E Diel, 1 Nëntor 2026

Interesi politik i enveristëve të sotëm ndaj sintagmës “tirani Ahmet Zogu”

11-02-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Të gjithë kriminelët më të pashpirt, kërkojnë të mbulojnë krimet e tyre. Stalini, njëri prej kriminelëve më të mëdhenj të historisë njerëzore, pasi e kishte mbushur të gjithë perandorinë e kuqe me burgje, lagere dhe me vende mjerimesh, shpalli Kushtetutën, që u quajt ne mënyrë hipokrite Kushtetuta Staliniane. Lexuesit naivë, jo vetëm në BS, e quajtën njërën prej kushtetutave më demokratike në botë. Në këtë akt hipokrit flitej për të drejtat e njeriut, për pushimet vjetore të garantuara me ligj, për të drejtën e paprekshmërinë e punës, të strehimit, shkollimit … e për njëqind mrekullira të tjera. Enver Hoxha, imitues dhe i vetëshpallur si stalinist, ia kaloi edhe Stalinit me kushtetutën e tij, me ndalimin kategorik të borxhit shtetëror (por jo të kontrabandës klandestine të duhanit dhe të lëndëve narkotike); me ndalimin e torturës (paçka se të burgosurit politikë e jopolitikë torturoheshin për krime të hamendësuara); me të drejtat e një shteti të emërtuar “i demokracisë popullore“ (por pa përmendur luftën e klasave, si një instrument mizor i pangjashëm me çdo vend të botës, me përjashtime të rralla).
I duhej këtij individi, që ishte personifikimi  i proceseve politike në të cilat ndëshkohej mizorisht pafajësia, një prototip që të mbulonte tiraninë e tij, të shtrirë në të 28.000 km² të një vendi të martirizuar në të gjitha rrethet e qarqet, madje edhe me plan realizimi kriminelësh politikë, që shpesh vinte në hall edhe komitetet e partisë në qarqe, për mosrealizim të planit të të inkriminuarve! Kjo kishte kuptimin që të përfshiheshin nga hetuesitë e etalonit të Vishinskit, që të pandehurit do të përfshiheshin edhe pa asnjë provë ose indicie, sepse këto mund të përpiloheshin dhe të sajoheshin edhe gjatë hetuesisë!
Enver Hoxha kërkonte t’i mbulonte krimet e tij vetjake për të mbajtur nën thundër pushtetin e tij të forcuar ashtu siç ishte shprehur Nako Spiru, me anën e kultit të individit  dhe të dhunës. Kështu në Kongresin I të PPSH-së, që kishte shpallur se P. Komuniste kamuflohej me anën e Frontit Demokratik, ishte paraqitur një pasqyrim i gjerë, duke filluar nga “regjimi tiranik i Zogut”, i cili u bë – në vijim –lajtmotivi i të  dyja organeve kryesore të shtypit të përditshëm, “Zërit të Popullit” dhe “Bashkimit”. Ky falsifikim trashanik krahasimor përfshiu në vorbullën e vet edhe “historianët” e kohës, të cilët e vazhduan “ison” e tyre édhe pas ndërrimit të sistemeve, me mëtimin për t’ia  rivendosur statujën stalinistit shqiptar numër Një, në rast se shtatorja do t’i vendosej Ahmet Zogut I. Akuzat ndaj presidentit dhe, më pas, monarkut shqiptar, ishin mjerane. Faktet historike shkelmoheshin sikundër edhe në kohën e diktaturës.
