Rama, haptazi kundër statusit të Shqipërisë në BE

S’ka më as pikëpyetje e as kurs të ri. Edi Rama del hapur kundër marrjes së statusit të kandidatit për në BE dhe këtë vullnet politik, kryetari i PS s’e ka pasur për gjë t’ua deklarojë edhe ndërkombëtarëve që e vizituan dje me mendimin se ai kishte ndryshuar mendje. Deputetët e vjetër socialistë janë tronditur, por ende s’dihet nëse do t’i binden këtij kursi politik antishqiptar, por që çon edhe në vetëvrasje politike
Deklarata e paprecendentë: Nuk do t’i votoj ligjet me tre të pestat
Mesazhi i Brukselit se, Shqipëria mund të marrë statusin e vendit kandidat në BE, nëse pozita dhe opozita tregohen vullnet-plotë në miratimin e ligjeve dhe 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian, ka lënë me gisht në gojë kreun e opozitës. Ndonëse ishte i përgatitur t’i paraprite “kërkesë-llogarisë” së dy zyrtarëve të Brukselit, se pse PS s’ka pranuar të japë konsensusin politik, të paktën për 12 kriteret e Komisionit Evropian, me arsyetimin se Shqipëria vuan nga mungesa e stabilitetit politik dhe zbatueshmërisë së ligjeve, pika në ballë i ka rënë në momentin që Franko Frattini dhe Stavros Lambrinidis, i kanë kërkuar të votojë ligjet në kohën e mbetur. Por, vetëm pak minuta pas takimit me dy ministrat e Jashtëm, Frattini dhe Lambrinidis, kryesocialisti Edi Rama doli në një komunikim me mediat, për të konfirmuar aktin e tij të mashtrimit, ndërsa deklaroi se PS s’do votojë në Kuvend ligjet me 3/5. Kjo pabesi dhe njëherazi kokëfortësi e panevojshme, më shumë vlen të trajtohet si paaftësi apo mungesë vullneti e lidershipit të Partisë Socialiste, për t’iu përgjigjur me konsensus reformator kërkesave të Brukselit për integrimin Evropian të vendit. Por cila është garancia që kërkon opozita, në mënyrë që të votojë ligjet me shumicë të cilësuar? Në dukje qesharake dhe aspak e bindshme realisht, PS kërkon që ligjet të jenë pjesë e një platforme kombëtare, e cila në rastin konkret mund të shërbejë si strategji e mirë menduar nga kryesocialisti për të vonuar kalimin e ligjeve në parlament dhe kësisoj, përkthimin e saj në “përgjigje negative” nga Bashkimi Evropian për Statusin. Shqipëria rrezikon edhe këtë vit të mbetet peng i shantazheve politike të Edi Ramës, i cili sikurse një vit më parë kur kërkonte zgjedhje të parakohshme, edhe këtë vit ka po të njëjtat qëllime të mbrapshta politike, të cilat lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe kapjen e institucionit përmes ndryshimeve ligjore në Kushtetutë. Dyshimet ndaj lojës politike të PS u vërejtën që në seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar, kur Gramoz Ruçi mbajti një fjalim të tone të ashpra konfliktualiteti dhe kërcënimesh ndaj mazhorancës dhe veçanërisht Partisë Demokratike, ndërsa kori i “bilbilave” e ndiqte nga pas si skllevërit mbretin. Por, më fatalja duket pabesia e PS-së ndaj misionit të ndërkombëtarëve në vend, dhe përfaqësuesve të lartë politik të Bashkimit Evropian. Ndonëse objekt i bisedimeve mes Ramës dhe Frattini-Lambrinidis ishte pikërisht miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend, pjesë e të cilave bëjnë edhe 12 rekomandimet e Komisionit Evropian. Krejt e kundërta u vërejt në konferencat për shtyp të Frattini-Lambrinidis dhe Edi Ramës. Dy ministrat e Jashtëm pohuan atë që kishin shtruar në tryezën e bisedimeve, se për integrimin e Shqipërisë s’duhet vënë në diskutim mëria politike, por mbi të gjitha duhet të mbizotërojë një pakt kombëtar. Dukshëm, dy kryediplomatët shprehën se kishin marrë garancinë e Edi Ramës për dhënien e konsensusit politik për miratimin e ligjeve me 3/5. Por, pak minuta më parë në një tjetër dalje për mediat ishte Edi Rama ai që do të deklaronte se PS s’ishte gati për votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. “Nuk do të votojmë projektligje të pa-harmonizuara me një vizion solid të ndërtimit e të funksionimit të shtetit shqiptar dhe nuk do ta ngremë kartonin jeshil sa për t’i hedhur hi syve Brukselit me arna të quajtura rëndom reforma integruese. Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave atë do ta japim vetëm mbi një platformë të qartë, kombëtare e transparente, të reformimit të domosdoshëm të sistemit në fushën e drejtësisë, sigurisë e me radhë me fokus e standardet e integrimit evropian”. Ishte deklarata e Edi Ramës, e cila më shumë ngjan me një karshillëk të hapur që i bëhet përfaqësuesve ndërkombëtarë në tërësi dhe Brukselit në veçanti. Si lakmues i nomeklaturës komuniste, pinjolli i bllokut po “shlyen” me sukses amanetin e të parëve, për bllokimin me çdo kusht të perspektivës integruese të vendit. Pasi vërsuli të gjithë langonjtë e bllokut një vit më parë ndaj liberalizimit të vizave, për lakuriqin e socialistëve edhe ky vit i takon një axhende të ngjeshur destruktiviteti, teksa bllokimi i “statusit të vendit” kandidat në BE, mbetet “mbijetesa” në prag të “falimentit”...