E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, parlamentarëve maqedonas: Zbatoni Ohrin

Presidenti Bamir Topi u kërkoi dje ligjvënësve maqedonas që të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit. Gjatë fjalës që mbajti në Parlamentin maqedonas, z. Topi vuri në dukje se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është elementi kyç në stabilitetin e Maqedonisë në veçanti dhe rajonit në përgjithësi. Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet shembull i kompromisit jo vetëm politik, por edhe i paqes ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Topi pohoi më tej se zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Kjo kornizë e rëndësishme ligjore i ka paraparë të gjithë qytetarët e Maqedonisë të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës, duke u garantuar shqiptarëve të drejtat e tyre, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe të përdorimit të saj, të përdorimit dhe respektimit të simboleve kombëtare, historike e kulturore, të përfaqësimit të drejtë të tyre në institucionet e Maqedonisë dhe një zhvillim harmonik ekonomik në zonat dhe rajonet ku ata jetojnë dhe punojnë në të mirë të familjeve dhe të vendit të tyre, - theksoi z. Topi. Ndaj, sipas Presidentit shqiptar, realizimi në kohë e me sukses i marrëveshjes kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në Maqedoni dhe institucioneve të saj. Në fjalën e tij para ligjvënësve të Maqedonisë, Topi përveçse në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vende u përqendrua dhe në integrimin e këtyre dy vendeve. Të bindur se vetëm ndërtimi i marrëdhënieve miqësore, të fqinjësisë dhe bashkëpunimit është në interes të popujve dhe shteteve tona, gjatë viteve të shkuara kemi investuar shumë për përparimin e tyre, duke arritur sot këtë nivel të lartë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Shqipërisë e Republikës së Maqedonisë. Sipas Topit, politika e heqjes reciproke të vizave për qytetarët e dy vendeve ka shtuar bashkëpunimin në shumë aspekte. Presidenti vlerësoi gjithashtu se mirëbesimi mes popujve krijoi stadin që kufiri i përbashkët shqiptaro-maqedonas të kthehet në një kufi evropian, i sigurt dhe modern. Por, Topi theksoi se tu mundësosh qytetarëve integrimin, është një detyrë e përgjegjësi historike dhe se për këtë nuk ka kohë për të humbur. Ky është angazhimi ynë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe, njëkohësisht, mirënjohje për brezat e kaluar që iu përkushtuan paqes e demokracisë. Shqipëria, - tha Topi, - është një vend anëtar i NATO-s dhe një mik i sinqertë i Maqedonisë që mikpret anëtarësimin e këtij shteti në këtë union. Tashmë ju keni një mik të sinqertë dhe të përkushtuar brenda kësaj Aleance, e cila mirëpret anëtarësimin e vendit tuaj, - theksoi para ligjvënësve maqedonas Topi, duke shprehur njëkohësisht dhe arritjet e Maqedonisë në procesin e liberalizimit të vizave. Pak më herët Presidenti Topi u prit nga homologu maqedonas, Gjorgje Ivanov, dhe më pas nga Kryeministri Gruevski. Kreu i shtetit shqiptar nga Shkupi vuri në dukje se Maqedonia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë një rol kyç për stabilitetin rajonal në Ballkan. Synimi kryesor, sipas Ivanov dhe Topit, për Shqipërinë dhe Maqedoninë mbetet integrimi i dy vendeve në BE. Ivanov shprehu dëshirën që edhe Maqedonia të integrohet së bashku me Shqipërinë në strukturat euroatlantike të NATO-s. Duke u ndalur në stabilitetin e rajonit, Topi vlerësoi se Maqedonia e Shqipëria kanë rol kyç për këtë çështje. Në këtë pikë, Topi nga ana e tij bëri apel për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›