Një ligj për Lustracionin sot dhe dekomunistizimi
Mund të duket shumë e çuditshme që ende të kemi nevojën e një ligji për Lustracionin. Nevoja për të ka qenë e përhershme në Shqipëri gjatë tranzicionit, përderisa politikëhartuesit e zbatuesit e saj, si dhe veglat e përdorura, bashkëpunëtorët sekretë, mbetën në politikë, ndikojnë në të duke penguar kapërcimin e së kaluarës. Madje, sa më shumë kohë kalon, po krijohet bindja e gabuar se jemi në vazhdim të natyrshëm të shoqërisë komuniste dhe për këtë mundohen të na bindin se njerëzit e saj, njerëzit e dhunës dhe terrorit të kuq, të cilët kanë qenë zbatues të rregullt të ligjeve komuniste edhe pse kriminale, të një sistemi të ligjshëm dhe jo arbitrar, siç ishte në të vërtetë.
Kjo është dhe arsyeja që Lustracioni duhet bërë, dhe se mbetet një kërkesë e kohës, ndonëse mbas kaq vitesh nga rrëzimi i komunizmit.
Sigurisht që Lustracioni buron nga nevoja për dënimin që i duhet bërë regjimit komunist, nga njohja e metodave dhe rregullave të tij, nga përmasat e dhunës në të gjitha aspektet e saj. Duhet thënë se nostalgjia për komunizmin, bartës të së cilës janë njerëzit e saj, që nuk u përgjigjën asnjë herë për mëkatet e tyre, mbijeton sepse ata nuk e dëshmojnë këtë. Janë përherë e më të shumta botimet mbi bëmat e heronjve të heshtur, madje dhe proceset e tyre kur ata janë në bangën e të akuzuarve. Të gjitha këto kanë krijuar atë frymë mosbesimi se vallë do të këtë Lustracion, njohje të krimeve, përmasat e tyre dhe, për pasojë, mospërsëritje të tyre.
Projektligji për Kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik u hartua nga qeveria demokratike në vjeshtën e vitit 1992, sipas modeleve që deri në atë kohë patëm në dorë (Ligji gjerman, ai Çek dhe Hungarezi). Ligji kishte dy drejtime. Së pari, përcaktonte personat subjekt i tij, sipas posteve dhe detyrave që kishin ushtruar gjatë regjimit komunist. Këto ishin poste politike si hartues dhe zbatues të terrorit komunist nga niveli më i lartë, duke filluar nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës e deri tek punonjësit legalë e ilegalë të Sigurimit të Shtetit e të Hetuesisë politike, për të përfunduar në fund me bashkëpunëtorët sekretë që quhen zakonisht spiunët. Së dyti, ligji përcaktonte poste të caktuara të administratës shtetërore dhe të mediave, në të cilat, këtyre kategorive punonjësish nuk u lejohej të punësoheshin në demokraci për një kohë 8-vjeçare, si për shkak të së kaluarës së tyre në shërbim të krimit komunist, si për përvojën e tyre aspak demokratike por totalitariste, ashtu dhe për të mos u shantazhuar me të kaluarën e tyre nga ana e drejtuesve të ligj për tu përdorur në punë të këqija, siç realisht po ndodh. Dhe të ligjtë nuk janë as të majtë e as të djathtë, por thjesht bartës e vegla të ligësisë.
Këto norma u zbatuan qysh në fillim nga ana e qeverisë dhe strukturave të saj gjatë përzgjedhjes së kuadrit, në nivelet që parashihte projektligji, si dhe në çdo rast që na rezultonte më vonë i tillë, d.m.th. kur strukturat përkatëse, pas kërkesës sonë, na informonin se kishim shkelje të këtyre rregullave. Ligji me përmirësime të vogla u miratua në vitin 1995 (Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995). Kundër tij pati kundërshtime të mëdha nga e majta, ende komuniste dhe e përlyer me të kaluarën, që nuk kishte treguar as pendesë e as kishte kërkuar falje. Ajo pati mbështetje nga e majta në strukturat europiane ku ata ishin në pushtet.
Pas ngjarjeve të vitit 1997, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve me disa amendamente të njëpasnjëshme Ligji u reduktua në ndalimin nga postet vetëm të atyre që kishin qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, d.m.th. në ata që në pjesën më të madhe i shërbyen regjimit komunist të rekrutuar me forcë me rrethana shtrënguese. Edhe kjo normë u zbatua në mënyrë selektive. Kështu u rikthye në punë shumica e sigurimsave, madje dhe në poste të larta, në profesionin që ata e kishin zanat në polici dhe në Shërbimin Informativ, kur përvoja e tyre ishte lufta kundër krimit politik.
