E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirio Nushi Një film për Skënderbeun?!

26/04/2011  Këngët e tij janë së shumti të karakterit epik duke shkrirë bashkë elementë të traditës nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Edhe për këtë arsye këngët që mbajnë emrin e tij janë të veçanta, megjithëse emri i Lirio Nushit nuk është se njihet edhe aq shumë nga të gjithë.

Megjithatë, ia vlen të përmendet se artisti, i cili aspiron njëkohësisht edhe në botën e kinemasë ka arritur disa suksese interesante. Dy prej këngëve të tij “Malli im” dhe “Eksodi” janë bërë madje edhe kolone zanore e filmit “Dreaming American” me regjisorët hollivudianë Lë Percy dhe Barbet Schroeder, regjisorë që kanë realizuar filmat me Angeline Jolie ku protagonist do të jetë aktori me origjinë shqiptare Praq Rado.

Më parë edhe regjisorja e famshme suedeze Lissi Gustafsson i ka përzgjedhur këto këngë për kanalin suedez TV4 për dokumentarin e saj.

Por ëndrra më e madhe e Lirio Nushit është të realizojë një film për Skënderbeun…

Muzikant, por njëkohësisht i lidhur ngushtë me filmin. Ku e sheh veten më mirë Lirio Nushi dhe si ndjehet mes këtyre dy botëve të artit?

Midis dy botëve. Secili prej nesh e ka gjetur veten shpesh në dilema të tilla, të formave të ndryshme. Por të jesh midis muzikës dhe filmit është ndoshta një nga dilemat më të bukura artistike. Dhe nëse gjendesh në një hapësirë të tillë, kur ndjen se ke njohjet e duhura profesionale, pasionin për të punuar dhe ide të bukura, nuk e lejon veten të largohesh apo të anosh nga njëra anë. Thjesht e lejon të ndodhi dhe shfrytëzon mundësitë që të jepen.

Në fakt, pavarësisht kontributit tuaj, shumë vetë në Shqipëri nuk ju njohin. Si do ta prezantonit veten përpara tyre?

Nuk është qëllim në vetvete për mua kjo. Jam i gëzuar që artin tim e kuptojnë një grup njerëzish të kultivuar dhe nëpërmjet kësaj shpresoj që të rritet numri i njerëzve të kultivuar. Ky është edhe qëllimi dhe kjo i jep vlerë punës sime. I famshëm masivisht në Shqipëri mund të bëhesh brenda një dite, por kjo s’do të thotë që ke vlera ose ke bërë diçka me vlerë.

Këngët tuaja kryesisht janë të karakterit epik, ku ndërthurni bashkë traditën e krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Pse kjo tërheqje ndaj këtyre elementeve? Besoni se një muzikë e këtij lloji “përthithet” mirë nga publiku?

Unë besoj se arti me identitet është shumë herë më i bukur kur përfaqëson atë që është jotja, pra përdor elementë që janë autentikë shqiptarë. Kjo më ka ndihmuar që të dalloj dukshëm nga “pjesa tjetër”. Dhe është pikërisht ky fakt që mua më bën të ndjehem shumë i veçantë, por dhe shumë shqiptar. Shqipëria dhe shqiptarët kanë kohë që kërkojnë të jenë pjesë e Komunitetit Evropian. Arti është një element shumë i rëndësishëm përfaqësimi, por edhe identiteti i vetëm “i gjallë” i një kombi. Më bën të ndjehem shumë krenar fakti që muzika ime arrin të plotësojë këtë boshllëk, duke u ndjerë kështu një përfaqësues shumë i mirë i artit autentik me element shqiptar. Por gjithashtu arti që unë kam realizuar deri tani është edhe një memorie historike e së kaluarës dhe e së tashmes duke udhëtuar në kohë nga arbëreshët-arvanitët-çamët etj., e deri në ditët e sotme. Ai ka luajtur rolin e një zgjimi të memories sonë historike në brezat e rinj dhe më besoni: nuk ka më bukur se sa të mbash gjallë memorien historike të një kombi. Është një botë e madhe vlerash.

Dy prej këngëve tuaja “Malli im” dhe “Eksodi” janë vlerësuar së shumti edhe në skenën ndërkombëtare të artit, pasi janë bërë dhe kolonë zanore të dy filmave në Suedi dhe Amerikë. ǒmund të thoni për realizimin e tyre dhe rëndësinë që ka për ju një vlerësim i tillë?

Është hera e parë që kinematografia botërore përdor si kolonë zanore muzikë shqiptare. Nuk mendoj se duhen më tepër fjalë për të thënë se si ndjehem nga një vlerësim i tillë.

Si e shihni skenën e sotme muzikore në Shqipëri? Sa ndjeheni “brenda” saj? Cilat janë problemet që ka tregu muzikor sot në Shqipëri? Sa rëndësi i kushtohet nivelit artistik në muzikë?

