E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, ministri Hoxha: Forcon rrugën europiane të vendit, rrit besimin dhe stabilitetin në rajon

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka përshëndetur vendimin e BE-së për heqjen e të gjitha masave për Kosovën.

Me një postim në rrjetin social X, Hoxha ndërsa e cilëson hapin si të vonuar, thekson se vendimi i BE-së hap një kapitull të ri duke mundësuar qasje të plotë dhe pa pengesa në fondet e BE-së, asistencën dhe bashkëpunimin e gjithanshëm.

Ministri nënvizoi se avancimi drejt rrugës europiane të Kosovës, përfshirë shqyrtimin pa vonesë të aplikimit për statusin e vendit kandidat, do të kontribuojë drejtpërdrejt për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, duke rikonfirmuar njëkohësisht perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Mirëpresim vendimin për heqjen përfundimtare të të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Ky hap, edhe pse i vonuar, rikonfirmon qartë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit konstruktiv rajonal.

Vendimi i sotëm hap një kapitull të ri—duke mundësuar qasje të plotë dhe pa pengesa në fondet e BE-së, asistencën dhe bashkëpunimin e gjithanshëm. Ai kontribuon në rindërtimin e besimit dhe forcon më tej besueshmërinë e procesit të integrimit evropian”, shkruan Hoxha.

Një ditë më parë, Komisioni Evropian konfirmoi se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës. Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha Jiri Plecity, përfaqësues i Komisionit Evropian.

Gjatë debatit u shpreh keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik që përshkoi tërë vitin 2025.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›