E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas dëborës në Prishtinë

Pak fjalë për Rock’n Rollin e Dino Mustrafic, në Prishtinë. Nga Miho Gjini më 26 prill 2011 në ora 17:26

Në fillimin e kësaj pranvere të qetë të Kosovës së lirë ra dëbora e fundit, e salla e Teatrit Kombëtar u ngrohë papritur, nga shpirti i ndezur i artistëve të tij. Dukej se qe një nga ato mbrëmjet e pazakonta, kur nuk bëhet fjalë për të kërcyer “Rock’n Roll”- sikundër bënte të ditur pllakati i madh mbi shkalloren e gjerë të Teatrit, karshi monumentit të Skënderbeut, po për një ftesë nga dramaturgu çek, Tom Stoppard dhe regjisori boshnjak, Dino Mustafic.

Dhe spektatori, i distancuar tanimë nga tmerri i luftës e i mërive të vjetra etnike, do të mbushte sallën plot e përplot - për të pesëmbëdhjetën herë - për të shijuar frytin e një dite paqeje që, ndonëse e acartë përjashta, ngrohte zemrat nga përbrenda.

E pata njohur regjisorin, Mustafic në një inskenim interesant të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, të Kadaresë, ku bëhej një trajtim krejt i lirë dhe i ndryshëm nga inskenimet e mëparshme të kësaj vepre madhore, dhe ku vendosja e raporteve dhe e kontrasteve në shtegtimet e gjeneralit e të priftit ishte gati filmike, në një vështrim modern të teatrit të sotëm. Dhe përsëri nuk do të gabohesha në gjetjen e “së veçantës”, e cila bëhet e gjithëpushtetshme në saje të frymëzimit artistik e talentit vetjak.

Mustafic e kapërceu së tepërmi suazën e veprës dramatike. Ai bëhet kështu personalitetit i dytë krijues që nuk bie më poshtë se i pari. Përkundrazi. Dhe ne shohim përpara tablo të mistershme si ato të Françesko Goyas( Kur saturni ha bijtë e vet), shoqëruar me episodet e Franc Kafkës, që e rrëkëllejnë botën njerëzore në atë të kafshëve. Ja tek është e zhveshur, autopsia e ish-shteteve të lindjes e “ngre” në ngadar nga bisha komuniste-paraqitur me aq vërtetësi rrjedhëse nga Stoppard, dhe e shprehur me dritë-hije të forta e në një trajtë kaotike nga Mustafic. Gjithçka ngjante si një gjyq i hapur, kur lexohen dosje të rrezikshme nga të cilat varet jeta e njeriut.

Nis nga Kembrixhi e mbaron gjer në Pragë, për të zbritur si fije e frikshme mbi Prishtinë dhe në gjithë Ballkanin, ku fitilat e “Fuçive të Barutit rrinin përherë të ndezura...Gafi për të shpërthyer! Dhe, pas mynxyrës së shpërthimeve ... të zjarreve e të varrimeve masive... autopsia e komunizmit bëhet reale e prekshme e llahtarshme.

“Na shkërdhyen për 50 vjet”, thotë njëri nga personazhet, kur si ka mbetur më gjë veç të jepet në ekstazën e çastit që i falë liria si një dehje e pushtuar nga “Rock’n Rolli”. Simboli i kërcimeve elektrimëse, gati të çmendura të basifondeve perëndimore, vjen gjer këtu si një “balsam” si një shtirim i energjive të ndrydhur-ekstazë e trupit dhe e shpirtit njëherësh. “Bëni dashuri” e jo vrasje, thotë personazhi tjetër, midis heronjve të lodhur nga brezi ynë i humbur, kur jeta e tyre shpaloset dhimbshëm. Dhe merr fund kështu survejimi e përndjekja e egër e studentit të Kembrixhit që kthehet në Pragë, në Prishtinë, në Sarajevë, e kudo.