Një miku im aktor, kur po i tregoja ngjarjet e fundit për filmat, ku regjisorë hollivudjanë me famë botërore kishin përzgjedhur muzikën time si kolonë zanore për filmat e tyre më tha: Lirio mos fol më! Në Shqipëri dëgjohet muzike furgonash dhe këta muzikantët shqiptarë që dëgjoj po më duken si “shitësa farash” para teje. - Ju shkodranët i thashë, urimin më të keq e keni “T’hypt vetja m qef”. Shpresoj që kjo që më the të mos jetë e vërtetë.

Prej disa kohësh jeni angazhuar në realizimin e një filmi për Skënderbeun. ǒmund të thoni për realizimin e tij dhe pse Skënderbeu?

Ky është një projekt që kërkon shifra marramendëse monetare për t’u realizuar. Unë thjesht jam duke studiuar për të bërë një përmbledhje për një skenar të mundshëm. Kam mbi tre vjet që lexoj vazhdimisht materiale, dorëshkrime të vjetra dhe shumë libra për Skënderbeun, në shqip dhe në gjuhë të tjera të huaja. Është shumë e vështirë për të nxjerrë një histori të pastër dhe të detajuar për heroin tonë. Me keqardhje çdo ditë e më shumë vërej se sa popull primitiv kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi akoma, pasi nuk kemi mundur të ruajmë të shkruar asnjë dorëshkrim të vjetër real të asaj kohe. Kjo na ndihmon të kuptojmë se akoma si popull vazhdojmë të bëjmë po të njëjtat gabime me historinë dhe pjesë të tjera monumentale të artit, duke kujtuar shkatërrimin arkeologjik dhe të monumenteve të tjera të lashta që përbëjnë vlerat tona kombëtare. Ne nuk kemi akoma një libër të mirëfilltë shkencor për Skënderbeun, asnjë studim shkencor të mirëfilltë për mistikën e përmendores dhe të vulës së tij. Akoma nuk vërtetojmë dot shkencërisht që Marin Barleti, i cili ka shkruar historinë e Skënderbeut, (rreth 30 vjet mbas vdekjes së tij) është shqiptar e kështu me radhë. Derisa të zgjidhen këto mistika dhe detaje të tjera, unë do të realizoja veçse një donkishotizëm, por jo një film për Skënderbeun. Derisa t’i plotësoj këto detaje në mendjen time do të vazhdoj që këtë film ta kem një ëndërr në sirtar!

ǒdo të thotë të duash për ju? Mendoni se shpirti i trazuar është shpesh një lloj parakushti për të qenë artist?

Arti ndodhet diku midis njeriut dhe Zotit. Parakushti është se ti që e përcjell këtë mesazh hyjnor je i përzgjedhur! Arti është një monopat i vetmuar dhe përgjatë këtij udhëtimi, njerëzit që zoti të sjell pranë janë ndihmësit e tu për t’u ngjitur atje ku ti i vetëm s’do të mundje ta bëje.

Dhe lidhja që krijohet midis teje dhe këtyre njerëzve që vijnë në udhëtimin tënd janë padyshim një dashuri e madhe në kufijtë hyjnorë dhe emocioneve marramendëse. Dashuritë e jetës sime ngjajnë gjithmonë me një femër “të krisur”, e cila di të jetë njëkohësisht paqësore, shumë erotike, e çmendur, shumë e pastër, e përkushtuar, e rritur dhe fëminore njëkohësisht, me një trup të bukur dhe që nuk më harron dot kurrë edhe mbas ndarjes. Ndërsa për mua gjithmonë edhe pse mund të mos i shoh më në vazhdimësi brenda zemrës sime i konsideroj “My family”, pjesë e familjes sime, që do të thotë gjëja më e shtrenjtë në botë.

Besimi në ekzistencën e një qenieje më të epërme për ju është nevojë njerëzore, apo diçka, e cila nuk ju shqetëson në mendimet dhe përsiatjet tuaja brenda dhe tej të përditshmes?

Zoti! - Nëse “udhëton” pastër nuk ke frikë nga furtuna, cilado qoftë ekzistenca e epërme!

Po për ju si artist cila është pika “e epërme” ku do të donit të arrinit profesionalisht?

Të vazhdoj të jem ky që jam, të jem i dobishëm dhe përpjekja e përçimit të vlerave.

ǒmund të thoni për projektet tuaja krahas punës për realizimin e filmit për Skënderbeun? Keni diçka tjetër ndër duar?

Në këto momente kam një cigare në dorë dhe coca-cola. Kam projekt të lej cigaren! (Buzëqesh). Projektet artistike kam dëshirë t’i tregoj pasi janë bërë fakt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›