Madje, sikur kjo të mos mjaftonte, ata, nën pretekstin e të drejtave që lindin nga statusi i ushtarakut, marrin dhe pensione suplementare të larta si shpërblim për dhunën ndaj shqiptarëve, në një kohë kur Ligji për Statusin e Ushtarakut daton në vitin 1991 dhe nuk ka asnjë mbështetje ligjore për tu zbatuar, pra efekt prapaveprues. Unë e kuptoj që qeveria e ish-komunistëve do ti shpërblente, sepse për të ata e meritonin, dhe i duheshin për të mbajtur pushtetin (kjo ka qenë gjithnjë detyra e tyre), por nuk e kuptoj që kjo të vijojë dhe, me një qeveri që pretendon se është antikomuniste, kjo është fyerje dhe dhuna e dytë që u bëhet viktimave të terrorit komunist. Tërthorazi, ky është një veprim mosdënimi dhe izolimi i së kaluarës, qoftë dhe me një proces formal pajtimi, duke u munduar të krijojë idenë se të tilla ishin rregullat e kohës dhe se kemi një vazhdimësi ideologjie, veprimesh dhe individësh. Kjo ka krijuar një hendek ndërmjet dy palëve, dy kultura politike e ide. Kjo nuk është e dobishme për vendin dhe kësaj gjendjeje duhet ti jepet fund sa më parë.
Siç kemi theksuar gjetkë, Ligji u zbatua në të gjitha emërimet në postet që ai parashihte, ashtu dhe për punonjësit ndërkohë të punësuar në to. Qeveria dhe titullarët e dikastereve këtë e bënin mbi bazën e të dhënave, që merreshin drejtpërdrejt nga Shërbimi Informativ Kombëtar, kur ato jepeshin. Shënojmë se ka pasur dhe dezinformim.
Pyetjes A kishte të meta Ligji i viti 1995, unë do ti përgjigjesha Po, edhe kishte. Kështu mungonin ndalimet për kandidatët e KQ dhe për zëvendësministrat që ishin hartues dhe zbatues të politikave të dhunës. Nuk përmendej qartë se quhej bashkëpunim me Sigurimin puna me ta dhe për ta, edhe pa qenë të regjistruar si bashkëpunëtor sekretë. Të tillë qenë dhe ata që lidheshin direkt me krerët dhe quheshin nën dorë si dhe raste të tjera. Nuk u miratua kufizimi për gjyqtarët dhe prokurorët që kishin dënuar më shumë sesa parashihte ligji i kohës. Mundet gjithashtu që do të kishte qenë më e rregullt, siç thonë të huajt dhe e majta ish-komuniste, që të mos kishte dhe shkelje të të drejtave të njeriut kur ata kërkonin për tu zgjedhur deputet, në rastin që vota e popullit do të ishte e cilësuar për ta. Kjo ndodh në rastin e mazhoritarit ose kur ka vota preferenciale.
Një e metë tjetër, që detyrimisht duhet shmangur, ishte dhe përbërja e Komisionit të Verifikimit që shqyrtonte dokumentacionin. Ai kishte si anëtarë vetëm zyrtarë që i zgjidhte partia në pushtet. Do të ishte mirë që të propozoheshin nga të dy krahët e politikës (sigurisht të paimplikuar me regjimin komunist), si dhe kryetarin ta emëronte President të Republikës.
Në rrethanat e sotme, një ligj i ri për Lustracionin është më se i nevojshëm dhe buron nga kushtet politike të vendit, ku ndarja nga e kaluara, nga doktrina, mjetet e metodat, dhe jo vetëm në planin formal, ende nuk është kryer tërësisht. Po kështu, njerëzit e së kaluarës duhet të shmangen nga hartimi dhe zbatimi i politikave, e jo vetëm nga to, por dhe nga mediat. Kush e njeh nga afër e në detaje problemin, e vëren këtë. Ata janë më të shantazhueshëm, më servilë e më pa skrupuj kur kryejnë punë të liga.
Ligji i ri pra, që duhet të hartohet patjetër, nëse duam të ndahemi nga e kaluara, duhet të mbështetet mbi përvojën shqiptare, mbi ligjet e hartuara dhe vënë në jetë nga të tjerët e, duke pasur parasysh kërkesën e opinionit publik, të trajtojë hapjen e dosjeve.
Për shumë shqiptarë hapja e dosjeve, që në aspektin formal shpesh i referohet përvojës gjermane, kuptohet si publikim i listës të të gjithë spiunëve të Sigurimit dhe njohje të veprimtarisë së tyre, me sa duket si besëprerë , ndërkohë që ata janë hallka e fundit e keqbërësve. Por, përpara sesa ligjvënësi apo dhe kushdo që trajton
