Heshtja nuk është diplomaci e qetë

Nëse Ashton qëndron në këtë rol gjatë mandatit të plotë pesëvjeçar, atëherë ajo duhet të heqë dorë nga heshtja e diplomacisë të qetë dhe të fillojë të bëjë zhurmë
Nga George Lyon*
Thuhet se diplomacia e qetë ndihmoi për ta fituar Luftën e Ftohtë. Me anë të
manovrimit të butë në prapaskenë, diplomatët ishin në gjendje ta shtynin
Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara nga pragu i konfliktit bërthamor, në
ulje të tensionit, e në fund - në paqe.
Ky sukses krijoi modelin që është ndjekur nga të tjerë. Por, në botën e
Pasluftës së Ftohtë, ku suksesi matet jo vetëm nga rezultati, por edhe nga
procesi, a mundet diplomacia e qetë ende ti shërbejë të mirës së përbashkët?
Në muajin dhjetor, Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të
Jashtme në BE, tha: "Besoj se shumëçka mund të arrihet me diplomaci të
qetë". Për fat të keq, Lady Ashton duket se gabimisht e konsideron
diplomacinë e qetë si heshtje shurdhuese.
Gjatë shtatë muajve në punë ajo është përballur me krizën humanitare në Haiti,
bujën ndërkombëtare pas sulmit të Izraelit ndaj anijeve në rrugën e tyre drejt
Gazës, dhe së fundi, me derdhjen e paparë të naftës në Gjirin e Meksikës. Në të
gjitha këto situata nuk e kemi dëgjuar asnjë zë, e lere më ndonjë rënkim, nga
personi i ngarkuar që ta përfaqësojë BE-në në skenën botërore. Kjo i ka bërë
shumë eurodeputetë që të pyeten pse kanë votuar për kandidaturën e Ashton në
janar.
Ashton është kritikuar shumë për shkak se nuk e ka vizituar Haitin pas tërmetit
shkatërrimtar. Kjo ishte prova e parë e saj e vërtetë në punë dhe duke mos
treguar solidaritet me haitianët, u krijua përshtypja se ajo, rrjedhimisht edhe
BEja, ishte e shkëputur nga fatkeqësia.
Unë jam i sigurt se Ashton i ka bashkërenduar dërgesat e ndihmës humanitare dhe
ka biseduar në telefon me Ministrat e Jashtëm, por a nuk është kjo diçka që
duhet të bëhet nga diplomatët në ekipin e saj? Si Ministre e Jashtme e BEsë, a
sduhet që puna e saj të shihet nga njerëzit? Edhe Nixon përshëndetej herë pas
here nga Brezhnevi në pistën e Moskës.
Thënë të drejtën, Ashton u takua me të gjithë 27 Ministrat e Jashtëm të BEsë
pas sulmit ndaj anijeve që po bartnin ndihmë humanitare në Gazë, ku u vranë
nëntë njerëz. Por, krejt e dinë se Ashton nuk është aktore kur është fjala për
konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.
Kur të gjithë i përcjellin veprimet e Tony Blair, përfaqësuesit të kuartetit,
ndërsa një fjalë e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton mund ta ndryshojë edhe
drejtimin e erës, sa ka hapësirë për një anëtare të re në diplomacinë rreth
Lindjes së Mesme?
Përpjekjet për ta bllokuar shpërthimin vullkanik të naftës nga thellësitë e
oqeanit në Gjirin e Meksikës, kanë çuar në thirrje për pezullim të shpimeve për
nxjerrje të naftës në Europë, përfshirë edhe Gunther Oettinger, Komisionari
Europian për Energji, që ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve
në Detin e Veriut.
Ndërkohë që kjo thirrje i shpërfillë standardet e larta të sigurisë, të cilat
tashmë ekzistojnë në Europë, veçanërisht në Britani të Madhe pas hetimit të
rastit Piper Alpha dhe Raportit Cullen, ngjarjet përtej Atlantikut na bëjnë
të përqendrohemi në mënyrën e nxjerrjes së sigurt të naftës nga puset gjithnjë
e më sfiduese. Në debatin për këtë çështje, Përfaqësuesja e BE-së për Politikë
të Jashtme sërish ka munguar.
Puna e Ashton mund të jetë bërë më të lehtë tash me krijimin e Shërbimit
Europian për Veprim të Jashtëm. Por, edhe përpjekjet për të krijuar një bazë më
të sigurt e cila do të shërbente si pikënisje janë dëmtuar nga grindjet e
vogla.
Shpresoj që Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm mund të bëjë ndryshim.
Derisa ka shumë çështje të politikës së jashtme ku meritat e diplomacisë së
qetë ende mund të shihen, përfshirë edhe përpjekjet për ti ndalur ambiciet
bërthamore të Iranit, në epokën e Pasluftës së Ftohtë ne presim që liderët tanë
të dalin në qendër të vëmendjes dhe të shprehin dhembshurinë, indinjatën apo
rezervat tona kolektive.
Nëse Ashton do të qëndrojë në këtë pozitë gjatë mandatit të plotë pesëvjeçar,
atëherë ajo duhet të heqë dorë.
(*) The Guardian