E Enjte, 5 Nëntor 2026

Hetim pasuror dhe lobimi në SHBA, Meta mbi 3 orë në SPAK

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Meta u pyet për mbi 3 orë në Prokurorinë e Posaçme anti-korrupsion. Meta u thirr në SPAK nga prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, i cili po është duke kryer një hetim pasuror mbi Presidentin e Partisë së Lirisë dhe familjarëve të tij. Po ashtu, pjesë e hetimit është dhe plobimi në SHBA.

Në dalje të SPAK, Meta tha se thirrja kishte qëllim bllokimin e aktivitetit të tij politikë, ku sot ishte parashikuar një tryezë me biznesin. “U pyeta mbi tre orë kot më kot për veprime të të tjerëve, për gjëra që s’kanë asnjë lidhje me mua, për gjëra të miqve të shokëve dhe bashkëpuntorëve të SPAK. Tani do të iki tek tryeza e sipërmarrjes. Këtë do Dumdumani, të mos merremi me qytetarët, këtë detyrë i ka caktuar Rama Dumdumanit. Ne do të shkojmë tek simërparrja tani, që po vuan dhe po shkatërrohet nga taksat e Edi Ramës. U thirra si kundërshtar i narkoregjimit, që mbahet në këmbë nga Dumdumani juaj, që bën akte kriminale ndaj opozitës”, u shpreh Meta.

Më herët, Meta është thirrur dhe 2 herë të tjera në SPAK për çështjen e privatizimit të kompanisë CEZ-DIA.

Një ditë më parë, në SPAK ishte bashkëshortja e Metës, ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për një hetim pasuror mbi të dhe familjen e saj.

Pas daljes nga SPAK, deputetja e Partisë së Lirisë bëri me dije se i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të ngritura nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Kryemadhi ndryshe nga Meta tha se mbështet SPAK.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›