Tërhiqet nga Marrëveshjet

Në kohen kur pritej që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjet e para në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, kryenegociatori serb Borko Stefanovic është tërhequr nga elemente të gjashtë projektmarrëveshjeve për të cilat palët ishin pajtuar në parim gjatë bisedimeve në Bruksel.
Stefanovic ka kërkuar nga lehtësuesi i BE’së Robert Cooper dhe Shefja e Delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri që takimi i radhës i caktuar të mbahet më 14 dhe 15 qershor të shtyhet për dy javë.
Kryenegociatori serb ka njoftuar palët me qëndrimin e Qeverisë së tij gjatë një videokonference që është mbajtur të mekurën.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë për Express se Stefanovic është tërhequr nga elemente të zgjidhjeve për Lëvizjen e lirë, tregtinë e lirë, energjetikën, telekomunikacionin dokumentacionin kadastral dhe regjistrat civil.
Shefja e delegacionit kosovar tha se pala serbe është tërhequr edhe nga propozimet e veta për disa nga çështjet e diskutuara.
“Për mendimin tim kjo tregon një shkallë të lartë të joseriozitetit të palës Serbe në dialogun teknik. Kam kërkuar nga BE’ja që vendimet duhet të merren pa vonesa sepse pas marrjes së vendimeve duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjeve. Me këtë testohet vullneti politik i palëve sepse zbatimi i marrëveshjeve monitorohet nga BE”, ka thënë ajo.
Sjelljen befasuese të delegacionit serb Zëvendëskryeministrja e quan politikë të vjetër të Serbisë që e ka aplikuar në negociatat me Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare në Konferencën e Rambouillet dhe në Vjenë.
“Ata mund të mendojnë se po bëjnë lëvizje taktike, por ky dialog është serioz, është i mbështetur nga BE’ja, SHBA’të dhe gjithë aleatët botëror. Mendoj se Serbia duhet të sillet konform gjithë seriozitetit që ka dialogu teknik. Fundja, pala serbe e ka të qartë . Ky dialog sa është i lidhur me jetët e qytetarëve aq më shumë është i lidhur me afrimin me BE’në dhe kjo kërkon nga Serbia të jetë konsekuente dhe të kontribuojë për rezultat e dialogut teknik”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Tahiri thekson se Delegacioni i Kosovës ka kontribuar në mënyrë konstruktive për të gjetur në zgjidhje europiane për interesat e qytetarëve që nga dita e parë e dialogut.
Pavarësisht sabotimit të dialogut nga Beogradi, Tahiri thotë se proces nuk do të ndalet.
“Bisedimet nuk janë ndërprerë. Kërkesa e Serbisë ka qenë që të marrin pak kohë që nënkupton se kah fundi i muajit qershor mund të mbahet raundi i pestë dhe në këtë fazë është edhe sugjerimi i ndërmjetësit Cooper që të presim dhe të punojmë në mënyrë që raundi të mbahet kah fundi i muajit qershor”, ka thënë Tahiri.
Ajo shtoi se delegacioni i Kosovës do të vazhdojë të jetë konstruktiv, por insiston që të respektohen afatet dhe agjenda e dialogut dhe që taktikat serbe të mos shpërblehen me favore.
Mendoj se ne duhet të ruajmë linjën konstruktive. Të insistojmë në afate që dialogu teknik të ketë kornizën kohore, të jap rezultatet konkrete dhe kur e përmendim taktikat më tepër se Serbia është e prirë për të bërë taktika nuk do t’i japin favore Serbisë përkundrazi dëmtojnë dialogun dhe me këtë rast do të dihet kush është përgjegjësi.
Ajo nuk është e sigurt se çfarë do të prodhojë raundi i ri i dialogut në fund të qershorit, por thekson se pala kosovare nuk do të lëvizë nga projektmarrëveshjet e deritashme. “Është herët për të folur për finalen sepse në ditët në vijim do të shohim se çka do të ndodh. Nga ana tjetër mund t’ju sigurojë se qëndrimi jonë në lidhje me këtë pako të marrëveshjeve mbetet i njëjtë”, ka thënë Zëvendëskryeministrja Tahiri
Për shkak të Holandës
Ndryshimi radikal i qëndrimit të Beogradit në dialogun me Prishtinën mund të ndërlidhet me pritjet e Serbisë për të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Stefanovic është tërhequr nga projektmarrëveshjet të njëjtën ditë kur Parlamenti i Holandës refuzoi të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Serbinë pavarësisht plotësimit të kushtit për arrestimin e kriminelit të luftës Ratko Mladic. Holanda është i shteti i fundit i BE’së që ende nuk e ka ratifikuar MSA’në me Beogradin. Autoritete holandeze kanë kërkuar që para se të shqyrtojnë këtë çështje në një seancë të re të parlamentit, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës të dorëzojë një raport zyrtar për arrestimin e Mladicit dhe bashkëpunimin e Serbisë me Hagën.
Arritja e marrëveshjeve në dialogun me Kosovën janë paralajmëruar shumë herë nga Stefanovic dhe zyrtarët më të lartë serbë, përfshirë presidentin Boris Tadic.
Por, duket se Beogradi nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Prishtinën pa ratifikimin e MSA’së nga parlamentarët holandezë.