E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadrin e vërshojnë ofertat

Bashkim Kadri po vëzhgohet me të madhe nga klubet evropiane. Ai pëlqehet shumë nga skuadrat gjermane, në mesin e të cilave është edhe kampioni Borussia Dortmund. Por, 20 vjeçari pret të zhvillohet edhe më shumë në Odense, përpara sfidave që e presin. Nga Express më 03 gusht 2011 në ora 11:26

Sulmuesi i klubit danez Odense, Bashkim Kadri është bërë objektiv i shumë skuadrave. Talentin shqiptar po e vëzhgojnë nga afër skautë të ndryshëm, mbi të gjitha nga klubet gjermane.

Në ndeshjen e parë që Odense e zhvilloi në Ligën e Kampionëve ndaj Panathinaikosit, përfaqësues të klubeve të ndryshme evropiane kanë qëndruar në stadium për ta parë futbollistin me pasaportë daneze. Këtë e ka konfirmuar babai dhe njëherësh menaxheri i tij, Benny Kadri.

“Ka interesim të madh të klubeve për të, këtë mund ta pranoj. Kam pasur shumë kontakte dhe marr shumë oferta nga klube të ndryshme për Bashkimin. Më së shumti e ndjekin klubet gjermane nga afër në stadium. Ato kanë përshtypje të mira për të”, deklaroi Kadri senior për ueb faqen daneze ekstrabladet.dk.

Duket se njëra nga skuadrat që e kërkon me ngulm përfaqësuesin U-21 të Danimarkës është edhe kampioni aktual i Gjermanisë, Borussia Dortmund, e cila e kërkonte 20 vjeçarin edhe tri vjet më parë.

Por, duket se futbollisti ofanziv do të mbetet edhe këtë sezon në Danimarkë. “Odense është vendi i duhur për të. Ai ka kontratë edhe tri vjet, kështu që i nevojitet të luajë ende këtu dhe të zhvillohet, përpara sfidave që e presin”, vazhdoi Benny Kadri.

Kadri ishte transferuar në Odense në vitin 2009 nga ekipi i ligës së dytë daneze B93, ku luante katër vjet. Së fundmi, ai ka deklaruar se ka fituar vetëbesim dhe ndihet i sigurt me vetveten, mbi të gjitha pas paraqitjes së mirë që pati në Evropianin U-21 me Danimarkën. Kadri shënoi gol fundjavën që shkoi në barazimin e Odenses 2:2 me AGF Aarhus.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›