E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroi me njëqind fytyra!

kimete1Nga Kimete Berisha

Çka u bë tash me William Walker që po punon kundër Vetëvendosjes! Ish babai i Vetëvendosjes William Walker, më 2010-ën ftonte popullin votues që ta urrenin Hashim Thaçin. Walker atëherë, para tre vitesh, deklaroi se në mitingjet e Vetëvendosjes në Reçak, SHIK-u po e pengon pjesëmarrjen e qytetarëve, se SHIK-u po e pengonte personalisht Walker-in.

Tani ka ndryshuar diçka dhe Walker nuk po e pret SHIK-un që ti bëjë probleme Vetëvendosjes, por u bë më i rrezikshëm se SHIK-u dhe po e pengon vetë Vetëvendosjen.

Ka kohë që William-i e ka privatizuar masakrën e Reçakut. William Walker e dinte se SHIK-u ekziston, por kujtonte që SHIK-u është strehuar vetëm në partinë e Hashim Thaçit. Nuk e dinte se SHIK-u i kishte futur hundët edhe në Vetëvendosje. SHIK-u që ishte bashkëkrijues (me Albin Kurtin) i Vetëvendosjes, tani po duket që ka filluar ta rrënojë Vetëvendosjen.

William Walker-in e riaktivizoi në Kosovë Florin Krasniqi shqiptaro- amerikan, por amerikano- shqiptar tash është edhe Walker-i. Koincidencat shqiptaro- amerikane na imponohen (pa i mjeshtëruar stilistikisht) si metafora politike. Koincidencë del edhe fakti se William Walker e mban emrin e njëjtë me Ushtarin Historik (soldier of fortune)- William Walker, i cili në shekullin 19 u pushkatua në përpjekjet tij modeste për të pushtuar disa pjesë të Amerikës Qendrore.

Dualist shihet edhe në faktin se William-i bashkëkohor i Vetëvendosjes është qytetar nderi (edhe) i Shqipërisë, kurse (edhe) Kosova e ka u shpërbly me Medaljen e Artë të Lirisë.

E mira e tij është se Walker është binjak në zodiak, që do të thotë, kur dashurohet, ai dashurohet në dy veta përnjëherë, në Florinin dhe Pacollin, zakonisht në njerëz që kanë paré.

Askush nuk u besoi atyre që thanë se Christopher William Dell e refuzonte Vetëvendosjen si shkak i Graham William Walker-it. Krejt do William-a e vulosën fatin e Vetëvendosjes.

Ndërsa njëri William e ngrinte Vetëvendosjen në qiell (Walker), një William tjetër e zbriste Vetëvendosjen nën tokë (ish-ambasadori Dell).

Edhe William Dell është vetë dualist, binjak në zodiak sikurse William Walker. Dualist po, por Walker ndërsa për shqiptarët është hero, për El Salvadorin nuk është.

Në El Salvador shërbeu si ambasador gjatë viteve 1988- 1992. Më 16 nëntor 1989 policia elite e El Salvadorit hyri në Jesuit Central American University dhe vrau 6 priftërinj jezuitë, që ishin duke predikuar kundër luftës- për paqe. U vra edhe shërbyesja së bashku me vajzën e saj adoleshente që u gjetën rastësisht aty. Për Kishën Katolike të El Salvadorit, William Walker është fajtor, shkaku se sipas tyre ai e ka heshtur dhe e ka fshehur masakrën ndaj 6 priftërinjve jezuitë. Sepse Walker u pa në shoqëri me gang- politikanin djathtist Roberto dAubuisson Arrieta. Në librin Killing hope, një William tjetër, autori William Blum shkruan: CIA i është referuar Arrietes si egocentrik, i dalldisur, dhe mentalisht jostabil; trafikant i drogës, i armëve, NYT më 1992, shkruan se Arrieta gjatë luftës qytetare në El Salvador ishte ithtar i pushkatimeve në grup. Kundërshtarët e fajësuan shokun e Walkerit- Arrieten për pjesëmarrje në vrasjen e 6 priftërinjve dhe në masakra të tjera. Pavarësisht CIA-s, William Graham Walker e ftoi Arrietën (e ndjerë) në ndejën që e organizoi për nder të 4 Korrikut. Një dokument tregon se kur Bill Clinton më 1993 e emëroi William Walker ambasador në Panama, reagoi Kisha Katolike e Panamasë bashkë me aktivistë politikanë lokal shkaku, siç thuhet, i bashkëfajësisë së supozuar në El Salvador.