Për çështjen kombëtare, nuk u përmend në asnjë rast antikombëtarizmi i Enverit, si stalinist. Po Stalini a ishte antishqiptar? Pas destalinizimit, asnjëherë nuk u shpall dot asnjë akt i vetëm në favor të vendit tonë nga ana e Stalinit. Përkundrazi. Stalini e kishte përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu. Nuk janë vetëm Milovan Gjilasi dhe Eduard Kardelji që nuk e pranuan, si të dërguarit kryesorë pranë Stalinit, ofertën e këtij të fundit për ta “gëlltitur” Shqipërinë, nëse Tito nuk do të largohej nga Kampi Socialist. Tani, përderisa Enveri ishte Stalinist gjer në mbarim të jetës dhe Stalini ishte antishqiptar, kuptohet se në ç’pozicion gjendet Enveri ndaj vendit të vet! Nga ana tjetër, Zogu 17-vjeçar luftonte në krye të trupave të tij matjanë  kundër forcave serbe që donin të futeshin në Shkodër, duke shtuar  edhe aktivitetin e tij patriotik të padyshimtë në Kongresin e Lushnjes, krahasimi me armiqtë shekullorë të veriut është i vetvetishëm për aventurën me të dy emisarët e Titos, ndaj të cilëve Enveri shkëmbeu interesat e tij vetjake për pushtet, me flijimin e sovranitetit kombëtar.
Këta farë historianësh enveristë luajnë edhe me fjalë tingëlluese. Me rastin e festës së 100-vjetorit të Pavarësisë përdorën fjalën “glorifikim” në adresë të gabuar. Kjo fjalë po, mund të drejtohej kundër E. Hoxhës, ndaj të cilit ishin fabrikuar edhe shprehje të neveritshme si “marrsh edhe nga ditët tona!”. Kulti i individit, në kupë të qiellit. Sa buste e statuja ka pasur A. Zogu I, në të gjithë Shqipërinë? Kush ishte ”i glorifikuar, pra?”. Dhe… me urdhër partie!
Sa gjyqe politike ka pas bërë Zogu? Me ç’masë dënimesh? Cili e vrau atentatorin e Zogut, Beqir Valterin, në parlament, A. Zogu, apo atentatorët e E. Hoxhës? Këta përdhosës të së vërtetës historike, e quajnë normale që në regjimin “satrap” të E. Hoxhës, armiqtë apo të ashtuquajtur të tillë të mos i jepen familjes për varrosje? Sipas kanuneve të luftës së klasave, edhe i vdekuri pas burgut  duhej të varrosej me karrot e komunës, pa asnjë ceremoni mortore. Musine Kokalari, me vlera morale shumë më të larta se E. Hoxha, u varros si njeri pa njeri. A është e vërtetë? Ndërsa me vdekjen e Enverit, mjaft nxënës u përjashtuan nga shkollat për një dyshim se nuk u përlotën por bënin biseda gazmore në atë pritje të gjatë e të detyrueshme ceremoniale! Me të ardhur komunistët në fuqi, në Tiranë, i vunë dinamitin ndërtesës mortore të nënës Mbretëreshë. Një plakë shpërtheu kështu: „I zëntë mallkimi i të vdekurve!“. A nuk qé Pajtim Kombëtar, ai i A. Zogut, me ministra kundërshtarë politikë (Mirash Ivanaj) apo vlerësimi nga senatori shqiptar në senatin e Bukureshtit, dr. Ibrahim Temo? Apo Pajtim quani atë talljen groteske të Rexhep Qosjes, që i vuri ish-të përndjekurit në bisht të tavolinës dhe mëkatarët refuzuan të kërkonin ndjesë për krimet e E. Hoxhës ndaj atyre që kishin shkrirë rininë e tyre burgjeve mizore të satrapit shqiptar? Asnjë dokument zyrtar nuk është gjendur, “të vritet ky”, “të vritet ai”, “të vritet pasi të torturohet”! Krahasimet nuk mund te bëhen as me Galeaco Çianon, që përgatiti atentat për të vrarë Zogun, ndërsa nuk njihen argumentet e negociatorit të parë me Zogun, Aleksandër Lesonën, që është historiani më i besueshëm i traktatit të paqes së vitit 1926. Historia e E.Hoxhës është munduar të fshihet në pjesët e saj më të errëta. Por është si të fshihet shtiza në thes!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›