Heronjtë e kohës së re
Pirro Naçi/historian
- “Sonte, vëllezër, pikërisht sonte, meqenëse është errësirë, ne do të shpërthejmë...Goditja është e guximshme. E kuptoj dhe jam krenar. Secili nga ju të mendohet për rrezikun dhe të vendosë lirisht, sepse unë dua të marr me vete për këtë luftim të bukur vetëm njerëz të denjë...Atdheu dhe brezi i ardhshëm presin prej nesh një shembull të madh”.
Janë fjalët e fundit të Marko Boçarit, në natën e 8 gushtit në të gdhirë 9 gushti i 1823, kur agimi i fliste ditës të vijë...kur heroi flijoi jetën e tij. Janë copëza nga përshkrimet e poetit romantik gjerman Vilhelm Myler (1794-1827) për Marko Boçarin përpara betejës së Karpenisit. Himnet që ai i ngriti Revolucionit Grek dhe disa udhëheqësve kryesorë të tij, kur fjala liri valëvitej në çdo varg, priteshin në Gjermani si një jehonë që do të kumbonte anembanë. ?yleri ishte i bindur, derisa Revolucioni Grek kishte nxjerrë Boçarin, Kanarin, Bubulinën e shumë e shumë të tjerë, pse të mos të ndodhë kështu edhe në Gjermani? Në pamundësi të luftonte me armë në Greqi, ai me penën e tij u bë një nga luftëtarët dhe përkrahësit më të flaktë të saj. Në tetë prej këngëve të tij, më e spikatura është poezia “Marko Boçari”, botuar në prill të 1824. Të tëra ato shquhen për energjinë e stilit, për mënyrën dinamike të të treguarit, siç ishin vetë luftëtarët për të cilët ai shkruante. Por jo vetëm gjermani Myler, por edhe anglezi Bajron shkroi me pathos për figurën mitike të Marko Boçarit. Madje të dy burrat, asokohe kishin aritur deri në letërkëmbime. Për Bajronin vepra dhe trimëria e Markos e entusiazmuan aq shumë, saqë e bënë të radhitej edhe ai në radhët e luftëtarëve të revolucionit. Kur Bajroni mbërriti në Mesollongj ishte mbledhur i gjithë populli. Sapo u ngjit në ndërtesën e administratës - Bajroni bëri këtë pyetje: “Ku është vëllai i Leonidhës së sotëm”? Atëherë Konstandin Boçari, vëllai i Markos, i doli përpara dhe Bajroni ju drejtua me këto fjalë:
“O njeri i lumtur ! Ti je vëllai i një heroi, emri i të cilit nuk do të fshihet kurrë prej trashëgimisë së shekujve”. Dhe pastaj u kthye nga masa e popullit. “Jam mirënjohës për ndjenjat që po më dëshmoni, pas pak kohe ju do të më shikoni në mes të falangave për të fituar apo për të vdekur me ju”. Suliotët do të bëheshin bashkëluftëtarët dhe miqtë e tij më të ngushtë. Ata do ta shoqëronin dhe do ta mbronin nga çdo rrezik. Pas një muaji qeveria greke vendosi që Bajroni të shpallej qytetar grek, t’i jepte shpatën e luftës dhe qyteti i Mesollongjit ta regjistronte qytetar nderi në librin e vet. Për këtë u përgatit edhe një ceremoni solemne. Ditën e caktuar Bajroni, i veshur me kostum kombëtar shkoi në kishë, ku do t’i jepnin shpatën dhe diplomën e qytetarit. Por Bajroni kërkoi që shpatën ta merrte mbi varin e Marko Boçarit. Aty për aty kortezhi me gjithë masën e popullit kaluan nga kisha në varrin e heroit. Mbi këtë varr Bajroni mbajti një fjalim që buronte nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit të tij: “Cili është ai që pushon nën këtë gur? Cili zë madhështor del nga ky varr? ǒështë ky varr prej nga buron lumturia e Greqisë? Si mundem unë të guxoj t’i afrohem këtij vendi të shenjtë ku prehet ai, unë që nuk kam as heroizmin dhe as virtytet e tij?...Megjithatë, duke e prekur këtë varr, unë shpresoj se këto flurime do të flakërojnë gjithë zemrën time me patriotizëm”.
Bajroni e kishte njohur mirë figurën e heroit suliot. Ata të dy i lidhte një ideal. Që të dy kishin qenë të bindur se për lirinë e popujve nuk mjaftonin vetëm fjalë, sado të bukura të ishin ato, por duheshin vepra, madje deri në flijimin e jetës. Dhe fjalën ai e mbajti. Qeveria e shpalli Bajronin baba dhe mirënjohës të kombit, sepse ai duke flijuar veten për Greqinë, e kishte pasuruar atdheun e tij me një emër të madh. Ishte më i madhi anglez, që i kishte shërbyer çështjes së shenjtë të lirisë së popujve me dinjitet dhe vetëmohim. Ashtu si Marko Boçari, që të dy mbetën të pavdekshëm, jo vetëm për historinë e Greqisë, të cilën ata me aftësi, burrëri, trimëri, ndershmëri u fijuan, por edhe për çdo njeri me ndjenja fisnike e përparimtare. Asdreni, në vitin 1932 e përkujton vdekjen e Bajronit në vjershën “Vdekja e Lordit Byron”:
Fatlum o lord Byron! Me ndjenjat e larta/Me vdekjen ti prure ndër vise të shkreta/Liri - Perëndeshën me rreze të zjarrta....”. Një tjetër kolos i letërsisë, Viktor Hygoi, do të qëndronte mbi figurën e Marko Boçarit. Ai do t’i kushtonte vëmendjen më të madhe e plot dashuri në disa shkrime të tij. Për Hygoin, kryengritja greke për pavarësi nuk ishte luftë vetëm e një populli. Njerëzit në krye të këtyre kryengritjeve do të ishin edhe pjesë e varrmihësve të botës së vjetër absolutiste në Evropë, në Ballkan e kudo. I tillë për të kishte qenë edhe Marko Boçari. Për herë të parë Hygoi ngre lart figurën e heroit në vëllimin “Motive orientale”, në poemën “Kokat e sarajit”. ?ygoi flet për Markon edhe në veprën e tij madhështore “Të mjerët”. Hygoi e vendos Marko Boçarin në panteonin e heronjve më të mëdhenj të kohës së re, madje në radhët e para të tyre. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe rilindësit. Për Jani Vreton, Marko Boçari mbetet në historinë e popullit shqiptar dhe atij grek, “Marko Burri”. Me pathos për këtë figurë ka shkruar edhe arbëreshi Odoaldo Velio, si dhe poeti tjetër arbëresh Vincenso Stratigo, i cili ngazëllohej me Marko Boçarin, në poemën e tij “Unë jam Shqipëtar”. Personaliteti i Marko Boçarit dhe mjaft heronjve të tjerë, lufta e tyre për revolucionin grek, duhet të jenë sipas mendimit të tij, elementë stimulues në forcimin e miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij grek.