Heqja e vizave, Sllovenia dorë për Shqipërinë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë zyrtare në Slloveni, ku u takua me autoritetet më të larta të vendit dhe mori konfirmimin se Lubjana zyrtare do të mbështesë hapat shqiptare për liberalizimin e vizave dhe integrimin e plotë në BE. Në takimin me homologun e tij slloven, Samuel Zbogar, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, liberalizimi i vizave, si dhe roli që të dyja vendet luajnë në rajon ishin temat kryesore të bisedës, të cilat u bënë publike në një konferencë të përbashkët për shtyp. Meta vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe vlerësoi se rritja e marrëdhënieve mes dy vendeve është realitet, fakt që e konfirmoi edhe Zbogar. Gjatë konferencës për shtyp, Zbogar theksoi se Sllovenia mbështet fuqishëm procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën dhe shprehu bindjen se shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt zonës “Shengen” brenda vitit 2010. Ministri slloven shtoi se hapja e ambasadës sllovene në Tiranë, jo vetëm që tregon interesin e qartë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por do të japë një kontribut konkret në ngritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në një nivel shumë më të lartë. Ai shprehu vullnetin e Sllovenisë për të rritur në mënyrë konkrete nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe për të inkurajuar interesin e investitorëve sllovenë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjetikës, infrastrukturës, transportit dhe telekomunikacioneve. Meta shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme, që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe në procesin e integrimit euro-atlantik. Ministri shqiptar theksoi se tashmë ka ardhur koha që të dyja vendet të angazhohen konkretisht për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, dhe se hapja e ambasadës sllovene në Tiranë është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Meta dhe Zbogar konfirmuan vullnetin e përbashkët për mbledhjen së shpejti të Komisionit të Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike, si dhe për intensifikimin konkret të bashkëpunimit në nivelin dypalësh dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Meta u takua edhe me Presidentin e Sllovenisë, si dhe me kryetarin e Parlamentit. Ministri shqiptar e falënderoi Presidentin slloven, Danilo Turk, për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e inkurajimit konkret të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së, në rrugëtimin e tyre euro-atlantik. Meta tha se Shqipëria ofron shanse të mëdha për investitorët sllovenë, duke qenë se ajo i ka shpëtuar efekteve drastike të krizës globale ekonomike. Ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën që Sllovenia vazhdon të ofrojë për Kosovën, duke veçuar këtu kontributin e rëndësishëm të Presidencës sllovene të BE-së gjatë shpalljes së pavarësisë dhe peshën që investitorët sllovenë kanë sot në ekonominë e Kosovës. Në takimin ne kreun e Kuvendit slloven, Pavel Gantar, u diskutua mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar. Gantar tha se Sllovenia do të punojë fort që liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të ndodhë këtë vit dhe se ajo do të jetë e gatshme të ndihmojë me ekspertizën e saj gjatë procesit të integrimit evropian. Meta shtoi se së shpejti të dyja vendet do të mbledhin Komisionin e Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike, i cili do t’i shërbejë bashkërendimit të punës për përmirësimin konkret të bilancit tregtar mes dy vendeve. Në këtë kuadër ai tha se së shpejti presim një rritje të ndjeshme të investimeve sllovene, duke theksuar këtu edhe potencialin e madh që Shqipëria paraqet për biznesin slloven. Në vijim të vizitës së tij në Asamblenë Kombëtare, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, zhvilloi takime të veçanta edhe me anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë dhe të Komisionit për Politikën e Jashtme, të kryesuar nga z. Gvido Kres, si dhe me zv.presidentin e Partisë Socialdemokrate të Sllovenisë, z. Miran Potrc.
Njëkohësisht Meta pritet u takua edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që punojnë e jetojnë në Slloveni.