Bukuria të hap portat, inteligjenca i mban ato
-PSIKOLOGJI-
Nga Anxhela Peza*
Të gjithë po përpiqen çdo ditë e më shumë për të qenë të bukur, tërheqës, të jenë në qendër të vëmendjes. Duke e parë si një faktor i cili të hap portat e sigurta. Filozofi Edmund Burke ka shkruar dikur: Ne duhet të dalim në përfundimin se bukuria, në vija të përgjithshme, përmblidhet në disa cilësi që kanë trupat, të cilët veprojnë në mënyrë mekanike në mendjen njerëzore me ndërhyrjen e shqisave. Ky është një perifrazim që është hedhur në letër në vitin 1756, por që vazhdon të jetojë dhe të përdoret edhe sot e kësaj dite. Armët që përdoren për bukurinë janë, stilet e ndryshme të rrobave, imitimi i një ideali apo idhulli, operacionet plastike, shpenzimi i orëve të tëra nëpër qendra estetike. Problemi qëndron jo në ata individë të cilët kanë një respekt për veten për tu dukur të kuruar, estetikisht bukur dhe fin në përcjelljen e imazhit të tyre, ku krijojnë dhe idenë e personalitetit, por tek ata individë që kërkojnë të arrijnë drejt një perfeksionizmi nga pakënaqësia e pamjes së tyre. Reflektimet e pakënaqësisë për pamjen e jashtme vijnë si pasojë e parehatisë të gjendjes shpirtërore. Mendimet e shpeshta deri në obsesion për të qenë e bukur kalojnë deri në neurozë.
Shpesh pre e tendencës për të qenë e bukur janë adoleshentët, ndaj dhe përfundojnë duke qenë pre e diagnozave të anoreksisë nervore dhe bulimisë. Mënyra se si ne rritemi, komuniteti ku jetojmë, feedback-u që ne marrim nga të tjerët ndikon shumë në vetëvlerësimin e vetes sonë si dhe në komplekset tona. Kemi edhe rastin e perceptimit të bukurisë për veten dhe për të tjerët. Zakonisht për shkak se i njohim vetes të gjitha defektet e pamjes, ne nuk para na pëlqen vetja, apo na pëlqen në të rrallë. Ndërsa mund të admirojmë shumë të tjerët për bukurinë e tyre. Arsyeja është se nuk i kemi parë mirë dhe se nëse do tu afroheshim dhe do ti shihnim më nga afër, ndoshta do të nisnim të mos i pëlqenim më për shkak të rënies në sy të ceneve të ndryshme. Imazhi i trurit ka të bëjë edhe me bukurinë e fytyrës.
Një studim i fundit i bërë në fushën e neuroimazhit ka zbuluar se vetëvlerësimi i tipareve tërheqëse të fytyrës tonë mund të ketë një lidhje të ngushtë edhe me vetëvlerësimin, bazuar në tiparet e përbashkëta të aktivitetit trunor. Ndonjëherë njerëzit e varin vetëvlerësimin e tyre te dukja e jashtme duke u përpjekur që të perceptohen të bukur. Dhe kjo bëhet edhe në rrafsh krahasimor me të tjerët dhe me atë se si u dukemi të tjerëve dhe sesi mund të reagojnë të tjerët ndaj tipareve tona, apo pamjes tonë të jashtme në raste të ndryshme. Ky krahasim mund të ketë pasoja pozitive, negative emocionale e psikologjike.
Si të ndihemi të bukur?
Theksoj që çdo femër është e bukur që kur lindi e tillë. Një mashkull ka cilësi të tjera karakteriale për të rënë në sy. Bukuria është kult i femrës, le ti qëndrojmë këtij ligji natyror për të qenë komod. Gjithkush ka veçantinë e tij, bukurinë, mençurinë që e karakterizon. Skemi pse ti ngjajmë dikujt patjetër, për të qenë atraktiv për të tjerët. Ne lindin unik në llojin tonë dhe të tillë jemi në sjellje dhe mënyrën që përcillemi. Sjellja dhe mençuria vendos themelet e forta për të qenë një lider grupi. Në çdo marrëdhënie komunikimi dhe karakteri mbetet mbi gjithçka. Bukuria është thjeshtë një karamele e fillimit që konsumohet shpejt.
*Psikologe këshilluese