Masakra në Pukë, AP padit shefin e Komisariatit

Forcat e Policisë në vendin e ngjarjes
Avokati i Popullit, Igli Totozani do të çojë në ndjekje penale shefin e komisariatit të Pukës, për rolin që policia ka luajtur në tragjedinë e 29 qershorit në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë, ku një familje e tërë u masakrua në pritë.
Rreth orës 11:00 AP do të dalë në një konferencë për shtyp për të dhënë më tepër detaje lidhur me ngjarjen, e cila duket se ka qenë e paralajmëruar.
Pritet që faktet që do të bëjë publike Avokati i Popullit, të jenë tronditëse, lidhur me rolin e policisë në ngjarjen e rëndë.
Ngjarja
Përfundon me masakër konflikti i vjetër për një kanal vaditës mes dy fiseve në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë.
Dy vëllezër u vranë në pritë dhe tre familjarë të tyre u plagosën ndërsa po ktheheshin nga një festë fetare. Hil dhe Paulin Markaj, 58 dhe 45 vjeç, u ekzekutuan me breshëri automatikësh nga të paktën 4 persona, të cilët lanë të lënduar dhe nipin e viktimave dy gratë e tyre.
Policia arrestoi të plagosur njërin prej autorëve të dyshuar dhe kushëririn e tij, Bardhok dhe Seferin Përmarkajn, ndërsa po kërkon bashkëpunëtorët. Sipas Policisë, një prej viktimave ka shkëmbyer zjarr për pak sekonda me autorët, derisa mbeti pa jetë.
Konflikti
Rreth 7 vjet më parë ka nisur konflikti për vijën e ujit mes dy fiseve. Nisur nga fakti se zona është me thatësirë, ata janë përplasur mes tyre për shfrytëzimin e kanalit për vaditjen e tokave. Sipas Policisë, prej asaj kohe dy palët janë rrahur disa herë mes tyre, por pas shoqërimeve ata janë lënë të lirë me pretendimin se nuk do të përsëriteshin më. Në të vërtetëtë përplasjet kanë vazhduar, derisa rasti më i fundit ishte në Kamzë dy javë më parë, kur u rrahën mes tyre kushërinjtë e dy fiseve, Markaj dhe Përmakaj.