Koha e diktaturës i bluan eshtrat e këtyre njerëzve që duan jetën dhe dashurinë.
“Rock’n Roll-i” jo më si valle e si ritëm frenetik, por si ideologji politike, hynë tani përbrenda greminës së vjetër, si një ritëm i vrullshëm i jetës. Është si një shkrepje dielli pas një dimri të gjatë. Ekstrem i kundërt. Njeriu gëzon lirinë e vet si të dojë e si do ai. Filozofët inert të materializmit dialektik bien një nga një, dhe një boshnjak vjen në Prishtinë, kur s’bie më dëborë, krejt i zhveshur nga ethet e paragjykimet e federatës së dikurshme për të bërë teatër, një teatër të vërtetë. Ne jemi që të gjithë aty, pa lozur asnjë lloj teatri. Gjithaq të “çmendur “ nga ndjenja e lirisë.

E gjithë shfaqja zhvillohet përbrenda një kufiri të hekurt që artisti e ka vendosur si rrethim i një kampi ndëshkimor, a si një burg. Personazhet veprues paraqiten si njerëz të shfrytëzuar të degraduar nga regjimet e egra. Ata lëvizin mekanikisht nëpër disa orendi që u ngjajnë blloqeve të gurta dhe kujtimeve të shahut..

Shoqërohen me muzikë kaotike, që hera herës të çanë timpanin e veshit. Përjashta telave lëvizin përfaqësuesit e rendit, policët, tanket që shtypnin demonstruesit. Dhe imazhi i një drite të përtejme. Ngjarjet vijnë e shpalohen në mënyrë po kaq kaotike, shthuren si në lëmshe të këputura e të përgjithshme. Retrospektiva e jetës së personazheve zë tërë jetën rinore dhe pelegrinët e tyre, të ngarkuar me dhunë, përgjime e ndëshkime. Sejisli rrëfen jetën e vet nëpër copëra dramash e tragjedish, të ngjara me fare pak lumturi. Dhe befas, çdo gjë përmbyset sikundër bëhen edhe “kërcimet e rokut” me hedhje, pritje dhe rrotullime marramendëse. Gjithsesi për të harruar...

Mjafton fare pak liri që paskëtaj njeriu i gjorë të humbasë në kaotikën e hiçmosgjësë. Që të dijë ekstremet, regjisori i ofron e i largon pa thënë përfundimisht rëndom se nga duhet të anojë publiku(!). Se e tërë salla, me publikun brenda, bëhet pjesë e shfaqjes. Po ndoshta një artist i avangardës, si Mustafic, që thyen këtu çdo kornizë të teatrit tradicional, nuk ka asnjë dëshirë që të japë receta e të pikojë moral.

Jeta është jetë. Dhe le të gjykoje kështu kushdo, si të dojë. Vetë duket sikur ka ikur koha e teatrit moralizonjës ...Funksioni i tij detyrues zvarritës nuk ka pse të anatemohet gjithherë.

Kemi të bëjmë me një artistë të madh të teatrit të sotëm, që na kujton teatrin e rrugës së kohës së mesjetës. Apo teatrin Shekspirian, ku bashkë me publikun sodiste edhe mbretëreshë e Anglisë dhe gjithsesi ishte shfaqja, do të dëfrenin e do të duartrokitnin... Dhe printe ai, Shekspiri - tragjiku i madh, që bënte shfaqje me një liri krijimi të pazakontë, duke e përfshirë tërë jetën në hapësirën skenike.

Edhe shfaqja e këtij regjisori ngjante si një vërshim jete, duke i mbyllur brenda edhe mynxyrat e saj. E tëra si një tablo e pikturës absurde. Jo thjeshtë e një njeriu, po e një shoqërie të molisur nga e keqja. Dhe përmes kaosit, regjisori ndërton dy-tri skena intime, të heshtura, pa shënime që mbartin thelbin e jetës, bukurinë e sajë, dashurinë e fshehur brenda qenies. Kontraste të tilla, kur “bota” është krejt e marrosur mund t’i bëjë vetëm një artist me vizion evropian si Mustafic, i cili rrëfen vetveten, me personazhet që vjelin nga Teatri Botëror atë që është e qenësishme, e bukur, vizive.

Di që t’ua marrë tragjediantëve të anuitetit grek korin dhe ta vendos bukur! Ai flet këtu më tepër me plastikën e lëvizjeve sesa me fjalën, duke inkuadruar e harmonizuar figurat skenike me këngën, kërcimin, dritën dhe zhurmat.

