E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim: Trafikantët e "Triumf" lidhje në ambasada

Prokuroria u dërgon informacion konsullatave në Tiranë për 16 të arrestuarit e trafikut klandestin të koduar "Triumf". Në hetim edhe disa nga pikat e kalimit kufitar. 

TIRANE- Grupi i hetimit për 16 të arrestuarit e trafikut klandestin të koduar "Triumf", ka vënë në dijeni dhe dërguar informacion për konsullatat e huaja në Shqipëri. Grupi i Alfred Çikanit dhe Luan Klosit, rezulton se hynte dhe dilte pa të keq në konsullata dhe kishte njohje me disa funksionarë. Burime të besueshme shprehen se prokuroria nuk ka dërguar ende ndonjë letërporosi, por informacioni u është dërguar diplomatëve të huaj. Operacioni i Antikrimit ekonomik të policisë së Tiranës dhe skuadrës së operacioneve speciale, i zhvilluar të hënën dhe të martën, çoi në pranga 16 persona. Mes të arrestuarve ishte bërthama drejtuese e rrjetit, sekserë dhe rekrutues klandestinësh, taksistë e shoqërues si edhe pronarë hotelesh ku dhe bëhej grumbullimi i klandestinëve. Kalimi bëhej me viza të rregullta ose false, si edhe ilegalisht në këmbë në kufirin tokësor me Greqinë. Për çdo person që ata kalonin në Greqi, merrnin nga 2.000-3.500 euro, si edhe 5 mijë euro për një vizë të rregullt 2-vjeçare. Kalimet janë regjistruar në Rinas, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë-Botë. Veprimet e kontrollorëve mësohet se janë pjesë e hetimeve dhe verifikimeve që vazhdojnë ende.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›