Lë Finlandën për Kosovë

Edhe pse shumica e futbollistëve ëndërrojnë që nga Superliga e Kosovës të transferohen nëpër skuadra tjera evropiane, Berat Grabovci ka vepruar në të kundërtën.
Sulmuesi kosovar nga Finlanda është kthyer sërish në Kosovë për t’i mbrojtur ngjyrat e Dritës. Grabovci të martën ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin gjilanas, me mundësi vazhdimi.
Ai së fundmi është aktivizuar në ligën e dytë të Finlandës (Ykkonenme), në ekipin PK-35, i cili po synon të inkuadrohet në elitën e futbollit finlandez (Veikkausliiga).
“Kontrata me PK-35 më skadoi. Unë refuzova ta vazhdoj kontratën me PK-35, sepse ky klub më parë e ka penguar transferimin tim në një klub tjetër. Andaj vendosa të kthehem në Kosovë dhe arrita marrëveshje me Dritën”, deklaroi Grabovci për Express.
Kështu, ish anëtari i KEK’ut ndihet i kënaqur pasi në sezonin e ri do t’i mbrojë ngjyrat bardh e kaltër të klubit gjilanas.
“Drita është një klub shumë i mirë. Ky ekip është riorganizuar mirë dhe ka një trajner të mirë, një kryesi po ashtu të mirë, por edhe lojtarë cilësorë. Jam i kënaqur me kushtet që m’i ofroi klubi dhe pa hezitim pranova ofertën. Bisedimet i kemi përfunduar me sukses me drejtuesit e Dritës, kështu që shpejt do t’i nisi stërvitjet me ekipin”, theksoi ai.
Grabovci mbetet me shpresë që t’u ndihmojë gjilanasve të ngjiten sa më lart në tabelën e klasifikimit në edicionin e ri, i cili nis më 20 gusht.
Mirëpo, Drita nuk e ka të sigurt nëse Grabovci do ta bartë fanellën e saj gjatë gjithë kampionatit, apo vetëm në stinorin vjeshtor.
“Sigurisht se unë do ta shqyrtoj mundësinë që në afatin kalimtar të janarit sërish të transferohem në ndonjë klub tjetër finlandez apo gjerman. Nëse gjej angazhim, Drita nuk do të më pengojë të dal jashtë Kosovës”, përfundoi ish futbollisti i KEK-ut.
S’ndalet Drita, rikthen Osmanin
Drita është skuadra më aktive deri më tani në këtë verë në aspektin e përforcimeve. Përveç Berat Grabovcit, gjilanasit të martën në skuadrën e tyre e kanë rikthyer edhe Florent Osmanin.
“E kemi rikthyer edhe Florent Osmanin, i cili edhe në të kaluarën ka qenë futbollist i Dritës”, tha për Express kryetari i klubit gjilanas, Sedat Pajaziti.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Drita është përforcuar edhe me dy futbollistë tjerë, të cilët i transferoi nga Hysi. Fjala është për Përparim Osmanin e Labinot Jetullahun.
Më parë, gjilanasit e patën huazuar nga klubi turk Kasimpasa mbrojtësin Anit Senguler, i cili në vitin 2005 ishte pjesë e Galatasarayt. Drita kishte nënshkruar kontratë edhe me futbollistin e deritanishëm të Drenicës, Samir Ramizi dhe atë të Rahovecit, Bashmir Gashi, ndërsa ka angazhuar edhe dy lojtarë të rinj nga Tërnoci i Bujanovcit.