Rexhepi paralajmëron arrestime pas heqjes së barrikadave

Përfundimi i aksionit në zhvillim për heqjen e barrikadave në veriun e banuar me serbë do të pasohet me dy të tjera. Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar aksionin e radhës, atë për sundimin e ligjit në veri, që do të pasojë atë të zhbllokimit të rrugëve.
“Pas heqjes së barrikadave prioritet do të jenë zbatimi i rendit dhe ligjit. Njerëzit që kanë bërë vepra kriminale, për të cilat ka akuza dhe fletarreste, do të vihen para drejtësisë”, i ka thënë “Kohës Ditore” ministri Rexhepi. “Dhe kjo do të ndodhë në një afat të shkurtër. S`mund të japim data, sepse duhet të bisedojmë dhe t`i koordinojmë punët. Duhet një plan” ka shtuar më tej Rexhepi.
Në veri të Mitrovicës dhe në tre komunat e tjera të veriut të banuara kryesisht me serbë, Leposaviç, Zveçan e ZubinPotok, Kosova nuk ka mundur të shtrijë autoritetin e saj kushtetues, prej më shumë se tre vjetësh që kur ka shpallur pavarësinë.
Në këtë pjesë banorët përfaqësohen nga njerëz që kanë marrë pushtetin nëpërmjet zgjedhjeve që Serbia ka mbajtur ilegalisht në Kosovë dhe shërbimet publike bëhen nëpërmjet institucioneve publike të Serbisë.