Lehtësime për bizneset
Rekomandimet e Bankës Botërore, për përmirësimin e fushave për bërjen e biznesit, kanë filluar të gjejnë zbatim në Kosovë. Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë ka përgatitur draftin e parë të dokumentit për përmirësimin e legjislaturës në fushën e krijimit të biznesit, marrjen e lejes ndërtimore, zbatimin e kontratave, tregtinë përtej kufijve dhe mbrojtjen e investuesve. Këto pesë fusha, të cilat kanë nevojë për ndryshime, i ka identifikuar vitin e kaluar Banka Botërore. Tani me formimin e Qeverisë, dy ekspertë të BB pritet t’i vijnë në ndihmë Komisionit Ndërministror të këtij projekti për finalizimin e këtyre dokumenteve. Dokumenti unik pritet që në fund të muajit maj t’i dorëzohet Qeverisë për aprovim. Shkak i mosreformave në këto fusha, investimet e huaja direkte në vend kanë rënë nga viti në vit.
Ne vitin 2007, vlera e IHD-së në Kosovë ishte 414 milionë euro, në vitin 2008 350 milionë Euro, përderisa në vitin 2009 ato kishin rënë në 291 milionë euro. Mustafë Hasani, kryeshef i APIK’ut, thotë se kjo agjenci deri më tani së bashku me BB kanë punuar në disa dokumente sa i përket përmirësimit të klimës investive në vend. Ai tregon se është formuar një grup ministror për krijimin e një ambienti më të mirë për investime, i cili, sipas tij, tani me krijimin e Qeverisë do të jetë më aktiv. Hasani thotë se edhe një grup teknik është duke punuar vazhdimisht, i cili i ka në dispozicion 12 ligje, të cilat janë duke u ndryshuar. “Është punuar drafti i parë i dokumentit për përmirësimin e legjislacionit në pesë indikatorë nga dhjetë të “Doing Business” si dhe vlerësimi i lejeve dhe licencave në nivelin qendror e lokal”, thotë kryesuesi Hasani.
Ai shpreson se këto ndryshime do të kenë efekte pozitive në klimën invesitve në vend. Përderisa në muajin maj dokumenti unik me ndryshime do t’i dërgohet Qeverisë për miratim.
Sipas marrëveshjes me BB, ai tha se dy ekspertë ndërkombëtarë të ekipit “Doing Business” pritet të vijnë tani pas krijimit të Qeverisë së re. Këta ekspertë, sipas tij, do të punojnë në finalizimin e dokumenteve të lartcekura dhe koordinimin e grupit ndërministror.”Qëllimi final do të jetë nxjerrja e një dokumenti të përbashkët me rekomandime për ndryshime të nevojshme për krijimin e një klime më të mirë investive, i cili dokument do t’i propozohet Qeverise për aprovim”, ka thënë Hasani.
Projekti për përmirësimin e biznesit në Kosovë, i financuar nga Banka Botërore, pritet të sjellë reforma në pesë fusha ekonomike gjatë këtij viti. Këto reforma kanë ardhur si shkas për tërheqjen e investimeve të huaja. Ishte premtuar se këto reforma do të fillonin në muajin janar.
Por, kriza institucionale ka ndërprerë punën e ekipit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bashkë me atë të Bankës Botërore për të përgatitur dokumentin unik për ndryshimet që pritet të bëhen. Investimet e huaja direkte në Kosovë që nga viti 2007 kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Në vitin e kaluar vlera e tyre nga 350 milionë që ishte në 2008, kishte rënë në 291 milionë euro. Kosova është e radhitur në vendin e 119-të për bërjen e biznesit. Duke marrë parasysh faktin se ky raport vlerësohet si një ndër raportet më prestigjioze nga investitorët e huaj, edhe janë paraparë këto ndryshime. Për vitin 2011, Kosova zë vendin e 163-të në fushën e themelimit të biznesit, 173 për marrjen e lejeve ndërtimore, 155 për zbatimin e kontratave, 130 në tregtinë ndërkufitare dhe vendin e 173-të për mbrojtjen e investitorëve. Kriza e krijuar institucionale kishte ndërprerë punën e këtyre ekipeve. Ngutja se pse ata duan që në këtë kohë t’i përfundojnë ndryshimet është sepse Raporti i Bankës Botërore “Doing Business” publikohet në muajin nëntor të këtij viti.