Gjuha skenike në mizanskena është e vrullshme, po nuk do të mungojnë as detajet shprehëse si në pantomimë, kur heshtja do të flas vetiu. S’do të kishte, pra, nevojë për asgjë të tepërt, për shtojca mbi tekstin e autorit(!), për të bërë atë që teatri e ka të padurueshme e të papranueshme: moralin direkt. Oh jo! Arti flet edhe pa fjalë, dhe sidomos një Mustafic. Është kjo arsyeja që kjo shfaqje tepër e gjatë mund të mos ishte 3 orë, po diç më pak, ku “magjia skenike” do të ishte edhe më e fuqishme.

Sikundër thuhet teatri është aktori. Pa aktorin brenda nuk mund të realizohet spektakli. Ai është komponenti kryesor, është baza, është jeta që lëvizë përmes fjalëveprimit.
Në rastin tonë, regjisori Dino pati nëpër duar lëndën e duhur.

Edhe kur dikur nëpër skena mungonte aktori, muzikanti, por ama, aty vegjetonte një katërshe aktorësh të talentuar...

Është aty një yll skenik, Gresa Pallaska (mbesa e aktorit Shani Pallaska, që erdhi në Shqipëri me “Ervehenë” e Melihate Ajetit, 40 e ca vjet më parë, pas ngricave të ftohta, kur unë shkrova artikullin tim të parë si Kritikë Teatri), e cila shfaqet si një aktore e kompletuar me trup-shpirt e veprim, duke portretizuar vajzën e vrullshme e shembullore, po edhe transformimin e sajë në një grua të dërmuar nga jeta. Dhe, një partner dinjitoz, si Mentor Zymberaj, plotë ndjesi të brendshme e me një nur skenik të përhershëm. Dhe pranë tij një partner po kaq të devotshëm, si Kushtrim Hoxha, me zë e shpirt të ngrohtë. Dhe akoma një aktore plotë zjarr (që shkëlqen edhe si këngëtare), si Edona Reshitaj. Pranë tyre veprojnë, këndojnë, kërcejnë e flasin lirshëm Ilire Vinca, Armend Ismaili, etj. Ata bëhen kjo pjesë organike e së tërës. Jo vetëm kaq. Ata realizojnë këtu një koncert live, me këngë të kënduara bukur në gjuhën angleze.

Shfaqja ka fituar ekspresivitet nga ndriçimi mjeshtëror i Asllan Hysenit, po edhe nga skenografia e Drogantin Brizit, sikundër që ka marr hijeshi edhe prej muzikës së Trimor Dhomit, e koreografisë së Gjergj Prevazit.

Që të gjithë bënë, pra, atë që duhet bërë, krijimin e një spektakli që e nderon Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Nuk e vlen fare të kërkojmë “të metat”, e të ushtrojmë “pasionin e kritikut”, për të bërë vërejtje të ulët, që asnjëherë nuk mungojnë nëpër shfaqjet tona, që mezi realizohen në këto kohë tepër të vështira.

Por...më e veçanta e këtij spektakli dhe e këtij shkrimi do të mbetet për në fund...si ajo torta në trapezin e familjes, pas një feste të gëzueshme. Pra një regjisor nga Bosnja e martirizuar me emrin Dino, sjellë në skenën shqiptare një “Gjeneral”... të Kadaresë si dhe një çek po kaq të martirizuar si edhe vetë ai, por edhe si ne të gjithë... Bënë shfaqje për ne shqiptarët, ky Dino nga Bosnja, dhe di ta bëjë më tërë forcën e talentit të vetë. Pa ditur shqip.

Po ai, Dinoja nga Bosnja, do të deklarojë para trupës së Prishtinës se kush është realisht. Dhe do ta thotë atë që e tha edhe gjiganti i Hollywoodit, Robert de Niro... se është shqiptar! Dhe ne do të dalim nga salla e ftoftë e Teatrit Kombëtar të Prishtinës të ngrohtë dyfish. Të ngazëllyer.

Acaret e dimrit të ftohtë morën fund. Pranvera tashmë ka kaluar pragun e derës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›