Skandali i uniformave të ushtrisë: Imami ka paracaktuar fituesin
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka paracaktuar fituesin e tenderit të uniformave të ushtrisë, duke vendosur një kriter formal që e plotëson një kompani e afërt me të. Në tenderin e zhvilluar më 9 korrik në Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e uniformave ushtarake, është përcaktuar si kriter që operatori ekonomik duhet të ketë përvojë te suksesshme në ekzekutimin e furnizimeve të ngjashme (uniforma te Forcave te Armatosura të vendeve anëtare të NATO-s) të paktën në një vlerë prej 573.500.000 (pesëqind e shtatëdhjetë e tre milion e pesëqind mijë) lekë, të realizuara gjatë tre viteve të fundit të aktivitetit të operatorit. Për të vërtetuar këtë kriter operatori ekonomik duhet të paraqesë kontrata të ngjashme të realizuara në tre vitet e fundit (2009, 2010, 2011) të shoqëruara me vërtetimin e lëshuar nga investitori për realizimin e kënaqshëm të kontratës.
Ky kusht (i shpjeguar në kllapa), praktikisht përjashton çdo firme shqiptare, pasi Shqipëria në 2008 u pranua në NATO. Madje, duke u vënë kushti i mësipërm, asnjëherë nuk do të arrijnë firmat vendase të furnizojnë ushtrinë me uniforma. Fondi limit është 10 milionë euro.
Gazeta Tema ka denoncuar disa ditë më parë se një kompani e afërt me ministrin Imami po merr çdo tender në ministri të Mbrojtjes qyshkurse ai është bërë ministër, ndërsa diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin në rritje për korrupsionin në ushtrinë shqiptare.
Shqipëria ka industri të zhvilluar konfeksionesh (industria fasone) që qep veshje cilësore të markave të njohura. Kjo industri nuk duhet të përjashtohet nga pjesëmarrja në tender. Është industri që ka shumë të punësuar, që ka bërë investime, që është në vështirësi si pasoje e krizës, që duhet të mbështetet, që nëpërmjet ushtrisë sonë të mund të furnizojë edhe ushtri të tjera anëtare të NATO-s.
Nëse 10 milionë euro të parave të taksapaguesve shqiptarë do të viheshin në dispozicion të kësaj industrie në 4 vitet e ardhshme, do të ishte ndihmë për ta, por edhe për punësimin.
Ndërkohë, dhe kushtet e tjera të vendosura duket se gati nuk identifikojnë me emër kompaninë që duhet ta fitojë. Sipas këtyre kushteve, operatori ekonomik duhet të jetë i certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare ISO 9001 2008 (Për menaxhimin e cilësisë); ISO 14001 (Për menaxhimin e ambientit), ISO 18001 2008 (Për sigurimin në punë), ISO 17025 2008 (Cilësia e lëkurës) dhe SA-8000 (Etika ne pune).
Pra, ministria, e cila ka lejuar tragjedinë e Gërdecit tani, kërkon si kritere që ai që prodhon uniforma të këtë certifikatë për Etike në Punë dhe për Sigurimin në Punë.
Renditja sipas ofertës ekonomike më të ulët është kjo:
1)EURO 2001 ME CMIM 1.151.984.432 LEKE PA TVSH.
2)FABRICA D ARMI PIETRO BERETA SPA ME CMIM 1.159.408.150 LEKE PA TVSH.
3)D&E SHPK ME CMIM 1.240.172.050 LEKE PA TVSH
4)UNIFORM SRL ME CMIM 1.245.342.608 LEKE PA TVSH
5)ILIRIA AÇESSORI SHPK ME CMIM 8.740.106 EURO PA TVSH.
6)KOAN SHPK ME CMIM 1.271.942.390 LEKE PA TVSH.
7)ODET BROSH ME CMIM 1.313.561.174 LEKE.
Këta janë 7 konkurrentet dhe dokumentet e tenderit janë përgatitur që firma D&E ta ketë më të lehtë fitimin e saj, në mënyre që asnjë firme vendase mos të afrohet. Kjo është arritur përmes një kushti formal për një certifikatë formale që kjo kompani ka siguruar dhe e ka shtuar përmes influencës së saj në ministri në kushtet e tenderit për të zhvlerësuar konkurrentët e tjerë.
Zyrtarëve të komisionit të tenderit u është bërë e qartë se dy kompanitë e para duhet të skualifikohen, pavarësisht çmimit të ulët. Pas denoncimit të gazetës Tema, zyrtareve u është bërë presion për nxjerrje informacioni dhe janë detyruar të firmosin 4 me 3 pro kompanisë që favorizon zoti Imami.
Firma D&E e ka zanafillën ditën kur për herë të parë Arben Imami u bë titullari i Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht dhe nga Buletini i Prokurimit Publik.
