E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave, Meta: Serbia, ende përgjigje pozitive

Qeveria shqiptare pret nga Serbia që edhe ajo të heqë vizat me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm Ilir Meta shpjegoi dje për mediat vendimin e qeverisë për heqjen e vizave me Serbinë, duke sqaruar se e njëjta gjë i është kërkuar edhe Serbisë. Meta pohoi: Ka qenë një kërkesë e veçantë e komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës, e drejtuesve atje, por edhe e studentëve të Preshevës që unë kam takuar para pak kohësh në Ministrinë e Jashtme, sepse ata si qytetarë të Serbisë kanë pasur një problem të madh me marrjen e vizave në ambasadën shqiptare në Beograd. Ne kemi kërkuar me Serbinë për të hequr vizat në mënyrë reciproke, natyrisht nuk kemi pasur ende një përgjigje pozitive nga ana e tyre. Ne jemi të hapur për liberalizimin e vizave, e kemi theksuar dhe më parë, brenda rajonit dhe jo vetëm me BE, sikurse kemi bërë edhe me vendet e tjera. Duke qenë edhe një kërkesë e komunitetit shqiptar në Serbi, por për më tepër edhe duke mos dashur të bëjmë një diskriminim për qytetarët e Serbisë me kombësi shqiptare nga qytetarët e tjerë të Serbisë, sepse jemi vend evropian, ne menduam të kalojmë një hap para Serbisë për këtë çështje dhe mendoj se nuk kemi bërë gabim, sepse treguam që jemi të hapur për një bashkëpunim pa komplekse me vendet e rajonit, - deklaroi z. Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›