Heqja e imunitetit të Mediut, sot mblidhet Këshilli i Rregullores
Kryetarja e Kuvendit njoftoi dje deputetët se kërkesa e Prokurorisë ka mbërritur në Kuvend
TIRANË- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin merr sot në shqyrtim kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për dhënie autorizimi për procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në zbatim të Rregullores së Kuvendit dhe detyrimeve që lindin prej saj, ka njoftuar dje në mënyrë zyrtare seancën plenare për mbërritjen e kërkesës së Kryeprokurores. "Njoftoj seancën se ka ardhur kërkesa nga Prokuroria për procedimin penal të z.Mediu",- i është drejtuar kryetarja Topalli deputetëve në mbyllje të seancës së djeshme, duke i hapur kështu rrugë mbledhjes së Këshillit. Ndërkohë, siç mësohet nga burime pranë Kuvendit, kryetarja do të thërrasë sot mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve për të prezantuar objektin e kërkesës dhe argumentet që paraqet organi i akuzës, në mbështetje të akuzave të ngritura ndaj kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Sipas Rregullores së Kuvendit, me kërkesë të kryeparlamentares Jozefina Topalli, Këshilli shqyrton çdo kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti të ndaluar ose të arrestuar. Ndërkohë, kryeprokurorja Ina Rama i kërkon Kuvendit autorizim për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu. Në letrën drejtuar Kuvendit ajo paraqet një sërë akuzash ndaj ish-ministrit për veprime dhe mosveprime të tij, që sollën si pasojë tragjedinë e Gërdecit. Sipas Ramës, "procesi i demontimit është nxitur nga ministri për përfitime të paligjshme për të tretët". Ajo shkruan në letër që ministri në këtë proces ka miratuar akte nënligjore, i orientuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private. Gërdeci si zonë demontimi, sipas Prokurorisë, është përcaktuar me urdhër të Mediut. Këto dhe shumë çështje të tjera të ngritura në këtë kërkesë, do të jenë pikërisht objekt i punës së Këshillit të Mandatave, i cili pjesë të punës së tij do bëjë dhe seancat dëgjimore me vetë të akuzuarin, ashtu edhe me akuzuesin. Në bazë të Rregullores, Këshilli, me një përbërje të barabartë midis pozitës dhe opozitës, në përfundim të shqyrtimit brenda 4 javëve do të hartojë një raport, të cilin do t'ia paraqesë seancës plenare, në të cilin pritet t'i rekomandojë rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Mediu. Por në rast se për çështjen konkrete do të ketë mirëkuptim midis deputetëve, Këshilli, ndryshe nga rasti "Basha" mund të mos shfrytëzojë të gjithë kohën e vënë në dispozicion dhe mund të paraqesë raportin e vet më parë në Parlament. Ndërkohë që raporti i Këshillit nuk mund të jetë objekt diskutimi në seancën plenare, pasi deputetët votojnë në mënyrë të fshehtë, me kuti, kërkesën për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit.