E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heq përgjegjësinë

Ambasadori amerikan, Christopher Dell hedh poshtë çfarëdo implikimi të tij në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Thotë se Behgjet Pacolli u bë President, për shkak se AAK’ja refuzoi t’i bashkohet koalicionit qeverisës. Komunikimi nëpërmjet SMS-ve, ndërkaq, konsideron se ka të bëjë jo me të, por me “dy individë të tjerë”. Nga Express më 26 shkurt 2011 në ora 10:38

Ambasadori amerikan, Christopher Dell, mohon të ketë pasur ndonjë rol në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

“Unë kam qenë dëshmitar i këtij procesi, kam ndenjur ulur në galerinë e Kuvendit nga ora 2:30 e pasdites, derisa ka përfunduar e gjitha, në orën 8 të mbrëmjes, duke e lëshuar sallën gjatë kësaj kohe vetëm një herë, thënë të vërtetën - për të shfrytëzuar tualetin. Për çështjet e tjera, këto janë procese që janë bërë nga politikanët, respektivisht liderët e këtij vendi, në pajtim me rregullat dhe Kushtetutën në Parlament”, ka thënë Dell në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Duke komentuar çështjen e komunikimit me SMS dhe të thirrjes telefonike të realizuar nga ai, që janë publikuar në media, Dell është shprehur:

“Nuk e di për çfarë mund të ketë qenë thirrja telefonike. Sa për tekstet e SMS-ve, ato janë tekste ndërmjet dy individëve të tjerë, të cilët, natyrisht, janë të lirë të shkruajnë, komentojnë dhe të thonë ç’të duan, pavarësisht nëse ato e pasqyrojnë realitetin”.

Sipas numrit një të SHBA-së në Prishtinë, “personi që mbase është më përgjegjësi pse Behgjet Pacolli është president sot, është duke ndenjur në qelinë e burgut në Hagë”.
“Fakti që AAK’ja për arsye të veta zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës, e bëri pothuajse të pashmangshme që president të bëhet Behgjet Pacolli”, ka theksuar Dell.
Duke folur rreth reagimit të partive opozitare ndaj zgjedhjes së presidentit, Dell ka thënë se nuk i takon atij t’i gjykojë çështjet kushtetuese.

“Nëse ka ndonjë problem në këtë drejtim, atëherë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që vendos për këtë çështje. Deri diku nuk jam edhe aq i befasuar, sepse puna e opozitës është të kundërshtojë. Sidoqoftë, jam i zhgënjyer më shumë me natyrën mendjelehtë të kundërshtimeve ndaj kësaj qeverie”.

Sipas tij, opozita do t’i bënte nder vetes dhe Kosovës nëse vëmendjen e përqendron më pak te loja me fjalë për procedurat, e më shumë te sfidat e vërteta, me të cilat ky shtet duhet të përballet: sundimi i ligjit, korrupsioni, zhvillimi ekonomik dhe prodhimi, krijimi i vendeve të punës për njerëzit, kujdes më të mirë shëndetësor për të moshuarit, arsimi për fëmijët e Kosovës. “Nuk besoj se opozita po i bën vetes ndonjë nder, duke vazhduar të luajë një politikë me përqendrim te çështjet procedurale”.

Shumë i kënaqur me Qeverinë

Ambasadori Dell është shprehur shumë i kënaqur me përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Sipas tij, ka ndodhur një “transformim i jashtëzakonshëm”.
“Mediat këtu, me përqendrimin e tyre në raportimet sensacionale të ditëve të fundit, me të madhe e kanë anashkaluar transformimin e jashtëzakonshëm që ka zënë vend. Është shumë e dobishme të kthehemi prapa dhe të shikojmë fotografitë e kabinetit që mori pushtetin me rastin e pavarësisë, në vitin 2008. Po të bëjmë krahasimin me sot, do të jemi dëshmitarë të një lëvizjeje në gjenerata. Ka ndryshime të shquara në fytyrat e kësaj qeverie, në fakt janë shumë pak që kanë mbetur nga qeveria e kaluar. Kryeministri, zëvendëskryeministri Kuçi dhe njëri nga ministrat serbë janë personat e vetëm, të cilët mendoj se kanë qenë në kabinetin e kaluar”, është shprehur Dell.
Sipas tij, kjo jo vetëm që përfaqëson një qeveri me duar të pastra, por gjithashtu një qeveri që pasqyron ndryshim realitetesh në Kosovë. “Është një lëvizje më tej nga politika e gjeneratës së luftës, deri te një gjeneratë njerëzish të rinj, të cilët janë duke zënë vendin e tyre të duhur në këtë shoqëri”.

Pacolli t’i adresojë shqetësimet rreth Rusisë

I pyetur rreth disa shqetësimeve që janë ngritur edhe publikisht mbi lidhjet e Behgjet Pacollit me Rusinë, Christopher Dell ka thënë se, në fakt, ato janë shqetësime që duhet t’i adresojë vetë Pacolli.
“E di që kjo çështje është brengosëse për shumë kosovarë. Besoj se edhe presidenti vetë është i vetëdijshëm për këtë dhe e kupton se ka nevojë t’i sigurojë njerëzit në këtë rrafsh”, ka thënë Dell.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›