Heshtin për akuzat
Shyqyri Haxha nuk është kthyer ende në Kosovë, edhe pse aktakuza për të është bërë tashmë publike nga Prokuroria Speciale e EULEX-it.
Njëjtë sikurse Haxha, aktualisht kryeshef ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës, edhe Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, ndaj të cilit është ngritur gjithashtu aktakuzë, nuk gjendet në Kosovë. Përderisa Haxha gjendet në Londër , avokati i tij në Prishtinë, Ramë Gashi, në një konferencë për media ka thënë se aktakuza ndaj klientit të tij është e përbërë nga kontradikta dhe se në kohën kur janë bërë veprimet për të cilat është ngritur aktakuza, Haxha nuk ka qenë pjesë e PTK-së.
“Aktakuza përfshihet në kontradikta, si në diapozitivin e tij, ashtu edhe në arsyetimin e dhënë dhe është me plot paqartësi. Aktakuza e ngarkon Haxhën për veprime, për të cilat në kohën kur kanë ndodhur, ai jo vetëm që nuk ka qenë pjesë e PTK-së, por nuk ka qenë fare në Kosovë, sepse në atë kohë ai ka jetuar në Angli”, tha avokati Gashi.
Megjithëse Haxha ka qenë palë nënshkruese me Dardafonin, të gjitha aktivitetet rreth nënshkrimit të kësaj kontrate kanë qenë të përmbyllura dhe, siç theksoi Gashi, Shyqyri Haxha ka zbatuar vetëm vendimin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së.
Ndaj paraqitjejes publike të kolegut të tij ka reaguar avokati i të pandehurit tjetër, Rexhë Gjonbalaj. Tomë Gashi ka kritikuar avokatin e Shyqyri Haxhës, i cili me deklarata publike po mundohet ta shfajësojë klientin e tij për ta fajësuar dikë tjetër. “Mendoj që nuk është në rregull që qysh në ditën e parë të aktakuzës që dikush duke tentuar ta shfajësojë vetveten, ta fajësojë dikë tjetër, posaçërisht kur të dy punojnë në të njëjtin institucion”, tha Gashi.
Kjo, sipas tij, do ta vështirësojë mbrojtjen pasi që secila deklaratë publike mund të ketë peshë edhe në gjykatë, mund të përdoret aty. Gashi nuk ka komentuar rreth arsyetimeve të prokurorisë për akuzat, duke thënë se është ende herët të zbulohen pjesë nga këto dokumente.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën Express)