E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja e eshtrave

Për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë është punuar pak. Kjo duket të ketë motivuar autorin dhe skenaristin e dokumentarit “Heshtja e eshtrave”, Henor Halilin e Besnik Rrahmanin, që të dhënë një kontribut modest në drejtim të sensibilizimit të çështjes. Dokumentari do të shfaqet më 27 prill, në Kinemanë ABC, në kuadër të ditës së të pagjeturve. Nga Albana S. Muja më 26 prill 2011 në ora 17:23

Në orën 12, të 27 prillit, do të mbahet një akademi përkujtimore, e organizuar nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.

Mirëpo, kësaj radhe kjo akademi përkujtimore do të shoqërohet edhe me një premierë. Bëhet fjalë për filmin dokumentar artistik “Heshtja e eshtrave”, me regji të Henor Halilit, skenar të Besnik Rrahmanit, dhe montazh të Adhurim Kidës.

Ndryshe qëllimi i bërjes së filmit është vënia në pah e këtij problemi, i cili ende vazhdon të shqetësojë shoqërinë tonë, megjithëse gati kanë kaluar 12 vjet nga përfundimi i luftës.

Sipas Besnik Rrahmanit, filmi është punuar me fonde personale, ngase nuk është gjetur asnjë mbështetje nga institucionet e vendit për këtë qëllim. Si pasojë, e vetmja shpresë kishte mbetur ndihma e premtuar nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur.

Rrahmani pohon se, ideja për realizimin e një filmi të këtillë, i cili trajton njërën prej temave më të rënda në vend, erdhi si pasojë asaj se gati po mbushen 12 vite prej se të zhdukurit sikur janë harrua krejtësisht.

“Besoj se ky film do të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim. Madje, shpresoj se filmi të ndikojë edhe në vetë bisedat me Serbinë”, tha Rrahmani.

Ndryshe, për përfundimin e filmit është punuar që nga shtatori i vitit të kaluar. E filmi “Heshtja e Eshtrave” synon të përgjigjet në këto pyetje: Pse nuk janë gjetur këta njerëz? Kush janë familjaret e tyre” Çka bëjnë ata dhe si jetojnë?

“Jemi takuar me këto familje. Jemi takuar me mjekun ligjor. Jemi takuar me EULEX’in. E gjithë kjo vetëm e vetëm që të kuptojmë më shumë rreth fatit të tyre”, sqaron skenaristi Rrahmani.

Sipas tij, çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet një plagë e madhe, e cila i mundon shumë familjarët e tyre, andaj kjo ishte mundësia e vetme e tij që nëpërmjet një filmi dokumentar artistik, dhe pa ndihmën e askujt, ta ndrinte këtë dhembje të tyre.

“Dëshirojmë që të gjithë ta kuptojnë se çështja e personave të pagjetur duhet të trajtohet në mënyrë të drejtë”, nënvizon Rrahmani, derisa tregon se e tëra që është synuar të thuhet përmes këtij filmi është që kjo plagë e luftës të mos lihet në harresë.

“Duhet që t’i hapin sytë të gjithë, sepse vërtetë ka shumë familje që vuajnë, që janë të zemëruara dhe jeta e të cilave mbetet një ankth i rëndë. Këto familje nuk mund të bëjnë jetë të qetë. Ato ende nuk dinë asgjë për më të dashurit e tyre. As pas 12 vitesh kërkim”, përfundon ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›