Gjatë kampanjës elektorale 2010, Walker foli mirë për shqiptarët, ne e dimë se ai i do krejt shqiptarët, përveç shqiptarin Hashim Thaçi. Ai tha se Hashim Thaçi dikur, para 18 viteve ka qenë student dhe se aktualisht ka tradhtuar idealet e tij studentore.

Më shumë se shqiptarët e bashkuar, Walker e do Florin Krasniqin. E do se Florin Krasniqi e kupton më së miri. E çon edhe në det. Shqiptarët e panë Florinin para do ditëve në bregdet, duke e shëtitur nëpër Ulqinin e vjetër William Walker-in.

Tash sdi a pasi është kthyer nga Ulqini, apo para se të shkonin në vizitë te Ramush Haradinaj, William Walker tha se Vetëvendosja gaboi shumë që e kapi për dore ambasadoren amerikane, Tracey Jacobson.

Edhe Florin Krasniqi nuk merr pjesë në mbledhjet e fundit të Vetëvendosjes, s’ka kohë se është i zënë duke e përkrahur kandidaten e Ramushit në Istog, sepse e ka shoqe. Kjo është shenjë që Florini është ftohur nga Albin Kurti, për shkak të Shpend Ahmetit. Të gjithë jemi ftohur ngapak nga Albini (pa nevojë). Edhe unë jam ftohur pak, për shkak të Fadil Hoxhës.

E kuptoj Albinin se për çfarë e futi SHIK-un në VV, por nuk e kuptoj pse e lejoi ish- zëdhënësin e ish partisë “Ora” të shprehë gjithë atë neveri për lirimin e Fatmir Limjat. Sdi pse i duhen Albin Kurtit personazhe që nuk arritën ta shpëtojnë partinë e tyre nga shuarja dhe që s’kanë tjetër qëllim përveçse ta luftojnë ish-UÇK-në duke e shfrytëzuar Vetëvendosjen si depo armatimi.

Kanë kaluar tri vjet dhe Hashim Thaçi ende nuk i ka ndryshuar fjalët për William Walker. Por, William Walker i ka ndryshuar fjalët pwr Vetëvendosjen. E riaktualizoi rastin e VV me ambasadoren në parlament (kur ambasadorja e lëndoi dorën), duke e pagëzuar këtë rast si fatkeqësi e madhe për Vetëvendosjen, e cila sipas tij është e padëshiruar për ndërkombëtarët.

Walker, pragmatist siç është, nuk i mban premtimet në çastin që zhduken arsyet që e kanë bërë të premtoj.

Por, sikur të ishte kandidat në këtë fushatë William Walkeri, si binjake që jam, do ta votoja, sepse ma çon mallin e Sokratit. Walker vishet me të njëjtën xhaketë- blu që 20 e kusur vite, sikurse Sokrati, i cili deri në vdekje e mbajti veshur një të njëjtin mantel. Unë i besoj njeriut që nuk i ndërron xhaketat. Burri që nuk e ndërron shpesh garderobën, nuk i ndërron as fjalët, as femrat. Ai që nuk i hedh gjërat para se të dalin nga përdorimi, nuk do tju hedh as juve… përveç nëse dikush (si për shembull Florin Krasniqi) e paguan tju hedhë, siç e hodhi Walkeri Thaçin. Heshtja është flori, deri në momentin kur Florini foli në Deçan dhe tha: Ju deçanasit jeni njerëzit më të mirë në botë.

Dhe, si e di unë që ju jeni më të mirët në botë? Sepse, 200 metra larg jush ka lindur njeriu më i mirë në botë, e ajo është nëna ime (e jo Ramushi siç kishin kujtuar deçanasit).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›