Heqja e barrikadave, KFOR-i do të presë dimrin

Trupat e NATO-s në Kosovë nuk kanë ndërmend që të shpejtojnë për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri të vendit. Misioni i KFOR-it tashmë ka planin se si do t`i largojë barrikadat.
Stina e dimrit, kur pritet që edhe të ftohet koha dhe të bien temperaturat, shihet si opsioni më i mirë kur KFOR-i do të mund t`i largojë më lehtë barrikadat dhe pa shkaktuar ndonjë viktimë të mundshme.
Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i lartë ndërkombëtar që merret me çështje të sigurisë në Kosovë, në kushte anonimiteti, i cili ka sqaruar se KFOR-i do të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë pavarësisht sa kohë merr arritja e këtij objektivi, shkruan Zëri.
“KFOR-i ka fuqinë për shkatërrimin e barrikadave, por nuk ka ndërmend t`i largojë ato me forcë pasi ata kanë plane të tjera, të cilat janë të bindur se do t`i realizojnë me sukses”, ka thënë ky zyrtar.
Njëra nga taktikat e këtij misioni ushtarak, sipas këtij zyrtari, është që të pritet kalimi i kohës gjatë së cilës serbët që aktualisht po qëndrojnë pranë barrikadave, të lodhen nga kjo situatë.
“Nëse duam t`i largojmë barrikadat, KFOR-i ka të gjitha kapacitetet për të bërë një gjë të tillë, por aktualisht po presim që qytetarët e veriut të lodhen tej mase nga udhëheqësit e grupeve që po vendosin barrikadat dhe po i detyrojnë të rrinë aty”, ka sqaruar ky zyrtar ndërkombëtar.