Po mazhoranca?!
1. Java e kaluar nisi me deklarimin e liderit Rama për kthimin, siç duket pa kthim, të opozitës në Kuvend. Akti i faktuar në seancën plenare më se të qetë e pozicionale. Nuk vonuan përgëzimet ndërkombëtare, sa majtas aq djathtas, në pararendje të vizitës së sotme, të përbashkët e intriguese, të ministrave të Jashtëm të Italisë dhe Greqisë. Shpresë për kandidimin në Europë. Nëse binden e thonë PO këto dy vende që, krahas përfitimit mbajnë edhe më të shumtën e kusureve shqiptare, çpunë kanë të tjerët të kundërshtojnë?! Kryeministri Berisha foli në Opinion. Veçse pak shpoti.
2. Paqja e javës u trand nga ekzekutimi i tipit mafioz i gjykatësit Konomi të premten në Vlorë. Vrasësi shtypi me gjakftohtësi telekomandën. Tritoli, i vënë me dinakëri nën sediljen e makinës së bashkëshortes, shpërtheu. Arjan Vasjari në Mapo tha se nga pak tritol vendosën të gjithë me mërinë e zbrazur mbi gjykatës e prokurorë. Ka më shume se të drejtë. Reflektimi i shtetit – President, Gjykatë, Prokurori, Qeveri, Opozitë dënim i aktit, ngushëllim i familjes, premtim a kërkim i gjetjes së shpejtë të ekzekutoreve, dënim i merituar. Java u mbyll me editorialin tashmë të zakonshëm të liderit Rama. Temë e duhur. Lidhje bajate me Shqipërinë. Pa qeder sidoqoftë.
3. Jeta vazhdon. Politika po ashtu. Do vazhdojë siç nisi? Opozita po bën lëvizjet e saj. Nga pesë JO-të: i) jo dhunë; ii) jo bojkot; iii) jo destruktivitet, as obstruktivitet; iv) jo teza për regjime fashiste, mafioze a familjare; v) jo mosnjohje të humbjes elektorale; dy të parat po plotësohen, një po jep shenja për mirë, tek dy të fundit ende vendqëndrim, por pa pátos. Mirë deri këtu. Ka nisur lëvizja për mbarë e opozitës drejt konstruktivizmit. Lëvizja e radhës i takon mazhorancës.
4. Taktika e provokimit mund të duket, me një gjykim të cekët, si më e përshtatshmja për mazhorancën. Nëse opozita, nën provokim, rikthehet në destruktivitet, pra në rrethrrotullim, ska më mirë për mazhorancën. JO! Njerëzit e çliruar nga dashuria e verbër dhe/ose urrejtja e thellë për një nga palët dinë të dallojnë reagimin mbrojtës, qoftë edhe ca i tepruar, nga provokimi apo reagimi sulmues. Sulmi, qoftë edhe aspak i tepruar, nuk pëlqehet. Veçanërisht ai i mazhorancës. Ajo është e dënuar të mos sulmojë. As të provokojë. E dobishme për mazhorancën. Për interesin publik gjithashtu.
5. Mundet që lëvizja opozitare të jetë taktike dhe e përkohshme. Pra mashtrim. Hipotezë e arsyeshme. Megjithatë, mazhoranca duhet, por dhe i intereson të investohet me besim. Më mirë beso deri në provë të kundërt sipas interpretimit të testamentit të ri, sesa mos beso deri në provë të kundërt, sipas të vjetrit. Ky i vjetri sdha rezultat për opozitën, kur përdori thënien sy për sy e dhëmb për dhëmb. Ska arsye ti japë rezultat mazhorancës. Ndaj sjellja e saj duhet të nisë nga besimi, deri në provë qartësisht kundër, se opozita po del nga rrethrrotullimi. Besim dhe durim. E dobishme për mazhorancën. Për interesin publik gjithashtu.
6. Qetësia, vetëpërmbajtja dhe durimi mazhoritar janë domosdoshmëri. Por nuk mjafton. Nevojitet konstruktivitet mazhoritar. Në Kuvend, Qeveri, bashki a komune. Në Opinion a Top Story. Detyrat janë të shumta. Mundësitë për mirëkuptim po ashtu. Talentet njerëzore në të dy krahët janë më shumë se çnevojitet. Por kurthet, intrigat, pasiguritë, të marrët dhe horrat, po aq të shumtë në të dy krahët. Vetëm një bindje e fortë mbi dobinë nga konstruktiviteti mund ti mposhtë. Sfida i bie dy liderëve e pas tyre, mbështetësve të progresit, që të fillojnë ndërtimin së bashku. U duhet të izolojnë në qoshe, sa më larg nga njëri-tjetri, të paudhët respektivë. Opozita po i jep ca shenja. I takon edhe mazhorancës të japë.
