Sfidat e shtetit të Kosovës

Partnerët tanë ndërkombëtarë në BE dhe këtu në Uashington DC mendojnë se opinioni i GJND-së mund të sjellë një momentum të ri, të cilin Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të filluar një dialog teknik, i cili do të shënonte fillimin e një faze të re të marrëdhënieve KosovëSerbi
Nga Hashim
Thaçi
Po e filloj këtë prezantimi timin duke e falënderuar fillimisht Institutin
Amerikan për Paqe, dhe në mënyrë të veçantë z. Daniel Server, për mundësinë që
ti adresohem kësaj audiencë të respektuar.
E ardhmja e Kosovës dhe e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë integrimi në NATO dhe BE. Kjo aspiratë nuk është vetëm dëshirë, por një domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Kaluan njëmbëdhjetë vite në liri, dhe mbi dy vite nga koha kur në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Deri tani shteti i Kosovës është njohur nga 69 shtete anembanë botës, është
anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Bankën Botërore (BB), dhe
jemi shumë afër anëtarësimin edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe
Zhvillim (BERZH).
Për fat të keq, ende ka shtete që sillen me Kosovën thuajse ajo nuk ekziston.
Ndërsa mesazhi ynë është i qartë: Kosova ekziston dhe është shtet funksional ka ekzistuar dje, ekziston sot, do të ekzistojë nesër dhe përgjithmonë.
Amerika dhe populli amerikan janë krenarë për vlerat që përfaqësojnë. Edhe
qytetarët e Kosovës janë krenarë krenarë për trashëgiminë dhe
shumë-etnicitetin tonë, krenar për historinë tonë dhe plot shpresë për të
ardhmen.
Kosova do të jetë model i tolerancës dhe shumë-etnicitetit për të gjithë
Evropën.
Zonja dhe Zotërinj,
Gjatë këtyre pak viteve që ne jetojmë dhe punojmë të lirë, Kosova ka arritur
progres të konsiderueshëm në shumë fusha duke marrë në konsideratë mundësitë e
kufizuara dhe situatën komplekse politike.
Në aspektin ekonomik, Kosova ka trashëguar një ekonomi të dobët si rrjedhojë e menaxhimit nga sistemi i kaluar dhe dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së fundit.
Përkundër kësaj, në vitet e fundit ne kemi punuar shumë që ta ruajmë një rritje
ekonomike solide pavarësisht krizës së rëndë globale. Ne po e ulim pjesëmarrjen
e Qeverisë në ekonomi, për të stimuluar sektorin privat. Kjo është arsyeja pse
ne po i privatizojmë asetet kryesore të shtetit: Korporatën Elektro-energjetike
të Kosovës (KEK) dhe Postë-Telekomin e Kosovës (PTK).
Muaj më parë e kemi përmbyllur me sukses të plotë dhënien me koncesion të
Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 20 vitet e ardhshme një kompanie
prestigjioze ndërkombëtare.
Për ti stimuluar investimet e huaja, ne kemi marrë vendim për fillimin e
ndërtimit të autostradës së parë në Kosovë, që e lidh vendin tim me Shqipërinë
dhe me Serbinë.
Kompania fituese e konsorciumit amerikano-turk, Bechtel & Enka, tashmë ka filluar punën, ndërsa projekti pritet të përfundojë brenda një periudhe trevjeçare.
Vetëm nga Projekti i ndërtimit të autostradës po hapim rreth 4000 vende të reja
të punës.
Zonja dhe zotërinj,
Një ndër fushat më sfiduese për Kosovën ka qenë dhe ende mbetet sundimi i
rendit dhe ligjit. Jo vetëm për faktin se në pjesën veriore të Kosovës ende
veprojnë strukturat ilegale të sigurisë, të cilat financohen nga Serbia, mirëpo
edhe për shkak se rezultatet në luftë kundër krimit të organizuar dhe
korrupsionit ende nuk janë të kënaqshme. Për ta tejkaluar këtë situatë, ne jemi
duke punuar shumë ngushtë me EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë në
Kosovë.
Ne, respektivisht institucionet e Kosovës, do të vazhdojmë të jemi në ballë të
luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative.
Kjo betejë po jep rezultatet e para pas 11 vitesh.
Beteja nuk është e lehtë, por i kam garantuar qytetarët e vendit se do të jemi
të pakompromis dhe i siguroj edhe miqtë tanë në Uashington se do të kemi
sukses.
