E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit, nis diskutimi në Kuvend

Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve eshte mbledhur sot në seancën e parë për të diskutuar ndryshimet në Kushtetutë lidhur me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Seanca e sotme është e para ndër dy që janë planifikuar që të zhvillohen përpara se Parlamenti të marrë vendim. Në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli u shpreh: Në fakt, Komisioni i Ligjeve është i mbingarkuar. Nesër në Këshillin e Legjislacionit, bashkë me Komisionin e Ligjeve, do të punojmë për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Të shtunën do të kemi dëgjesën me grupet e interesit dhe akademikë, profesorë e konstitucionalistë për propozimet e ardhura.

Të shtunën është planifikuar që të zhvillohet një seancë dëgjimore me konstitucionalistët lidhur me propozimet e maxhorancës.

PROPOZIMI

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të depozitojë sot në Kuvend propozimet për kufizimin e imuniteteve. Në Komisionin e Ligjeve që do të mblidhet sot, deputetët e PS do të argumentojnë domosdoshmërinë e bashkimit të dy propozimeve, ndonëse debati dhe votimi për to mund të bëhet në kohë të ndryshme.

Në draftin e PSsë propozohet marrja në mbrojtje e deputetëve vetëm në ato raste kur janë duke ushtruar detyrën si përfaqësues të popullit, kur shprehin opinionet dhe votën e tyre. Në rast se kërkohet arrestimi, ai duhet të kryhet me lejen e Kuvendit me përjashtim të rasteve kur deputeti kapet në krim e sipër apo menjëherë sapo ka konsumuar kryerjen e krimit. Propozimet e PS-së që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, parashikojnë të drejtën e imunitetit nga cilido gjyqtar për vendimet dhe opinionet që ata shprehin gjatë kryerjes së detyrës, duke i zhveshur nga çdo lloj imuniteti tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›