7. Ka dhënë disa. Kryeministri Berisha deklarohet sistematikisht që pranon çdo sistem zgjedhor të kërkuar nga opozita. I ofron Avokatin e Popullit. I ofron mirëkuptim për propozime opozitare mbi ligje kyçe për reformat e mëdha të administratës, Gjyqësorit, ngushtimit të imuniteteve. Ndërsa kërkon mirëkuptimin dhe bashkangazhimin opozitar për reformën e pensioneve, për klimën e biznesit, shtrëngimin e domosdoshëm të buxhetit qendror a vendor. Ka edhe plot mundësi të tjera. Opozita mund dhe duhet të ketë avantazh propozues, jo veto, për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mirëkuptim, jo parcelizim bipartizan, për kandidaturat e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese. Mirëkuptim po aq i shëndetshëm për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, rojtarin e besimit mbi monedhën kombëtare dhe garantin e kursimeve tona.
8. Presidenti vetëm në raundin e fundit zgjidhet me 71 vota. Në raundet paraardhëse zgjidhet me 84. Një mirëkuptim i përbashkët mund dhe duhet të eksplorohet në këto raunde. Ndaj, ska pse të thuhet që Presidenti zgjidhet me 71 vota vetëm. Zgjidhja e fundme aty është. Ska pse të trajtohet si fillim e fund bashkë. Nëse kjo është veçse për të thënë se nuk ndryshohet më Kushtetuta për këtë pikë, dakord, por ska nevojë për këtë. Kjo thuhet direkt, siç edhe është thënë. Po aq është pranuar nga opozita. Nuk është kusht i saj. Mbyllet këtu çështja e Presidentit. Ka kohë për tu trajtuar pas një viti. Detyrat e tjera janë parësore. Veçanërisht ato për kandidimin në Bashkimin Europian. A mund të bashkëpunohet me mafiozet e bllokmenët junior?
9. Do them dy fjalë për kundërshtarin, nisi paragrafin nga fundi i fjalimit Basha në hapje të fushatës së tij për Tiranën. Pauzë e folësit. Mijërat e mbështetësve shpërthyen në thirrje. Prisnin masakrën verbale. Pas dy vitesh përplasje, përbaltje, urrejtje, protesta dhe antiprotesta, grushtit të shtetit dhe përgjigjes së merituar ndaj tij. Edi Rama nuk është armiku ynë, tha Basha. Heshtje e turmës. Sytë drejtohen nga Berisha. Që buzëqesh. Miraton. Me shikim. Ia njohin mirë shikimin demokratët! Ca e kuptuan se kështu e ka politika. Ca e kuptuan se kështu duhej të kish qenë gjithnjë. Ca të tjerë u zhgënjyen. Pavarësisht, bashkohen në brohoritje edhe më të zjarrta. E gjitha në më pak se tri sekonda.
10. Dha rezultat. Ishte si një fllad i ngrohtë pranveror mbi akuj. Nuk arriti ti shkrijë. Vota u nda përgjysmë. Ngrirje që në 2009-n. Ca më herët. Akujt u krisën gjithsesi. Duhet që vera të vazhdojë gjatë, që akujt të shkrijnë. I takon mazhorancës të vazhdojë nga kjo pikënisje. Nuk ka armiq përballë. Ndaj nuk ka ish-punistë a bllokmenë të rinj përballë. Ndryshe, armiq do meritonin të quheshin. Thjesht ka përballë politikanë me ambicie të shumtë. Të rinj të paduruar. Të vjetër që stërhiqen. Se mos është e çliruar vetë mazhoranca nga ky ves njerëzor. Të shumtë e ka e do ta ketë edhe vetë. Kusuret e së shkuarës i kanë të një peshe praktikisht. Meritat po ashtu. Mbyllini këtu. Mëritë. Përbuzjen. Urrejtjen.
11. Teza për opozitën mafioze, puniste, bllokmene, të shthurur e të tjera si këto sprodhojnë asnjë dobi veçse në favor te të paudhëve, aventurierëve apo ekstremisteve naivë, djathtas këtë radhë. Po aq sa majtas. Ose konstruktivitet dhe jo kësi epitetesh, ose këto epitete dhe sulm a mbrojtje destruktive në çdo rast. Konstruktivitet dhe kësi epitetesh smund të qëndrojnë bashkë në asnjë rast. Ndaj, përmbledhtazi, edhe mazhoranca duhet të shmangë pesë JO-të: i) jo provokim ii) jo padurim iii) jo mosbesim iv) jo destruktivitet, as obstruksion v) jo epitete ekstreme për opozitën. E dobishme për mazhorancën. Për interesin publik gjithashtu.
12. Simetri thuajse perfekte. Palët janë përballë tashmë, në Kuvend, ku nevojitet edhe një rregullore e jetë parlamentare sa më demokratike. Lëvizja drejt njëri-tjetrit ka filluar. Skërkohet dashuri, aq më shumë kurvëri. Sjelle dinjitoze, qytetare e patriotike. Kaq. Këto tri kërkesa nuk mohojnë as dashurinë për partinë e krahut, as edhe ambiciet për pushtet. E anasjella mohon. Përtej dy here pesë JO-ve, ka plot hapësirë për politi