Ne po ndërtojmë shtet ligjor dhe funksional, dhe kjo është alternativa e vetme
për ne. Për këtë qëllim, kemi filluar reformën rrënjësore në sistemin e
drejtësisë, dhe shumica e ligjeve të reja që rregullojnë këtë fushë janë në
procedurë të miratimit në Parlamentin e Kosovës. Të gjitha sipas standardeve
perëndimore.
Këto reforma do ta mundësojnë krijimin e një sistemi gjyqësor modern, efektiv
dhe të pavarur. Drejtësia është në dispozicion në mënyrë të barabartë për të
gjithë qytetarët.
Zonja dhe zotërinj,
Duhet ta ripërsëris se Kosova është shtet shumë-etnik dhe unë ndihem shumë mirë
që Kushtetuta jonë dhe të gjitha ligjet tona në mënyrë afirmative i sigurojnë
të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Me kënaqësi mund të konstatoj se mbi 90 për qind e dispozitave të Planit
Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari që kryesisht kanë të bëjnë me të
drejtat e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, tashmë janë implementuar.
Decentralizimi po zë rrënjë në mbarë vendin, kurse Qeveria po ua bartë
përgjegjësitë strukturave lokale, duke e sjellë qeverisjen më afër qytetarëve.
Vjeshtën e kaluar ne e befasuam botën me suksesin e zgjedhjeve lokale dhe me
pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë serbë, të cilët kanë zgjedhur
rrugën e përqafimit të decentralizimit duke e shfrytëzuar rastin për të marrë
përsipër përgjegjësinë për qeverisjen lokale. Kemi mbajtur zgjedhje komunale të
lira e demokratike, në të cilat morën pjesë qytetarët serbë të Kosovës dhe
zgjodhën përfaqësuesit e tyre në strukturat e reja komunale.
Jo më larg se të dielën e kaluar, qytetarët e Parteshit, komunë kjo me shumicë
serbe e cila është themeluar në përputhje me Planin e Presidentit Ahtisaari,
duke votuar në mënyrë masive (një pjesëmarrje prej mbi 60 për qind) zgjodhën
Kryetarin e Komunës së tyre dhe udhëheqësit e rinj lokalë.
Nga pesë komuna të reja me shumicë serbe të cilat janë parashikuar të
themelohen sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, tashmë ne i
kemi krijuar katër.
Ne po vazhdojmë të punojmë për ta krijuar e komunën e pestë, Komunën e
Mitrovicës Veriore dhe për këtë qëllim kemi ngritur Grupin Komunal Përgatitor i
cili po punon për ta përgatitur mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e
komunës së re.
Ne, gjithashtu, në mënyrë të koordinuar me ICO dhe mekanizmat tjerë
ndërkombëtarë, kemi hapur Zyrën për Shërbime Civile të Republikës së Kosovës në
veri të lumit Ibër, e cila iu shërben nevojave të gjithë qytetarëve që jetojnë
në atë pjesë.
Për fat të keq, integrimi i plotë i serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër po
pengohet dhe vështirësohet për shkak të rolit destruktiv të Serbisë. Mirëpo ne
nuk do të zmbrapsemi sepse e dimë se qytetarët serbë që jetojnë në këtë pjesë,
duan të marrin përgjegjësitë dhe të jetojnë sikur qytetarët tjerë serbë që
jetojnë në jug të lumit Ibër.
Ju e dini se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë të drejtën e
dyshtetësisë, asaj të Kosovës dhe të Serbisë. Përkundër këtij fakti, është
shumë inkurajuese se deri më sot, diku rreth 20.000 qytetarë të komunitetit
serb janë pajisur me karta të identitetit të Kosovës. Kjo është një dëshmi
shtesë për dëshirën e tyre për tu integruar në institucionet e Kosovës.
Pjesëmarrës të nderuar,
Ju e dini dhe besoj se pajtoheni me konstatimin se krijimi i shtetit të Kosovës
ka sjellë stabilitet dhe mundësi të reja për Ballkanin Perëndimor. Kosova ka
ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, Malin e Zi, dhe natyrisht me
Shqipërinë.
Por, njëri nga fqinjët tanë, Serbia, nuk e pranon realitetin e Kosovës së
pavarur dhe punon pandërprerë për ta minuar atë. Përpjekjet e saj do të
dështojnë.
Pë