Heqja e imunitetit, LSI apel forcave politike për ta votuar në Kuvend

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim u ka bërë dhe një herë apel forcave politike për gjetjen e konsensusit pëtr heqjen e imunitetit. Sekretari i kësaj partie, Luan Rama në një konferencë për mediat ka përsëritur dhe njëherë qëndrimin e e LSI se imunitetit duhet ti jepet fund brenda dyerve të parlametit. Sipas Ramës asnjë inat dhe interes parcial nuk mund të dalë para interesave të vendit, duke ftuar deputetët e PS të vijnë në Kuvend dhe të votojnë heqjen e imunitetit, për ti hapur rrugë dhe marrjes së statusit kandidat.
“Heqja e imunitetit mund të realizohet në Kuvend, aty mund të arrihet konsensusi. Ftoj deputetët e PS të vijnë në Kuvend dhe të votojmë heqjen e imunitetit. Të lëmë mënjanë inatet dhe interesat parciale dhe të përmbushim kushtet që kërkon BE. Heqja e imunitetit është kusht i qartë për marrjen e statusit të BE në tetor” tha ai.
Sekretari i LSI e ka konsideruar të pamundur alternativën e dytë, të hedhur nga Kryeministri i vendit per heqjen e imunitetit me referendum, pasi sipas tij mbajtja e tij nuk krijon mundësi për heqjen e imunitetit para tetorit, kur jepet dhe opinioni për statusin.
Ndërkaq ai ka hedhur poshtë dhe aludimet për një pazar politik LSI-PD për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, duke u shprehur se zgjedhja e tij nuk mund të jetë çështje e interesave partiake, ndërsa ka shtuar se LSI është pjesë e mazhorancës për të kontribuar në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe jo për të bërë marrëveshje që bien në kundërshtim me të.