E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat, PDK drejt çarjes së plotë

 

Grupet kundërshtare brenda partisë vijojnë akuzat. Të premten mblidhet Këshilli Kombëtar

TIRANË- Akuzat ndërsjella mes drejtuesve të PDK-së dhe anëtarëve të kryesisë kanë çuar në një kërkesë zyrtare të kësaj partie për ndjekje penale ndaj zv/ministrit të Jashtëm, Anton Gurakuqi. "Duam të nënvizojmë se ky person, në mënyrë flagrante dhe pa asnjë skrupull, ka përdorur jashtë çdo norme ligjore dhe etike simbolet e PDK-së për interesat e tij personale politike. Z.Gurakuqi për veprimet e kryera mban përgjegjësi të plotë ligjore. Për këtë qëllim PDK ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës, kallëzimin penal kundër tij",- tha dje nënkryetari i PDK-së, Sokol Frroku. Megjithatë, me të njëjtën monedhë është përgjigjur dje edhe Anton Gurakuqi, në një konferencë paralele për shtyp të zhvilluar dje në mesditë. "Ndoka të mos dalë më në media, por të gjejë kurajon për të marrë pjesë në Kongresin e madh të datës 10 Maj, ku të japë llogari për drejtimin abuziv të partisë",- tha Gurakuqi. Ndërkohë, ish-kryetari i grupit parlamentar, Pashk Ujka tha se kryetari i PDK-së, Nard Ndoka duhet të japë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Partisë. Por krejt ndryshe e paraqesin panoramën politike, strukturat zyrtare të partisë. Nënkryetari i PDK-së, Sokol Frroku tha se asnjë nga personat e mbledhur dy ditë më parë nën drejtimin e Gurakuqit dhe Ujkës, nuk ishin anëtarë të kryesisë së PDK-së. "Këta persona ndër vite kanë qenë të përjashtuar nga vetë PDK. Shembull për këtë po sjellim drejtuesin e djeshëm të tryezës, Z.Kol Tonaj, i cili është përjashtuar nga ish/kryetari i PDK, Nikoll Lesi, sepse kandidoi kundër PDK dhe PD në Shkodër. I vetmi anëtar Kryesie legjitim dhe i pranishëm në atë takim, i cili ishte thjesht një shoë mediatik, ka qenë Z.Anton Gurakuqi", tha dje Frroku duke konfirmuar se kryetar legjitim i PDK-së, është dhe do të mbetet Nard Ndoka. Të premten pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar për të vendosur mbi masat që do merren ndaj Gurakuqit, Ujkës e Bushatit, por edhe disa anëtarëve të tjerë të kësaj partie, duke çuar kështu në një tjetër çarje të PDK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›