E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja “paqësore” që po gatit sebepe për arroganca të reja!

13-09-2011 / Nga Luan Myftiu

Pushteti në demokrací fitohet vetëm me garë alternativash. Jo me heshtje, kurthe dhe pabesíra. I pari duhet të dalë ai që bind njerëzit se do t’i mbajë premtimet. Jo dinaku, intoleranti, egoisti i sëmurë. Jo më kot në demokrací çmohen më shumë ndershmëría dhe përkushtimi. Të gjithë politikanët janë në fokusin e publikut. Nuk të voton elektorati për të realizuar ambiciet e tua meskine, as kur pengon zhvillimin, as kur frenon integrimin, as kur mohon përparímin. Meqë demokracía është transparerncë, ai që fshihet prapa akuzash ndaj kundërshtarit, e ka të humbur davánë. Vetëm diktaturat mbijetojnë duke i “bindur” njerëzit me “kopaçe”, duke sajuar armiq imagjinarë, sabotatorë fiktivë, reaksionarë të stisur. Mirëpo, ndërsa diktatura kishte shumë marifete të hapura, Rama dhe neobllokmenët po munden të sajojnë  ca të mbyllura. Prandaj heshtin. Prandaj shtiren si të penduar, sikur kanë hequr dorë nga bojkoti, sikur do t’i shtrohen rrugës parlamentare.  Se, meqë u është hequr mundësia e “kopaçes”, kanë pasuruar arsenalin e skenarëve të shpifjeve, të trillimeve, të “krizave” artificiale, të ngërçeve dhe të “kushteve” për t’iu imponuar një shoqëríe, që aspiron integrimin në BE. 
Udhëheqja socialiste po shtiret si ajo dhelpra e ngordhur, që synonte të fuste në kurth pulat. Ajo po shtiret sikur ka përqafuar debatin e konsensusin. Prandaj hesht si peshku dhe s’flet një fjalë për ithtarët e mendimit ndryshe, nuk i përmend akuzat për “tradhti”. Përkundrazi! Dëgjohen tek-tuk zëra agresivë, ca melodí të vjetra me kabá të reja, për dobinë e bojkotit e të demonstratave, për denoncimin e vjedhjes së votave, etj. Melodi të mërzitshme, si ai fyelli me një vrimë, për drejtësínë e “shenjtërímit” të votës. Dëgjohen daulle akuzash të paqëna, gjëmimi i të cilave ende nuk është davaritur në qiellin e Shqipërísë. Dhe të gjitha këto sikur po i zbehin shpresat për një “politíkë të ré”, për një “kthesë” serioze, për një vullnet të rí politik, për një bashkëpunim të sinqertë për integrimin. Po fashiten iluzionet për vënien e interesave kombëtare mbi ato partiake. Po mbizotëron një heshtje e çuditshme, që të kujton ato periudhat e “zbutjeve” të diktaturës për të zbuluar armiq të rinj, të fshehtë. Për të goditur edhe më ashpër ata që maskoheshin, për të shuar çdo shpresë të atyre që prisnin një fytyrë të re, më njerëzore të diktaturës mizore të “proletariatit”. Duket, pra, sikur drejtuesit e PS-së, me Ramën në krye, po studiojnë terrenin, po nuhasin gabimet e mazhorancës, po gatitin alibí të reja, po testojnë ndërkombëtarët për ta shpërngulur në parlament rrugën e “rrugës”. Duket sikur presin çastin të hidhen në një sulm frontal për t’i “bindur” të gjithë se nuk është futja në parlament zgjidhja e “krizës” së sajuar prej tyre. Shkurt, megalomanët arrogantë të PS-së po tentojnë të bindin Shqipërínë dhe botën se vetëm ardhja e tyre në pushtet, është shpëtími, mundësía e hapjes së portave të integrimit. Se vetëm pushteti në duart e tyre do të sjellë atë “parajsën” e lumturísë së mjerímit të barabartë, ku të gjithë “kënaqeshin”, që s’po i gjente ndonjë hatá më e madhe. Prandaj Rama me neobllokmenët po u ngjajnë atyre “hienave”, që kërkojnë të mbijetojnë, jo me alternativa moderne dhe shpresëdhënëse, jo me programe të avancuara dhe ekipe drejtuesish seriozë, jo me politika të urta debatesh konstruktive dhe kritikash të ashpra, dobiprurëse, por vetëm me shfrytëzim të gabimeve të kundërshtarit. Se, nuk janë të rastit zmadhimi i gjithë fatkeqësíve, ekzagjerími i pasojave të krizës globale, gjithë aksidentet, madje dhe pakënaqësítë natyrale të njerëzve, që po përballojnë një tranzicion të vështirë. Nuk janë kot gjithë “sabotimet”e vogla, të përditshme të nëpunësve nostalgjikë të diktaturës, që i vënë gurë në rrota demokracísë. Jo! Nga kjo heshtje dinake, nga kjo shtirje pendese, nga ky mashtrim i rí duhet hequr dorë. Se kjo duket sheshit që është “transplantimi” i rrugës së vjetër të bojkotit në sabotim të debatit parlamentar. Mirëpo, nuk fitohet gara e alternativave duke pritur të “konsumohet” kundërshtari. Nuk bëhesh kurrë i besueshëm pse i vë stërkëmbësha demokracísë. As duke i prishur imazhin Shqipërísë me trillimet e bijve të ish-xhelatëve të komunizmit. Po as duke penguar punën e mazhorancës me anë të vonesave në miratimin e ligjeve, apo me bllokimin e reformave madhore. Përkundrazi! Në demokrací duhet të jesh transparent, të luftosh për një alternativë më të mirë, të pranosh kundërshtarin, madje, të bashkëpunosh me të për interesat kombëtare. Demokracía nuk është arénë ambiciesh personale, as kult i më të fortit, as politikë kulisash, pazaresh dhe “kushtesh”, me të cilat të detyrosh elektoratin të votojë për ty. Jo! Demokracía është barazí para ligjit, ndershmërí, konsensus, debat, tolerancë dhe mirëkuptim. Nuk realizohen aspiratat demokratike duke i mbajtur sytë te gabimet e të metat e kundërshtarit, as duke i mohuar arritjet e tij, as duke kultivuar korrupsionin, që të krijosh imazhe të rreme për demokracínë. Nuk fitohen mendjet dhe zemrat e njerëzve në demokrací duke frenuar aspiratat europiane të popullit. Rama dhe neobllokmenët po shtiren sikur kanë ndryshuar taktikë, sikur kanë hequr dorë nga bojkoti, sikur do të nisin “luftën” në parlament. Mirëpo mileti nuk ha bar. Të gjithë po e kuptojnë se kjo është vetëm një taktikë e re për të mashtruar opinionin brenda dhe jashtë partisë, për të gatitur sulmin ndaj atyre, që nuk janë në një mendje me ta. Se, më i rrezikshëm nga njeriu i keq, është i “miri”, por i pabesë! Dhe heshtja e Ramës me neobllokmenët po i paraprin një “kurthi” enverist për të goditur në kongres të gjithë ata, që duan siqerisht futjen e deputetëve në kuvend, rinovimin e PS-së, integrimin e Shqipërísë në BE!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›