilën gjendet aktualisht.
“Është nder, por njëkohësisht përgjegjësi e madhe të drejtosh klubin nga kjo pozitë. Shpresoj që bashkërisht të bëjmë punë të mirë dhe të nxjerrim fryte. Jemi në fazën e konsolidimit-përtëritjes së skuadrës, andaj është sfidë e madhe për mua. Pres përkrahjen e të gjithëve në klub”, ka thënë Maralusha për ueb faqen zyrtare të klubit.
Deri tash nga Liria janë larguar gjashtë futbollistë: Roland Duraku, Debatik Çarkaxhija, Alban Dylazeka, Fatih Karahoda, Luigj Buqaj e Agron Skeraj, të cilët iu bashkuan Vëllaznimit.
Ndërsa futbollistët e mbetur të Lirisë kanë vendosur të presin edhe pak, para se të vendosin për ta braktisur përfundimisht apo jo ekipin prizrenas. Kryesia e klubit ua ka borxh atyre pesë rroga. Gjysma e këtij borxhi u ishte premtuar se do të shlyhej të shtunën që shkoi, por kjo nuk ka ndodhur, derisa futbollistët ende janë në pritje.